Librazhd, rrugët bllokohen nga bora, 75-vjeçarja e sëmurë me helikopter drejt Tiranës
Kanë nisur të shfaqen emergjencat e para shëndetësore në zonat e bllokuara nga dëbora në rrethin e Librazhdit.
75-vjeçarja Emine Baça nga fshati Rrinas i Komunës Orenjë është transportuar me helikopter drejt Spitalit të Tiranës në gjendje të rëndë shëndetësore, e cila dyshohet të jetë shkaktuar nga një hemorragji cerebrale.
Jeta e 75-vjeçares është rrezikuar, pasi të gjitha rrugët për të dalë nga fshati janë të bllokuara dhe ka qenë i pamundur transporti i saj drejt Spitalit të Librazhdit për të marrë ndihmën mjekësore. Helikopteri i Ministrisë së Shëndetësisë e ka pasur të vështirë të gjejë terren në fshatin Rrinas të Librazhdit, por më pas ka mundur të ulet në oborrin e shtëpisë së të sëmurës.
Gjatë një komunikimi me telefon me kryetarin e komunës Orenjë Ndriçim Lila, ai u shpreh se gjendja në këtë komunë paraqitet mjaft e vështirë. Ai tha se edhe rruga që lidh qendrën e komunës me aksin nacional është pothuajse e pakalueshme për shkak të ngricave të mëdha, ndërkohë që prej gati një jave banorët e kësaj komune janë në errësirë totale.
Kryekomunari Lila kërkoi angazhim më të madh për rikthimin e energjisë elektrike dhe për hapjen e rrugëve kryesore. Ndërkohë edhe shumë fshatra të tjerë të Librazhdit ndodhen në të njëjtën gjendje. Moti i keq përveç bllokimit të rrugëve shkatërroi edhe rreth 30 shtylla të tensionit të mesëm duke lënë në errësirë mijëra banorë.