Libri

Letërkëmbim në kohërat e kolerës

Rigel Rizaj

Në rregull, po martohem me ju po të më premtoni se s’do të më jepni të ha kurrë patëllxhanë me zor”, qe përgjigjja që Fermina Daza dërgoi të shkruar me laps në një copë letre të grisur nga cepi i fletores. Një përgjigje komike në përmbajtje, por e mbarsur me një naivitet që të kyç gojën, të shtang dhe, po të duash ta komentosh, hëm për mirë a hëm për keq, ta kryqëzon fjalën në çfarëdolloj drurësh arsyetimi.

Po çfarë kishte ngjarë përpara kësaj pusulle? Pse kjo pusullë kishte fytyrën e një dashurie plot tallaz, dhe pse dashuria ishte një damar i kërcyer ndjenjash të gjelbra? Një e gjelbër bajamesh të hidhura. Po të nisemi me Platonin, kurrkush nuk do të mund ta nënçmojë pohimin e tij, “Dashuria është një sëmundje e rëndë mendore”. Dhe kësi rasti jemi nën petkat e një sëmundjeje që e ka tejkaluar vetveten, të një sëmundjeje që është mbështjellë me napën e bardhë të një patologjie që s’do të mund të shërohet as pas pesëdhjetë e një vjetësh, nëntë muajsh dhe katër ditësh.

Aroma e bajameve të hidhura: ky është fidani i gjithë këtij rrëfimi, i cili ujitet, hedh shtat dhe i zgjeron gjethet e veta me trajta mbi-romantike. Fryti i bajames është elementi që Gabriel García Márquez e përsërit kaq herë, duke e bërë pjesë të një refreni të brendshëm, pjesë e kujtesës së romanit, madje pjesë e libidos së këtij rrëfimi, gjer në aktin e fundit të tij, ku Márquez pohon në një mënyrë kaq sublime se mplakja trupore nuk sjell mplakjen e ndjenjave dhe as zbehjen e dëshirave që lëkurët e dy të dashuruarve të humbasin prekjen mes njëra-tjetrës. Sepse kontakti mes dy lëkurësh, të cilat ndiejnë një nevojë të preken, barazon ndjesinë se je në shtëpi. Se je shtëpia e tjetrit, dhe tjetri shtëpia jote.

E gjithë fillesa qenë sytë e Fermina Dazës, dy sy si bajame; ndoshta një Florentino Ariza më pak i ndrojtur do t’i kishte menduar ato dy bajame të syve duke i kaluar nga goja në grykë, e prej grykës poshtë, për t’i shijuar, për t’i bërë sytë e saj pjesë të trupit të tij, dhe ku i dihet, ndoshta t’i nxjerrë prej gojës pasi t’i ketë shijuar; t’i nxjerrë në trajtën e një zëri, si në një nga letrat ku Frida Kahlo i shkruan të dashurit të saj sekret, “ (dëshiroj) që zëri yt të dalë prej gojës sime, e kështu ti do të më përkëdhelje nga brenda”. Por është ende herët për një guxim të tillë, ndaj dhe duhet të kalojnë kohë që Florentino Ariza të bjerë pré e këtij deliri. Kjo ndodh kur malli e katandis aq keq saqë ai hëngri gardenia në kopsht dhe ndjeu nëpërmjet tyre shijen e Fermida Dazës. Më pas i ra në dorë një shishe kolonje, e firoi edhe atë në pusin e grykës duke ndjerë të tjera shije të femrës që dashuronte. Donte të ushqehej me aromën e saj, me shijen, ndaj të ngrënit e gardeniave është sikur Florentino të jetë duke u ushqyer në të vërtetë me lëkurën e Ferminës, duke e futur brenda vetes, duke e bërë pjesë të rropullive të tij; pi kolonjë apo çfarëdolloj lëngu tjetër, sikur të jetë duke pirë lëngjet e gojës së saj. Në pusullat e pakta dhe me pak vlerë stilistike që ajo i dërgon, ai gjen rastin të hajë trëndafilat, duke u mveshur atyre shijen e petaleve të kuqe. Në të vërtet letrat e saj ishin sa për ta mbajtur djaloshin në joshje, për ta shtyrë që ai të vazhdonte të shkruante, dhe në krahasim me të sajat, letrat e tij ishin një altar dashurie ku ai po digjte veten si temjan, ashtu si herën e parë kur pusulla që pati ndër mend t’i jepte – prej mosguximit për ta kryer sa më parë një veprim kaq banal – arrin shtatëdhjetë fletë nga të dyja anët. Dhe që prej kësaj kohe e më pas, shfaqet një tjetër Ferminë, një Ferminë që mbart mbi supe trajtën femërore të padurimit, “ […] I lutej Zotit gjatë lutjeve t’i jepte atij (Florentinos) guxim t’i sillte letrën vetëm që ajo të shihte se ç’thoshte në të”, dhe pasi letrat vinin njëra pas tjetrës, “Mbyllej në banjë kot, orë e pa orë, dhe e lexonte e stërlexonte letrën, duke u munduar të gjente ndonjë kod të fshehtë apo ndonjë formulë magjike të fshehur në ndonjë nga ato treqind e katërmbëdhjetë germat e pesëdhjetë e tetë fjalëve, me shpresën se mos thoshin diçka më shumë se ç’shkruanin”.

Ky qe viti i një dashurie të tallazitur. Ata të dy jetonin vetëm për të menduar për njëri-tjetrin, për të ëndërruar njëri-tjetrin, për të pritur letrat me po aq ankth sa i shkruanin përgjigjet”, duke jetuar mes simptomave të kolerës, apo ndoshta të dashurisë, edhe pse dukej qartë se të dyja plotësonin njëra-tjetrën dhe kurrë nuk mund të gjendej një diagnozë e saktë për personin e prekur.

