Ligji i ri i regjistrimit të pasurisë, Bylykbashi: Bën lëmsh situatën e pronave
Pas debateve për Byronë Kombëtare të Hetimit, në Kuvend janë rikthyer diskutimet për rendin e ditës. Duke folur për ndryshimet në ligjin për pasurinë e paluajtshme, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi tha se ky projektligj e bën lëmsh situatën e pronave në vend.
“Me sa kam parë nga projekti dhe amendamentet, problemi mbetet i pazgjidhur dhe është problematikë, është një përpjekje për të bërë diçka të mirë, por është bërë keq dhe në mënyrë të pamjaftueshme. Nuk e zgjidh problemin, dhe e vetmja mënyrë është për t’i hyrë me themel kësaj situate që trajtohet, regjistrimin e pallateve që ndërtohen me leje që lëshohen”, tha Bylykbashi.
Bylykbashi akuzoi Zyrën Qëndrore të Regjistrimit të Pasurive si një institucion të korruptuar, ku për deputetin demokrat qytetarët duhet ende të paguajnë nën dorë për të marrë një certifikatë pronësie.
Sipas draftit, ndërtuesit detyrohen të regjistrojnë në hipotekë jo vetëm lejen e ndërtimit por edhe për kontratat e sipërmarrjes apo porosisë në ndërtimet e reja.
Blushi: Pakt për mos të hetuar e ndëshkuar politikanët
Deputeti socialist Ben Blushi ka akuzuar Kuvendin se me vonesën e miratimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit po bind shqiptarët se ekziston një konsensus që të mos ketë hetim e ndëshkim për politikanët.
“Për fat të keq edhe sot kështu ndodhi, duke shtyrë hetimin për ne, Byronë Kombëtare të Hetimit po i bindim shqiptarët se këtu ekziston një pakt dhe një konsensus që të mos ketë hetim dhe ndëshkim për politikanët. Dhe unë besoj që shqiptarët janë sot më shumë të bindur se po shkojmë prapë drejt një konsensusi për të mos zbatuar asnjë nga ligjet që miratojmë për veten tonë. Po bëjmë pakt për mos t’u ndëshkuar”, tha z. Blushi.
Madje ai shkoi më tej, duke akuzuar sërish klasën politike në Kuvend se po shtyn pa shkak reformën në drejtësi, si dhe zbatimin e ligjit të dekriminalizimit që për Blushin me shumë gjasa do të hyjë në fuqi në Parlamentin e ardhshëm.
“Ky parlament ka një tipar nga i cili nuk shpëton dot, ka shpejtësinë për tu bërë i ngathët dhe ngathtësinë për tu bërë i shpejtë për gjëra të parëndësishme. Është i shpejtë kur nuk duhet dhe i ngathët kur duhet. Siç është rasti i reformës në drejtësi që po shtyhet pa shkak. Ajo që bëjmë ne në Parlament i ngjan atij bujkut që në vend të merret me mbjellje, korje, po i shtyn për vitin e ardhshëm dhe e mbush kazanin me fara kungulli që i mjaftojnë për 10 vjet. Kështu ndodhi dhe me dekriminalizmin. U miratua para rreth 1 apo 2 muajsh në limitin e kohës dhe për fat të keq dhe pse ligji ka hyrë në fuqi dhe është futur në procedurë të pakuptueshme, çfarë ndodhi? Asgjë nuk ka ndodhur akoma. Ne bëjmë vetëm një gjë në këtë Parlament, bëjmë pakte dhe gjejmë konsensus si të mos ndëshkohemi reciprokisht. Kjo që po ndodh me ligjin e dekriminalizimit, se mesa duket do hyjë në fuqi Parlamentin e ardhshëm, mesa duket ka për të ndodhur me reformën në drejtësi dhe Byronë Kombëtare të Hetimit”, tha Blushi.