Ligjvënës amerikanë nga të dyja partitë e quajnë kapitullim ndaj Putinit heqjen e sanksioneve nga Trump

Ligjvënës nga të dyja partitë në Shtetet e Bashkuara e kritikuan ashpër të shtunën urdhrin e presidentit Donald Trump që pezulloi sanksionet ndaj Rusisë, duke e quajtur atë një kapitullim ndaj presidentit rus Vladimir Putin, siç njofton New York Post.
“Është e pakonceptueshme që kjo administratë po i kapitullon një diktatori rus që pushtoi paligjshmërisht Ukrainën dhe masakron civilë të pafajshëm çdo ditë”, shkroi në X senatori republikan Thom Tillis nga Karolina e Veriut, i cili po tërhiqet nga Senati, duke e quajtur vendimin “përtej të papërgjegjshmes”. “Cilën pjesë të zbatimit të një ligji të miratuar me 86 vota kundër 11 në Senat nuk e kuptojnë presidenti dhe këshilltarët e tij?”, shtoi ai.
Edhe senatori republikan John Cornyn nga Teksasi postoi të shtunën në X se senatori i ndjerë Lindsey Graham, me emrin e të cilit është pagëzuar ligji i sanksioneve, “do të tmerrohej” nga urdhri që e përjashton Rusinë nga ligji, dhe ndau titullin e një shkrimi të ish-prokurorit Andrew McCarthy: “Kongresi duhet të hetojë ndihmën dhe mbështetjen e Trump-it për Putinin”. Deputeti republikan Mike Lawler nga Nju Jorku i tha të shtunën Fox News se ulja e çmimeve të karburantit është e rëndësishme, por “jo me koston e futjes së parave në xhepin e Vladimir Putinit, që ai të vazhdojë këtë luftë të paligjshme në Ukrainë”.
Deputeti demokrat Don Beyer nga Virxhinia e quajti vendimin një “kapitullim” ndaj Putinit, i cili “tradhton partnerët tanë ukrainas dhe sfidon qëllimin e qartë të Kongresit për ta ndëshkuar Rusinë për luftën e saj të paligjshme të agresionit”. Senatori demokrat Richard Blumenthal nga Kënektikati, bashkautor i ligjit Graham, tha me zemërim se heqjet e sanksioneve “nuk kanë të bëjnë aspak me sigurinë kombëtare” dhe e akuzoi presidentin se po i serviloset Vladimir Putinit.
Trump e nënshkroi të premten në mbrëmje urdhrin ekzekutiv që pezullon sanksionet e Aktit Graham për sanksionimin e Rusisë dhe Iranit, duke certifikuar se heqja është në interesin kombëtar të SHBA-së, vetëm pak ditë para se masat të hynin në fuqi; dispozitat e pezulluara parashikonin tarifa deri në 100% mbi importuesit më të mëdhenj të naftës dhe gazit rus. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e kritikoi të shtunën vendimin, duke thënë se bllokimi i sanksioneve vetëm sa e inkurajon Putinin të vazhdojë sulmet ndaj Ukrainës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.