Kosova

Lista Serbe vendos brenda dy ditëve për rikthim ose jo në institucionet kosovare

Lista Serbe në dy ditët e ardhshme do ta bëjë të ditur vendimin nëse do të kthehen ose jo në institucionet e Kosovës. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviç, i cili tha se shkak i këtij bojkotimi është shkarkimi i tij nga ministri për Komunitete dhe Kthim, pasi i quajti egërsira nënat gjakovare. Megjithëse, ai këmbëngul se nuk i ka fyer nënat gjakovare as popullin shqiptarë, por disa njerëz që kanë gjuajtur serbët me gurë.lista-srpska

Në një debat në qendrën mediave në Çagllavicë me temën “Veriu i Kosovës pas Marrëveshjes së Brukselit”, Jabllanoviç ka folur për ndikimin e kësaj marrëveshje në jetën e qytetarëve të asaj pjese, shuarjen e strukturave të mbrojtjes civile dhe heqjen e barrikadave.

Ish ministri për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviç tha se arsyeja përse Lista Serbe i ka braktisur institucionet e Kosovës është se ai është shkarkuar pa marrëveshje me ta si partner koalicioni. Madje, ai shtoi se për këtë ndërrim nuk kanë dashur të pajtohen, sepse as ai, as Lista Serbe nuk kanë bërë asgjë të keqe dhe në asnjë moment nuk e kanë shkelur kodeksin e sjelljeve të anëtarëve të Qeverisë.

“Ajo që shkrimet në media kanë qenë të tilla dhe të paramenduar në mënyrë tendencioze që serbet t’i paraqesin se kanë ardhur në institucionet e Kosovës në mënyrë që të përhapin urrejtje mes shqiptarëve dhe serbëve dhe kanë vënë fryt në fund. Dhe ky fryt konsistoj me dhunën që Prishtina ka pësuar demolim me dy raste. Kryeministri ka lëshuar pe para këtyre akteve të opozitës dhe kam deklaruar se ka qenë gabim dhe nuk është dashur t’i lëshohet pe opozitës kësisoj. Sepse po të kisha bërë diçka keq vet do të largohesha nga kjo pozitë. Kjo është arsyeja që Lista për një periudhë nuk ka marr pjesë në Qeveri. Sa i përket pjesëmarrjes sonë në të ardhmen, ne kemi pasur diskutime, një përparim ka por, por nuk kam ardhur këtu të flas për bisedimet tona për kthimin, por për këtë zyrtarisht nëse ka nevojë do ta publikojmë vendimin e fundit nëse do të kthehemi ose jo dhe shpresoj që kjo për një ose dy do të ndodh”, tha Jabllanoviç.

Ai theksoi se tashmë ka marr dokumentin për shkarkimin e tij, pasi ka shkuar në shërbimin kompetent të ministrisë.

Por, Jabllanoviç ka këmbëngulur se nuk ka fyer nënat gjakovare, madje nuk ka përmendur as shqiptarët, por vetëm ka dënuar disa njerëz që kanë gjuajtur me gurë në drejtim të serbëve.

“E para, sa i përket fyerjes që gjoja unë kam bërë, unë kurrfarë fyerje nuk kam bërë. Kam dhënë një deklarata ku kam gjykuar sulmin e disa njerëzve në njerëzit serb që kanë ardhur në Gjakovë. Ka dëshmi, video, në asnjë moment se kam thënë as se kam përmendur as popullin shqiptarë as gjakovar por njerëzit që kanë gjuajtur gur mbi serbët”, theksoi ai.

Ndërsa, duke folur për marrëveshjen e Brukselit dhe ndikimin e saj në përmirësimin e raporteve të qytetarëve në atë pjesë, Jabllanoviq tha se nuk është bërë sa duhet për integrimin e njerëzve të asaj pjese në mënyrë që Prishtina të kuptoi se cilat janë nevojat e atyre njerëzve atje.

I pyetur për shuarjen e mbrojtjes civile, Jabllanoviq tha se ajo është organizatë e tipit paqësor por jo strukturë paralele.

