Librat e rinj
Të shkruash për një kujtim të vjetër
Erik Maria Remark
“Nuk ka asgjë që mbetet përgjithmonë.” Erik Maria Remark do të hidhte në letër këtë fjali, teksa sillte në kujtesë gjithë pasionin e tij me Ilse Jutta Zambona. Ishte nëntor kur e pa për herë të parë në një mbrëmje vallëzimi. Dy ditë më pas, ai bleu bileta dhe shkoi vetëm në teatër për të ndjekur një shfaqje ku Ilse interpretonte. Nuk e harroi asnjëherë atë mbrëmje, kur priti deri pas mesnate që ajo të dilte, në shkallët e teatrit. Ishte ftohtë atë natë në Berlin. Më pas ai e deshi atë, dhe në të gjithë librat që shkroi u përpoq t’i jepte shpjegim kësaj ndjenje që shpesh e bënte të ndihej jo i qetë. Ilse nuk ishte vetëm një grua e bukur, por dhe një leximtare e mirë e shkrimeve të tij. Në vitin 1925, ata lidhën kurorë, në një martesë që u mbajt mend gjatë prej miqve të përbashkët për shkëlqimin që mbarti. Por gjithë ky shkëlqim do të zgjaste fare pak, pasi çifti do të përfshihej në debate që shumë shpejt do t’i çonin drejt divorcit. Në vitin 1930, Remark dhe Zambona do të divorcoheshin, por kjo nuk do t’i jepte fund marrëdhënies së tyre. Pas hyrjes së regjimit nazist, ai do ta ndihmonte Ilsen të shpërngulej në Zvicër. Kjo kohë duket se e afroi sërish çiftin, të cilët filluan ta shihnin divorcin si një gabim. Në vitin 1938 ata emigruan të dy për në SHBA, ku në 1947-n u bënë shtetas amerikanë. Vetëm 10 vjet do të zgjaste martesa e tyre e dytë në SHBA dhe në vitin 1957, ata do të divorcohen sërish. Vetëm një muaj më vonë Ilse do të ndahet nga jeta, ndarje që do të lë gjurmë në jetën e Remark. Të gjitha historitë e dashurisë që ai jetoi më pas duket sikur janë në gjurmët e kësaj gruaje. Remark zgjedh sërish të dashurojë aktore, femra që i kujtojnë teatrin, mbrëmjet e kërcimit. Lidhja me kërcimtaren austriake Hedy Lamarr apo me aktoren e njohur Marlene Ditrich, të cilës i ka shkruar dhe letra dashurie apo me Greta Garbon në vitin 1940, e shndërrojnë Remark në një burrë që dashurinë e lidh me një kujtim të vjetër. Ai u takua me Marlene Ditrich në Festivalin e Filmit në Venecia dhe e vazhduan këtë marrëdhënie përmes letrash dhe telefonash. Letrat e tyre janë botuar dhe në një libër, i cili është përkthyer dhe në shqip. Njohja me Paulette Goddard një vit pas vdekjes së Ilse, duket se do të kthejë paqen në jetën e shkrimtarit. Aktorja e njohur amerikane, ish-bashkëshortja e Charlie Chaplin, do të joshej nga ky burrë që shkruante bukur. Romanca e tyre do të kthehej në martesë shumë shpejt dhe do të zgjaste deri sa Remark të mbyllte sytë në vitin 1970. Femrat në letërsinë e Remark i ngjajnë grave që ai deshi në jetë, por mes tyre dallon ndjeshmërinë dhe kokëfortësinë e Ilses. I përkthyer në shumë gjuhë të botës, Remark hyn tek ata autorë që është pritur mirë edhe nga lexuesi në shqip. Ishte Robert Shvarc, mjeshtri i përkthimit, i cili u josh i pari nga forca e këtij shkrimtari. Ishte vetëm 27 vjeç kur ai nisi punën për të përkthyer Remarkun. Ishte viti 1961, kur Shvarc solli për herë të parë në shqip librin “Tre shokët” nga ky shkrimtar. “Ishte një vendim paksa i çuditshëm, por mua më ndihmoi