Ky është një roman mbi dashurinë, mbi të priturit dhe mostradhtisë së ndjenjave vetjake. Çdo burrë dashuron si Florentino Ariza, ashtu siç çdo grua ndodh të gabojë si Fermina Daza, për ta ndrequr vonë, shumë vonë gabimin e saj. Çdo pritje është një farë florentino-ariza që fare pak gjendet sot te meshkujt, dhe aq më pak femrat mund të të bëjnë të tronditesh nga një dashuri me një fytyrë alla fermina-daza. Dhe a gjendet mjeshtër më i zotë që pikërisht peshimin e këtij fakti ta  pohoj nën zërin femëror të një nëne?, “Do lajthitësh nga trutë, […] S’ka grua në botë që të meritojë kaq shumë!”. Por ndoshta Florentino s’mund të jetonte pa të, ndoshta dëshironte të ishte gjithçka e saj, gjithçka brenda saj. I rikthehem edhe një herë një artisteje me një ndjenjë të lartë erotike (jo në kuptimin seksual, sesa më tepër dashuror), e shprehur kaq fuqishëm në letrat që ka shkruar, saqë një burrë do të ndihej fajtor kundrejt një mase kaq të madhe që mbart dashuria e femrës, po aq saç është e paaftë një femër të durojë një mase kaq të madhe dashurie që një burrë mund t’i paraqesë. Frida Kahlo ka këtë formë shprehëse në letërkëmbime, “Dje mbrëma ndjeva sikur shumë flatra më përkëdhelnin të gjithën, sikur majat e gishtërinjve të tu kishin gojë që më puthnin lëkurën. […] Ndiej sikur të të kem dashuruar gjithmonë, më parë se sa ti të kishe lindur, më parë se të ishe ngjizur. Ndonjëherë ndiej sikur kam pjellë vetveten. […] nëse nuk të prek, duart e mia, goja ime dhe i gjithë trupi humbasin ndjeshmërinë. […] Më mbaj brenda teje, të lutem. Dua të jem shtëpia jote, nëna jote, e dashura jote dhe fëmija yt…”. Edhe Hemingway në letrën drejtuar Marlene Dietrich-it, shkruan afërsinë të njëjtin koncept të ndjenjës së dashurisë me atë të të ndjerit në shtëpi, “Nuk di si të ta shpjegoj që sa herë të rrethoj me krahë, ndihem si në shtëpi”. Kurse Chales Baudelaire ka një poetikë të fisme, “Sikur ta dije atë çka shoh! Atë çka ndiej! Gjithçka që arrij të kuptoj te flokët e tu. Shpirti im udhëton nëpër aromën e tyre ashtu siç shpirti i të tjerëve në udhëtimet e melodisë”.

Imagjinoni për një çast – meqë nuk mund të përcaktohet një datë kur kanë zënë fill letërkëmbimet dashurore – një Adam të ulur në një shkëmb duke shkarravitur me kunj një gjethe. Një Adam i cili ha frutat e Kopshtit të Edenit për t’u frymëzuar me fjalë të cilat i mungojnë, por që dëshiron kaq shumë t’ia dërgoj Evës së tij. Por a mund të ketë ndodhur një gjë e tillë në Eden? Po ta shtrojmë këtë pyetje, do të thotë që së pari t’i paraprijmë një tjetre: A kanë qenë të dashuruar ata të dy?

Letërkëmbimet janë tanimë një formë letërsie e cila i grish edhe më tepër lexuesit, dhe Márquez si mjeshtri e magjisë stilistike na ka lënë pas një roman të vyer mbi dashurinë, mbi thinjen e trupin, por jo të asaj të ndjenjave, dhe ka bërë shumë njerëz, kudo në botë, të ndihen një Florentino Ariza apo një Fermina Daza, sepse së bashku ata janë dy personazhe të ndërtuar sipas një skeme universale e cila është arritur pas një shumatoreje ndjenjash, psikologjish dhe kulturash uniforme. Ftesa për një letërkëmbim është shfaqja më e vyer e pohimit se dashuria ka nisur, dhe se ajo mbetet në bërthamë një sinqeritet naiv për të cilin nuk hiqet dorë kurrë, pavarësisht gjithçkaje. Dhe dua ta mbyll me një paragraf shumë personal, pjesë e një koncepti të letërkëmbimit si një grumbuj letrash, të cilat i ngjajnë një hegjemonie, një hegjemoni trëndafilash të bardhë: “Sikur të isha unë për fare pak një shtëpi; nga ato shtëpitë me tulla të kuqe, dritare dhe verandë të drunjtë, e me një çati të ngrohtë për sytë: do të të pëshpëritja në vesh dashurinë se ti je familja me të cilën do e mbushja veten time. Ti je zëri (dhe me zërat e zërit tënd) që do të dëgjoja përgjithmonë nëpër dhomat e mia. Mund të isha gjithçka për një çast, dhe s’dua të jem asgjë veçse një trup pranë trupit tënd, sepse kështu jetohet në botë. Por s’dua të jem asgjë më shumë se një trup, që të mund të të prek e të të mbështjell me përqafimin tim që humbet nëpër lëkurën tënde të bardhë. Një trup që i ka dy buzët për të të puthur, sepse harrimi i ka rrënjët në buzë. Sepse, sepse mund të jem një shtëpi, një pemë, një bizele poshtë njëmijë e një jorganësh me pupla shumëngjyrëshe: ama ajo çka jam brenda është ajo që vetëm ti e njeh dhe e di”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button