“Keni kujdes mbrojtja civile fillimisht nuk është strukturë paralele, por është një organizatë e rregulluar e tipit paqësor që ka të bëjë me shuarjen e zjarrit, pastrimin e rrugëve gjatë dimrit, parandalimin e pasojave nga vërshimet. Mbrojtjen civile e kanë formuar strukturat themelore civile nga veriu dhe këto struktura do ta paraqesin mendimin e tyre. Unë nuk jam këtu për të komentuar deklaratat e zonjës Edita Tahiri. Dhe nëse do ta bëja, janë disa deklarata që do t’i komentoja dhe janë provokuese”, u shpreh ai.

Derisa, nuk ka treguar se kur do të hiqet barrikada mbi lumin Iber, për të cilën Jabllanovic tha se është vendosur nga qytetarët në një moment kur janë ndier të rrezikuar nga një aksion i Policisë së Kosovës e cila kishte marr për të shkuar në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje.

Jabllanoviq i pyetur për ndalimin e shqiptarëve për ndërtimin e shtëpive në pjesën veriore, tha se nuk po pengohen ata që kanë jetuar atje me dekada por ata që po duan të shkojnë pa jetuar asnjëherë në atë pjesë. Derisa ka përmendur komunën nga vjen ai Leposaviqi, i cili ka tri fshatra me banorë jo serbë dhe jetojnë 247 shqiptarë të Kosovës, madje edhe nënkryetarin e kanë emëruar shqiptarë.

Ndërsa, deputeti i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Slavko Simiç duke folur për lëvizjen e lirë, tha se ai lëvizë lirshëm në Prishtinë, por do të punoi që edhe të tjerët të lëvizin lirshëm në veriun e Mitrovicës.

“Normalisht që lëvizi lirshëm në Prishtinë dhe mendoj që kjo është pyetje jo korrekte të më krahasoni mua me ndonjë tjetër që për arsye të ndryshme nuk mund të lëvizin në veri të Mitrovicës. Unë do ta jap shembullin se në Komisionin për Kthime dhe komunitete kemi bërë një plan që deputetet që janë në këtë komision shqiptarët dhe tjerët unë i kam ftuar të vijnë në veri dhe së bashku t’i vizitojmë fshatrat shqiptare dhe boshnjake, dhe unë gjithmonë do të jap kontribut që njerëzit të lëvizin lirë edhe në veri edhe në jug”, tha Simiç.

Naim Rashiti nga Grupi Ndërkombëtarë i Krizave duke folur për dialogun dhe marrëveshjen e Brukselit, tha se marrëveshja ka të bëjë me tri gjëra, integrimi i serbëve në institucione të Kosovës, eliminimi i strukturave të Serbisë nga Kosova dhe eliminimi i ndihmës, asistencës apo veprimeve të Serbisë në raport me Kosovën.

“Shumë njerëz nga veriu janë të pakënaqur nga kjo marrëveshje. Për vite që punoj atje të gjithë janë shprehur se po të kishin negociuar vet do të bënin një marrëveshje me të mirë me Prishtinën. Por ata vazhdojnë të jenë jo aktiv në komunikimin me Prishtinën dhe në një far forme e humbin pozicionin e vet në raport me negociatat. Çështja e dytë që është shumë e rëndësishme për qytetaret serb, është që kjo situatë që ka mbretëruar për 15 vjet, ka qenë e instrumentalizuar politikisht”, tha Rashiti.

Edhe Nenad Maksimoviç nga Qendra për Orientimin e Shoqërisë nga veriu i Mitrovicës tha se procesi i dialogut nuk ka kontribuuar në avancimin e raporteve mes serbëve dhe shqiptarëve.

“Me gjuhen e diplomacisë do të mund ta quanim këtë proces politik si një proces politik që është zhvilluar në rendin e parë, që është grabitur nga qytetarët dhe faktorët shoqëror. Pra i tërë procesi nuk është zhvilluar në nivel të dytë dhe të tretë të faktorëve shoqëror, në nivel të komunikimit të komuniteteve dhe vetvetiu ky proces nuk ka kontribuar në avancimin e raporteve mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë ku ende ka një distancë të papranueshme etnike”, theksoi ai.

Panelistët thanë se serbët e veriut duhet të kenë me shumë kontakte me Qeverinë e Prishtinës. /kosovapress/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button