Ligji i ri i Turizmit, QKB kërkon nisjen e licencimit të agjencive të udhëtimit
Qendra Kombëtare e Biznesit i ka kërkuar agjencive të udhëtimit dhe tur-operatorëve që të nisin procesin e licencimit për të përmbushur detyrimet që lindin nga ligji i ri për turizmin.
Ministria e Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka parashikuar një shtesë në ligjin për licencat dhe lejet që trajtohen nga QKL-ja. “Në zbatim të Ligjit Nr. 93/2015, “Për turizmin” dhe VKM Nr. 827, datë 23/11/2016, “Për një shtesë në vendimin nr. 538, datë 26.5.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për licencat dhe lejet, që trajtohen nga apo nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL) dhe disa rregullime të tjera nënligjore të përbashkëta”, të ndryshuar”, të gjithë subjektet që ushtrojnë veprimtarinë “Agjenci udhëtimi” dhe “Operator turistik”, duhet të paraqiten pranë sporteleve të shërbimit të Qendrës Kombëtare të Biznesit për tu pajisur me licencën “Agjenci udhëtimi”, me kodin XIII.1.A dhe/ose licencën “Operator turistik”, me kodin XIII.1.B.
Licencimi i këtyre aktiviteteve do të bëhet në përputhje me kriteret, procedurat dhe afatet e parashikuara në VKM Nr. 827, datë 23/11/2016, “Për një shtesë në vendimin nr. 538, datë 26.5.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për licencat dhe lejet, që trajtohen nga apo nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL) dhe disa rregullime të tjera nënligjore të përbashkëta”, të ndryshuar”, thuhet në njoftimin e QKB-së.
Për të dyja këto subjekte, licencat do të jenë pa afat, ndërsa data e fillimit të licencimit është nga hyrja në fuqi e këtij vendimi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Për Ministrinë e Zhvillimit të Ekonomisë janë të gjitha kushtet që zbatimi i ligjit të ri të turizmit të nisë në vitin 2017. Me anë të tyre do të mund të nisë më në fund procesi i klasifikimit dhe standardizimit të hoteleve sipas yjeve, gjithashtu do të mund të zbatohet edhe taksa për fjetjen në hotel sipas kësaj ndarjeje.
Në bazë të ligjit të ri, strukturave akomoduese do t’u lihet një periudhë 18-mujore për të aplikuar për klasifikimin sipas yjeve. Skema përmban 270 kritere nga struktura fizike te stafi dhe kontrolli do të kryhet nga një institucion i pavarur nga ministria për t’u monitoruar më pas nga Inspektorati i Turizmit. Klasifikimi vlen katër vite sepse kjo është periudha maksimale që mund ruhet pa bërë investime. Pas kësaj periudhe, asnjë strukturë akomoduese nuk do të lejohet të ushtrojë veprimtarinë pa marrë certifikatën e klasifikimit. I gjithë procesi i klasifikimit do të udhëhiqet nga Komisioni i Standardizimit të Veprimtarive Turistike, ngritja e të cilit parashikohet në këtë ligj.