Politika

Ligji i ri për mediet, Ulqini: Rol rregullator, transparencë me portalet nga financimi e deri tek drejtuesit

“Ligji i ri për mediet synon të rregullojë një sektor të parregulluar më parë, që janë publikimet elektronike ose ndryshe portalet dhe në asnjë rast nuk cenon lirinë e shtypit”.

Kështu deklaroi sot deputeti i Partisë Socialiste, Musa Ulqini nga foltorja e Kuvendit.

Ulqini tha se “ky sektor është një sektor i parregulluar dhe ky sektor ndikon çdo ditë jetën tonë dhe kjo është arsyeja që ky projektligj merret vetëm me rregullimin e publikimeve elektronike ose që të flasim shumë thjeshtë për ata që na ndjekin, për të rregulluar portalet. Cila është procedura që është ndjekur për këtë ligj?Dua që ti them atyre që na ndjekin dhe flas këtu jo për komunitetin e gazetarëve sepse ata janë shumë të qartë por flas për qytetarët shqiptarë. Ky ligj qeveria e ka sjellë, e ka miratuar në dhjetorin e vitit të kaluar dhe sot është dhjetor 2019. Ka kaluar një vit dhe në qoftë se do të ishte e vërtetë ajo që thuhet pse po miratohet ky ligj nga ata që nuk e duan ligjin, ligji do të ishte miratuar që dhjetor, në janar, në shkurt por ka kaluar një vit për shkak se ndaj ligjeve që rregullojnë mediet kanë ligjshmëri shumë të madhe jo vetëm nga komuniteti i gazetarëve por mbi të gjitha nga ndërkombëtarët. Qeveria dhe parlamenti e ka respektuar këtë ligjshmëri. Është legjitime sepse Shqipëria është një demokraci e re dhe në demokracitë e reja, standardet edhe kur janë demokratike kërkojnë instrumente garantues dhe është meraku i ndërkombëtarëve dhe është një merak legjitim. Por, kjo është gatishmëria e qeverisë e cila deri në sekondat e fundit kanë qenë të gatshëm të kryejë rregullimet të cilat kanë ardhur nga të gjitha drejtimet por kryesisht po flasim për ndërkombëtarët në mënyrë që jo vetëm standardet të jenë demokratike siç janë por edhe instrumentat të jenë të tillë që ligji të mos krijojë që të mos ketë probleme dhe mos keqpërdoret nga askush dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme”.

Më tej, deputeti informoi se për këtë ligj janë ftuar të gjithë grupet e interesit dhe janë reflektuar të gjitha direktivat e ndërkombëtarëve.

“I kemi ftuar të gjithë, jo thjesht respekti i procedurës parlamentare por respekti i një gjëje më të madhe. Në respekt të kësaj që thashë, të ndjeshmërisë që kanë qytetarët, komuniteti ndërkombëtar i gjithë për projektin që rregullon mediet. I kemi ftuar të gjithë, i kemi ftuar të gjithë përfaqësuesit e shtypit, përfaqësuesit e medieve, përfaqësuesit portaleve, grupeve të interesit, përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, të gjithë ndërkombëtarët dhe kemi kërkuar me shkrim që ta monitorojnë deri në momentin e fundit. Kemi ftuar akademikët, drejtuesit e departamentit të gazetarisë, kemi bërë procesin më të gjerë më të hapur dhe kemi bërë seanca dëgjimore. Kemi dëgjuar në komision fjali që nuk kanë lidhje as me pedagogët, as me të ftuarit, as me gazetarët, as me qytetarët. E kemi bërë në respekt sepse përfaqësojmë vullnetin e zgjedhësve dhe kemi bërë gjënë më të mirë”.

Ulqini tha po ashtu se ky ligj ka disa risi që nis me transparencën e portaleve e deri tek financimi i tyre.

“Ky ligj ka disa risi. Për herë të parë në Shqipëri, ky projekt bën një gjë shumë të madhe rregullon transparencën në këtë sektor dhe kjo është një gjë e jashtëzakonshme. Sepse një pjesë shumë e madhe e portaleve, askush nuk e di se nga i prodhojnë dhe ku i kanë selitë, kush janë pronarët, kush i financon. I financon politika, biznesi për të bërë luftë të pandershme kundër bizneseve të tjera, i financojnë terroristët, mafia, droga, grupe jashtë Shqipërisë që duan që të kenë destabilitet në Shqipëri?! Kush le të më thotë sot se nga 800 portale që janë në Shqipëri, 70% e tyre nuk dinë se nga janë dhe kush janë pronarët dhe ligji nuk i detyron që të shkojnë të regjistrohen. E kemi hequr atë kërkesë sepse dukej sikur qeveria po shkelte standarde, norma. Jo, kemi bërë një gjë shumë të mirë. Të gjithë janë të detyruar që kur ka një portal , në faqet e tyre të publikojnë kush janë, ku janë, çfarë përfaqësojnë etj etj. dhe ky është një thelb shumë i rëndësishëm i këtij projekti. E dyta, kjo transparencë ka edhe një të mirë të madhe tjetër sepse na jep mundësi të gjithë neve që të shikojmë kundër monopolit të mediave. Ky projektligj e heq punën në të zezë. Ky projekligj garanton të drejtat e fëmijëve dhe është një standard i BE-së, është direktivë e BE-së. Mbron të miturit nga mënyra sesi informohen në portale pa emër pa adresë dhe anonim. Ky projekt shmang gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimit, një standard i BE-së. Ky projekt kërkon që portalet të respektojnë të drejtën e autorit, një standard i BE-së”, -përfundoi Ulqini nga foltorja e parlamentit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button