Lidhën dhe kërcënuan të moshuarit në Greqi, arrestohen shqiptari dhe kriminéli maqedonas
Një kriminel nga Maqedonia e Veriut dhe një shqiptar janë arrestuar nga policia greke, të akuzuar për një sërë veprash penale. Fred Mykaj, 46 vjeç nga Mallakastra dhe Boban Ristevski, 45 vjeç nga Shkupi, akuzohen se kanë hyrë të maskuar në banesën e tre të moshuarve të moshës 68, 74 dhe 87 vjec në Tripoli Arkadhia. Nën kërcënimin e një arme imituese dhe një thike, ata i kanë lidhur dhe u kanë grabitur 19 mijë 65 euro dhe bizhuteri në vlerën 500 euro pleqve. Pas disa minutash, e moshuara 68-vjeçare ka arritur të zgjidhet dhe ka njoftuar policinë. Pas mbërritjes së tyre, ka nisur ndjekja e autorëve duke përfunduar me arrestimin e tyre në një pyll.
Nga hetimi rezulton se autorët kanë mbërritur në vendngjarje me një automjet tip “Suzuki Celerio”. Mjetit të arrestuarit i kishin vendosur targa të denoncuara të vjedhura në 10 maj 2024 në Tripoli. Gjatë kontrollit në automjet u gjetën dhe sekuestruan 1 pistoletë imituese, 1 kartë identiteti false kroate, 1 patentë false kroate, 4 celularë dhe sende të tjera. Të dy autorët rezultojnë me precedentë penalë.