Ligji i ri për falimentin. Isaraj: Nuk ka qëllim mbylljen, por dhënien e mundësive për bizneset
Zëvendësministri i Drejtësisë, Arben Isaraj, deklaroi se qeveria po përgatit me Bankën Botërore një ligj të ri për falimentin, i cili e vë theksin jo te likuidimi, por te riorganizimi i bizneseve.
“Nuk është e rëndësishme kush falimenton, rëndësi ka që atë biznes, që në një moment të caktuar është në vështirësi, i jepet një mundësi nga shteti të vazhdojë jetën dhe të rikthehet”, shpjegon Isaraj.
Por, për të parandaluar abuzimet, ku një sërë biznesesh mund të falimentojnë qëllimisht duke fshehur të ardhurat, ligji parashikon një masë të fortë kontrolli.
“Është futja e prokurorit në sistemin e mbikëqyrjes së rehabilitimit financiar ose të falimentit. Në kuptimin e atyre shqetësimeve që kanë në lidhje me mashtrimin e firmave apo të shoqërive që hyjnë në faliment për t’u shpëtuar detyrimeve të tjera apo për të fshehur fitimet”, tha Isaraj.
Sipas zëvendësministrit, për herë të parë drafti parashikon edhe se si do të trajtohen individët borxhlinj në vështirësi financiare: “Është ndihma sociale për të gjetur burimet e të ardhurave dhe për të përmirësuar menaxhimin e shpenzimeve. Pikërisht, ajo që bën shteti dhe duhet të bëjë shteti është që këtyre shtresave që janë në këtë situatë t’u krijohet mundësia e atyre qirave financiare apo kredive të buta”.
Isaraj shtoi se, këto janë lehtësitë që shteti mund të japë për individët në vështirësi, e që nuk mund të zgjerohen më tej, pasi kjo do të kishte pasoja negative.
“Sigurisht, legjislacionet ndahen dhe shumica e legjislacioneve nuk shkojnë drejt atij modeli që shkarkon kreditë e marra për banesa. Kjo është fryma që do të ketë ligji ynë”, tha Isaraj.
Drafti i ri për falimentin është pjesë e marrëveshjes 3-vjeçare që Shqipëria ka me Bankën Botërore dhe hartimi i tij është asistuar nga krahu privat i kësaj banke, Korporata Financiare.