Ekonomia

Ligji: Legalizimi i “fshatrave turistikë” përfitojnë 15 mijë vetë

Kalohet edhe pronësia mbi trojet e përbashkëta, si pishina e lulishte

golem_1

Legalizohen “fshatrat turistikë”, përfitojnë pronësinë mbi objektet dhe truallin 15 mijë vetë. Dje, në Kuvend, me 65 vota pro dhe 22 kundër, u miratua ligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin ‘Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin’”.

Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, tha se ky projektligj do të çlirojë zonat turistike nga ngërçi ligjor dhe do të mbyllë kapitullin e shëmtuar të zhvillimit informal dhe kaotik. “Përmes këtij projektligji gjendet një zgjidhje për të realizuar kalimin e truallit subjekteve të interesuar. Ndryshime ligjore që qeveria ka miratuar rregullojnë midis personit që ka fituar titullin si person i stimuluar dhe organeve qeveritare problematikën e krijuar që nga viti 1993. Në këtë projektligj janë identifikuar të gjithë individët të cilët janë përfshirë në këtë kategori”, tha Gjermeni. Relatorja e këtij projektligji, Esmeralda Shkjau, u shpreh se propozimet janë në përputhje me Kushtetutën dhe aktet e tjera ligjore. Ndërsa opozita u shpreh kundër ndryshimeve në ligjin e vitit 2009. Në emër të grupit të PD-së, deputeti Gjergji Papa shprehu qëndrimin kundër këtij projektligji duke shprehur rezerva në lidhje me propozimet.

Kush përfiton

“Ky ligj zbatohet për kalimin e së drejtës së pronësisë subjekteve të interesuara apo personave të stimuluar mbi njësitë e ndërtuara dhe truallin brenda zonës së stimuluar, si dhe për veprimtaritë joturistike në zonë me përparësi turizmin”, ky është përcaktimi ligjor për ata që përfitojnë pronësinë në zonat me ndërtime të quajtura “fshatra turistikë”. Sipas raportimit të drejtorit të ALUIZNI-t, Artan Lame, gjatë diskutimit parlamentar, rezultojnë se janë 52 fshatra turistikë me 6 mijë deri 8 mijë njësi banimi me marrëveshje qiraje, që kanë aplikuar deri tani për legalizim. Por sipas tij, kjo shifër nuk është e saktë. Janë disa fshatra të tjerë që nuk aplikuar ende, por edhe për ata që kanë aplikuar, nuk është bërë rilevimi në terren, që të nxirret madhësia e saktë dhe numri saktë i tyre. Gjithsesi, sipas Lames, në vija të përgjithshme flitet për rreth 6-8 mijë familje që kanë blerë apartamente në këta fshatra turistikë të ndërtuar. Kategoria tjetër janë fshatrat turistikë pa marrëveshje qiraje. Kjo është kategoria që ka marrë lejen e ndërtimit, por kanë shkuar në ministri për të vazhduar procedurën për të lidhur marrëveshjen, sepse për një arsye ose për një tjetër nuk u është lidhur kontrata. Këta fshatra janë sot pa marrëveshje qiraje. Deri tani rezultojnë 63 fshatra të tilla me 3 mijë – 4 mijë njësi banimi. Pra, mund të jenë rreth 100 fshatra turistikë në momentin kur do të vijë aplikimi. Kjo kategori nuk përfshihej fare në ligjin ekzistues, pra është një kategori që shtohet tani, sepse ndoshta për shkak të nxitimit në vitin 2009 nuk ishte e përfshirë në ligj. Kategoria tjetër janë veprimtaritë joturistike në zonën turistike, që nuk përfitonin as truall, as incentivat doganore shtetërore, por janë të ndërtuara në zonën turistike dhe kishin një marrëveshje paraprake me ministrinë. Të tilla janë paraqitur 10 deri tani, por duhet të jenë rreth 40 me rreth 1 mijë apartamente. Sipas Lames, rezulton një rast i përplasjes më AKKP-në. Pra, në zonën ku janë dhënë fshatrat turistikë, njëkohësisht ka vepruar edhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ky veprim nga pikëpamja juridike ka qenë i palejueshëm, sepse në zonën turistike nuk lejohet të veprojë Komisioni i Kthimit të Pronave. Në këtë rast kemi vetëm një vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave, i cili prek gjashtë subjekte, sepse njolla që i është vënë prek njëkohësisht 6 fshatra turistikë, jo plotësisht, por pjesë të tyre. Kjo do të thotë se prek edhe 130 banesa nga këto 6 subjekte. Për këtë arsye është vendosur një nen më vete për mënyrën si do të trajtohet edhe kjo kategori. Nëse i mbledhim bashkë të gjitha këto, bëhen rreth 12-15 mijë subjekte, familje që kanë blerë njësi banimi, prona në zonën turistike, të cilat aktualisht janë të gjitha në regjimin juridik të pazgjidhur, që përfitojnë nga ky ligj. Një pjesë e tyre, rreth 2-3  mijë i kanë mbaruar procedurat. Pra, e kanë bërë procedurën e blerjes së truallit. Pjesa tjetër ishte në pritje pikërisht për vijimin e punës së ligjit me ndryshimet përkatëse dhe për t’u përfshirë në ligj.