jashtëzakonisht shumë, u futa në shpirtin e autorit, hyra si të thuash nën lëkurën e tij, i provova të gjitha ndjesitë, emocionet, problemet, gëzimet dhe tronditjet e tij, dhe them se arrita të përçoj besnikërinë te lexuesit, pasi nuk dëgjova asnjëherë akuzën që ‘përkthyesi qenka tradhtar i autorit’”, do të shprehej herët Shvarc. Me këtë libër e lidhnin rastësi të çuditshme. Autori e kish botuar këtë vepër në vitin 1938, në emigracion, si refugjat dhe si shkrimtar që, megjithëse mjaft i famshëm në të gjithë botën, ishte pa identitet, i përzënë nga atdheu. Dhe pikërisht atë vit, më 1938-n, Shvarc, ende fëmijë, erdhi nga vendlindja e tij Sarajeva, në atdheun e nënës sime, në Shqipëri, ku gjeti mbrojtje nga nazistët. Pas këtij romani, të tjerë vepra të Remarkut do të kalonin në duart e Shvarc. “Shkëndija e jetës”, “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”, do të vinin nën përkthimin e Shvarc për të mbërritur te kryevepra e tij, “Harku i triumfit”, i botuar më 1988-n. Një libër që Shvarc e mbajti 7 vjet në duar e 20 vjet në sirtar dhe mbeti një ndër librat më të dashur prej tij. Historitë e përkthimeve të veprave të Remark, janë një tjetër histori që u ngjason librave që ai ka shkruar. Në shqip ne patëm fatin ta njihnim përmes një përkthyesi skrupuloz, siç ishte Shvarc.
Erich Maria Remark lindi në Osnabrück, në një familje katolike më 1898-n. Në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, gjatë Luftës së Parë Botërore, shkoi në front, ku u plagos disa herë. Pas luftës e ndërroi mbiemrin e tij në Remarque, siç kishte qenë mbiemri i familjes deri te gjyshi i tij. Gjatë gjithë jetës së tij bëri shumë punë si: bibliotekar, tregtar, mësues dhe gazetar. Më 1929-n botoi një nga veprat më të famshme, “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”, me emrin Erich Maria Remarque (duke këmbyer emrin e tij të dytë në nderim të nënës). Më 1933-shin, nazistët dogjën publikisht librat e Remarkut, ndërsa propaganda e regjimit përhapi zëra se ai rridhte nga një familje hebrenjsh francezë dhe se mbiemri i tij ishte Kramer, pra mbiemri i tij i vërtetë i kthyer mbrapsht. Remarku jetoi në Zvicër nga viti 1931 deri më 1939-n, vit në të cilin u transferua në SHBA. Më 1948-n u kthye në Zvicër, ku jetoi deri në fund të jetës së tij. Disa nga veprat e tij më të njohura janë: “Tre shokët”, “Harku i triumfit”, “Koha për të jetuar, koha për të vdekur”, “Obelisku i zi”, “Duaje të afërmin tënd”, “Qielli nuk ka preferencë”
“Dantella”
Hirley Conran
Përktheu Aleksandër Koli
Botimet: “Ombra Gvg”
Konran ka eksploruar sekretet intime, mëkatet, pasionet e çdo gruaje që ka përjetuar romanca të mëdha dhe realitetet e të qenët grua. Sidomos lexueset, mbase do të gjejnë një pjesë të vetvetes dhe të përvojave të tyre në jetën e këtyre katër grave interesante Xhudit, Paganes, Kejtit dhe Maksinës. Por subjekti i vërtetë i këtij romani magjepsës është feminiliteti vetë, i brishtë sa edhe dantellat që këto gra i pëlqejnë dhe i veshin, të ndërthurura me po aq delikatesë, po aq fine dhe po aq të forta. Romani “Dantella” është i pasur në ngjarje, detaje dhe histori.
