Ligji “Për Policinë e Shtetit”, ngrihet Byroja Kombëtare e Hetimit
Ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit(BKH), që synon t’i japë një standard të ri luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, konsiderohet një ndër risitë kryesore të projektligjit “Për Policinë e Shtetit”, i prezantuar të martën në komisionin e Sigurisë nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Një kapitull i veçantë i këtij pr/ligji i kushtohet organizimit dhe funksionimit të BKH-së, qe parashikohet të jetë një strukturë e veçantë e Policisë së Shtetit, që kryen veprimtari gjurmuese dhe hetimore, në përputhje me legjislacionin penal dhe procedurial penale, për veprat penale në fushën e korrupsionit dhe veprimtarinë kriminale të lidhur me të.
Sipas relacionit shoqërues të p/ligjit, BKH ushtron kompetencat në gjithë territorin e vendit dhe për veprimtarinë gjurmuese përgjigjet para drejtorit të Policisë së Shtetit, ndërsa për veprimtarinë hetimore procedurale përgjigjet edhe para prokurorit. Organizimi dhe funksionimi i BKH-së përcaktohet me urdhër të ministrit. Synohet që krijimi i BKH-së të jetë një hap i rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit, për të luftuar me tolerancë zero, sidomos korrupsionin elitar.
Neni 21 i ligjit të ri parashikon ndër të tjera ngritjen e strukturës për ruajtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë, e ngjashme me Gardën e Republikës. Kjo strukturë, në përbërje të Policisë së Shtetit, krijohet dhe funksionon për ruajtjen dhe mbrojtjen e personaliteteve të larta shtetërore; për ruajtjen e ambienteve të punës, banimit e qëndrimit të personaliteteve të larta shtetërore dhe ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë. Ky nen i ligjit të ri u kundërshtua nga deputetët e mazhorancës sipas të cilëve Garda e Republikës duhet të jetë një strukturë më vete dhe jo brenda Policisë së Shtetit.
Ligji i ri sanksionon parime të rëndësishme, ku mbi të gjitha spikat funksionimi demokratik i Policisë së Shtetit. Krahas kësaj veçohet parimi i policimit në mënyrë transparente dhe llogaridhënëse para qytetarëve, si dhe krijimi i një marrëdhënie bashkëpunimi mes tyre.
Një moment me rëndësi në ligj është sanksionimi i karrierës, e cila do të ndihmojë në forcimin e kapaciteteve njerëzore, bazuar mbi profesionalizmin e atyre që duan të bëjnë karrierë. Ligji po ashtu sanksionon mundësinë për të kontrolluar performancën e punonjësve të policisë, e cila nuk është e dhënë njëherë e përgjithmonë, pasi detyra në polici mbi të gjitha nënkupton shpirt misionari dhe detyrimin për t’iu përgjigjur përmbushjes së detyrës ndaj qytetarëve.
Po ashtu, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri çdo shkelje, si ndërtimet pa leje, krimet kundër mjedisit, etj, do të trajtohen si gjithë krimet e tjera dhe shkelësit do të vendosen para përgjegjësisë penale.
Ligji i ri garanton dhe distancën që duhet të ketë Policia e Shtetit nga vendimmarrja politike. Në draft sanksinohet qartë depolitizimi përfundimtar i policisë, por dhe i Ministrisë së Brendshme dhe ekipit politik në drejtimin e saj.
Pas prezantimit të draftit nga ministri Tahiri, deputeti i LSI-së, Luan Rama, shprehu shqetësim lidhur me mungesën e specialistëve me kurrikula moderne në radhët e Policisë. Sipas tij, sot në radhët e policisë shqiptare shumë efektivë të saj janë pa shkollë të lartë policie. “Në më pak se dhjetë vjet kjo strukturë është shkatërruar, por si do të mbërrihet tek këta specialistë të lartë me kurrikula moderne, ku do të mund të formohen ata”, pyeti Rama.
Edhe për çështjen e gradave në polici, deputeti i LSI-së kërkoi një diferencim të qartë të tyre, pasi gradimi, tha ai, nis direkt me gradën ‘inspektor’. “Ka nevojë për një qëndrim parimor lidhur me strukturën e gradave në polici. Por, në pr/ligj ka dhe shumë çështje të tjera që lënë shteg për debate, ndaj do t’i kërkoja kryetarit të komisionit kohën e nevojshme për të bërë një diskutim serioz, racional dhe produktiv që të mos e miratojmë ligjin brenda pak javësh, pasi është tepër i rëndësishëm dhe thememor për Policinë e Shtetit dhe kërkon seriozitet maksimal”, u shpreh deputeti Luan Rama.