Procedura

Personat që përfitojnë e nisin procedurën e legalizimit me dorëzimin e dokumenteve në zyrat e ALUIZNI-t. Ato janë: marrëveshja e qirasë apo e zhvillimit e lidhur ndërmjet personit të

stimuluar dhe qiradhënësit, nëse është lidhur një marrëveshje e tillë; leja e ndërtimit apo lejen e sheshit të ndërtimit; projekti arkitektonik i miratuar; vërtetimi nga Agjencia e Trajtimit të Kredive për detyrimet e marrëveshjes së qirasë, të

llogaritura deri në momentin e zgjidhjes së marrëveshjeve. Brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, qeveria duhet të nxjerrë kontratën tip të kalimit të pronësisë. Nëse marrëveshja e qirasë ose e zhvillimit është e lidhur me personin e stimuluar në truall shtetëror (data e lidhjes së marrëveshjes është përpara datës së kthimit dhe kompensimit fizik nga AKKP-ja) dhe pas verifikimit nga hipoteka (ZRPP) ky truall shtetëror ka ndryshuar statusin juridik duke iu kthyer personave të tretë, ALUIZNI përfundon procesin duke bërë kalimin e pronësisë së truallit në favor të subjektit të interesuar apo personit të stimuluar. Gjithashtu, Këshilli i Ministrave miraton procedurat e kompensimit

financiar të personave të cilët preken nga ky proces. Në përfundim të procesit të regjistrimit fillestar të pasurisë truall dhe njësi e ndërtuar, për truallin që mbetet i lirë brenda kufirit të miratuar nga plani i rilevimit (i tillë si sheshe, troje funksionale, pishina, sipërfaqe të gjelbëruara etj.), ALUIZNI-t i lind e drejta t’u kalojë në bashkëpronësi të detyrueshme, të patjetërsueshme në favor të të gjitha subjekteve të interesuara dhe personit të stimuluar, në përputhje me kuotën e pjesëmarrjes në bashkëpronësi. Nëse bashkëpronarët nuk janë të interesuar, pra nuk bëjnë kërkesë, e drejta e blerjes i takon subjektit ndërtues. Rrugët brenda zonës së stimuluar do të kalojnë me titull pronësie “rrugë shtetërore”. Ndërkaq, personat e stimuluar që kanë ndërtuar fshatra turistikë dhe kanë ruajtur destinacionin turistik mund ta blejnë nga shteti të gjithë truallin.

Çmimi

Sipas ndryshimeve të miratuara në ligj, çmimi i truallit brenda zonës së stimuluar përcaktohet në bazë të hartës së vlerës së tokës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Mospagimi i çmimit nga subjekti i interesuar ose personi i stimuluar brenda 6 muajve nga njoftimi me shkrim, sjell penalitete në masën 10 për qind të çmimit total të truallit për çdo muaj vonesë, me kusht që masa e penalitetit të mos kalojë çmimin total të truallit. Por ka edhe favorizim për ata që paguajnë menjëherë. Kështu, çmimi i truallit reduktohet në masën 10%, nëse paguhet brenda 1 muaji nga njoftimi me shkrim. Nëse personi i stimuluar ka kryer shtesa mbi lejen e ndërtimit, do të ketë penalitete sipas ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.

Kontrata

Modeli tip i kontratës së shitjes miratohet me urdhër nga ministri brenda 60 ditëve

çmimi

Çmimi i truallit reduktohet 10%, nëse përfituesi paguan brenda 1 muaji nga njoftimi

Vonesa

Pas 6 muajve paguhet penalitet 10% e çmimit total të truallit për çdo muaj vonesë

Trualli

Kur nuk kërkohet kalimi në bashkëpronësi i truallit të lirë, mbetet në pronësi të shtetit.

Pronarët

Ish-pronarët kompensohen sipas procedurave të parashikuara në ligjin për legalizimin

Të ardhurat

Paratë e mbledhura nga kalimi i së drejtës së pronësisë së truallit ndahen: 80% të vlerës në buxhetin e shtetit për fondin e kompensimit financiar të pronarëve; 20% të vlerës për llogari të ALUIZNI-t.

Zamir Alushi

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button