“Ngjarje të jetuara”
Viktor Hygo
E përkthyen: Antoneta Basha & Hasan Bregu
Botimet: “Bota shqiptare”
Më 15 dhjetor 1840, gjatë transferimit të hirit të Napoleonit te invalidët, Hygoi gjendet mes turmës; më 22 shkurt 1848, kur nis revolucioni, largohet nga Dhoma e Parëve për të marrë pjesë në përleshjet në Sheshin Konkord. Por Hygoi është njëherësh dëshmitar edhe i agonisë së Balzakut, të cilit i shtrëngon për herë të fundit dorën e pajetë dhe i shumë ngjarjeve të tjera, përfshirë, për fat të keq, edhe më tragjiket, si për shembull vdekja e djalit të tij Sharlit. Në vitin 1887, dy vjet pas vdekjes së Hygoit, miku i vet Pol Mëris nxjerr nga letrat dhe blloqet e tij lëndën e parë për librin e mëvonshëm. Kujtime? Pa dyshim që jo. Më tepër një farë ditari, por që përmban edhe faqe të shkruara më vonë dhe shënime nga më të ndryshmet: një mori fragmentesh njëherësh historike e vetjake, ku shkrimtari, shpesh i vendosur në sfond, na propozon kronikën e tij për një gjysmë shekulli.
“100 mënyra për të motivuar veten”
Steve Chandler
Përktheu: David Hudhri
Botimet: “Minerva”
Kur Bob Dylan shkroi në librin e tij “Kronikat”, se sa shumë e admironte mbretëreshën e muzikës folk, Joan Baez-in, para se të takohej me të, tha: “Kisha frikë ta takoja. Nuk doja ta takoja, por e dija se s’kisha nga t’ia mbaja. Po shkoja në të njëjtin drejtim me të, megjithëse për momentin ndodhesha pas saj. Ajo kishte zjarrin, por e ndieja se atë zjarr kisha dhe unë”. Nuk e vëmë në dyshim se çfarë kuptonte ai me fjalën “zjarr”. Vazhdojmë leximin, duke e ditur fare mirë se çfarë do të thotë ai. Megjithatë, ndonjëherë pyes veten. E dimë vërtet? E dimë këtë nga përvoja? Po a ndiejmë të njëjtin zjarr? Mos duhet të jesh poet apo këngëtar? Jo. Të gjithë e dimë çfarë do të thotë të kesh po atë zjarr, sado pak ta kemi përjetuar. Jeta ime mori kthesë kur zbulova se atë zjarr mund ta ndizja edhe vetë. M’u deshën mbi 50 vjet për ta kuptuar. Për këto çështje, nuk ngutem …
“Secilit hakut”
Leonardo Sciascia
Përktheu: Shpëtim Çuçka
Botimet: “Dituria”
I botuar në vitin 1966 dhe i përkthyer tashmë në të gjithë botën, ky roman i Sicilisë së errët dhe mizore, konsiderohet si një nga veprat më të mëdha të Sciascias. Me një stil të matur, të hidhur, pak sarkastik, por mjaft të qartë dhe të kursyer në përshkrime, romani fillon me rrëfimin e historisë së një farmacisti që “jetonte i qetë, nuk kishte pasur kurrë probleme e nuk merrej me politikë”, por një ditë prej ditësh merr një letër anonime, ku kërcënohet me vdekje. Nga këtu e më tej ngjarja fillon e trazohet dhe dyshimi, aluzionet dhe gjaku dominojnë qytezën e botës siciliane. I gjithë arti i Sciascias shpaloset në ngatërresën dhe zgjidhjen, hap pas hapi, të këtij lëmshi. Askush nuk i shpëton këtij labirinti dhe në fund të fundit, ai që do të humbasë aty është pikërisht njeriu i painteresuar, vëzhguesi i kthjellët, i cili sa më shumë heton, aq më shumë “ndihet moralisht dhe sensualisht i pleksur dhe i ngatërruar në diçka të dyshimtë e të papërcaktueshme”.