Lezhë, Rama shpërndan çertifikatat e legalizimeve dhe lë porosi: Tani e tutje mos ndërtoni më pa leje
Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë sot çertifikata legalizimesh në qytetin e Lezhës. Përmes shakave që ka bërë me qytetarët, rromuzeve hidh e prit, ai ka dhënë disa porosi: “Shiko, tani e tutje, mos ndërto më pa leje, se e di vetë…” ose “Po dritat, i ke paguar, je në rregull?” apo “Dodë, mos më shiko me inat, se unë kaq kisha për detyrë…”
Kryeministri garantoi se “në 4 vitet e ardhshme, me përfaqësuesin tonë, ne do të bëjmë për Lezhën më shumë se ç’është bërë në 25 vjet. Jo vetëm atë që nuk është bërë, por që përkundrazi ishte kthyer në një gropë dëshpërimi dhe mungese të shpresës.
Me shpresën e rilindur në këtë shesh, ne do të vijojmë të rilindim shpresën. Siç tha Drejtori i ALUIZNI-it, këtu nuk kishte as zyrë dhe jo më legalizime. Ne do t’i legalizojmë falas të gjitha shtëpitë në zonat informale dhe ekonomia e atyre, që nuk figuronte asgjëkundi, përmes regjistrimit dhe hipotekimit, të shërbejë dhe si garanci për bankat që të marrin kredi, të hapë një biznes të vogël, të ndërmarrë një aktivitet në buqjësi. Nga kjo do të përfitojë edhe ekonomia e shtetit, sepse kjo do të rrisë forcën tonë të përbashkët ekonomike.”