Lituania dëshiron të blejë tanke gjermane
Shtetet Baltike janë të frikësuara nga Rusia për shkak të luftës në Ukrainë. Lituania dëshiron të blejë tanke me rrota të tipit Boxer. Ky vend sinjalizon interesin e tij edhe për armë të tjera.
Në lidhje me diskutimin për tanket me rrota Ministria e Mbrojtjes në Berlin njoftoi se Lituania kishte shprehur gjithashtu interes për Panzerhaubitze 2000. Por për këtë nuk ka ende asnjë kërkesë zyrtare, tha një zëdhënës i ministrisë. “Nëse ne mund të japim diçka, atëherë do ta bëjmë natyrisht”, tha zëdhënësi. Përndryshe Lituania duhet të kërkojë blerjen e të rejave. “Në këtë moment jeni duke hetuar pozicionet. Çfarë do të ishte e mundur dhe ku ne mund të ndihmojmë”, tha zëdhënësi. “Qeveria federale do të bëjë natyrisht gjithçka për të ndihmuar Lituaninë si aleatë të NATO-s”.
Qeveria gjermane kundërshton akuzën, se i refuzon një vendi partner të NATO-s furnizimin me armatime për t’u mbrojtur nga sulmet ruse. “Ky tenor është i gabuar”, tha zëdhënësi i Ministrisë. Gjermania i kushton përmirësimit dhe zhvillimit të forcave të armatosura të partnerëve të saj një rëndësi të veçantë, deklaroi edhe zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert. Prandja mbështetja e të gjithë partnerëve të NATO-s është e vetëkuptueshme.
Marrëveshje mes qeverive?
Shkaktar i këtij debati ishte një raport në media, sipas të cilit Gjermania kishte refuzuar një kërkesë të Lituanisë për furnizimin me tanke të tipit Boxer. Gazeta “Welt am Sonntag” kishte njoftuar se ish-republika sovjetike i kishte propozuar Ministrisë së Mbrojtjes një të ashtuquajtur biznes “Government to Government”. Duke dashur të shmangë një procedurë të zgjatur të eksportit të armëve.”Boxer” ndërtohet nga kompanitë gjermane të armëve Rheinmetall und Krauss-Maffei Wegmann (KMW).
Lituania kishte shprehur interes për blerjen e deri në 100 tankeve me rrota, jo për dorëzimin e automjeteve ushtarake nga ana e ushtrisë gjermane, sqaroi të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes. Një kërkesë zyrtare nuk ka mbërritur. “Ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka për të mbështetur Lituaninë në këtë blerje të mundshme.”
Lituania ka nevojë për tanket në periudhën 2017-2020, tha zëdhënësi. Por Bundeswehri nuk mund t’i japë asnjë tank Lituanisë, pasi nuk ka mjaft vetë dhe ato që ka në dispozicion i qarkullon ndërmjet njësive të tij.
Versioni i ambasadorit
Disi ndryshe shihet çështja nga perspektiva lituaneze. Ambasadori lituanez në Berlin, Deividas Matulionis, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se vendi i tij nuk i kishte bërë asnjë kërkesë qeverisë gjermane për furnizimin e automjetin e blinduar të transportit. “Ky duhet të jetë një keqkuptim”, tha Matulonis. “Nuk është një tender të qeverisë së Lituanisë për blerjen e më shumë se 100 tankeve të tillë, ku merr pjesë edhe një kompani gjermane. Vendimi merret në fund të marsit”, tha diplomati. Ai tah se është çuditur shumë nga këto njoftime. Ndoshta ka pasur diskutime joformale, por jo kërkesa.
Bundeswehr-i ka porositur gjithsej 272 Boxer, nga të cilat rreth 200 i janë dorëzuar deri më tani trupës. Përveç kësaj Ministria e Mbrojtjes dëshiron të blejë edhe 131 Boxer të tjerë. Madje edhe atëherë, gjashtë batalionet e blinduara gjermane do të pajiseshim vetëm 75 për qind me këto tanke, tha zëdhënësi i ministrisë.
Forca Ajrore gjermane jep ndihmesë
Gjermania ndjek një politikë restriktive në eksportin e armëve. Megjithatë eksportet e pajisjeve ushtarake në vendet e BE-së apo të NATO-s konsiderohen jo kritike dhe miratohen zakonisht. Forca Ajrore gjermane mbështet ndërkohë shtetet balltike në monitorimin e hapësirës së saj ajrore, meqë ata nuk kanë avionë luftarakë. Aeroplanë luftarakë rusë dhe bombardues u afrohen muajt e fundit vazhdimisht edhe në Baltik kufinjve të vendeve të NATO-s. në Perëndim kjo është konsideruar shpesh si një gjest ushtarak kërcënues.