Ekonomia

Paketa fiskale, të gjitha ndryshimet e vitit 2017

Paketa e re Fiskale për vitin që po vjen e që po diskutohet paralelisht me Buxhetin në komisionet kuvendore, sjell ndryshime të vogla duke u konsideruar si ndërhyrje “modeste” në ligj. Megjithë insistimin e sipërmarrjes për lehtësimin e taksave, propozimet e tyre nuk shihen të reflektuara në këtë paketë. Por cilat janë ndryshimet kryesore të kësaj pakete?

Hiqen tarifat doganore për fasonët

Qeveria ka vendosur që të stimulojë biznesin fason duke bërë 0 të gjitha tarifat doganore që ata paguajnë për lëndët e para. Kjo ka qenë një kërkesë e hershme e këtij sektori, të cilët shpreheshin se këto kosto rëndonin mbi ta dhe bënin që të ishin jo konkurrues me rajonin. “Reduktimi i këtyre tarifave do të krijonte një klimë më të favorshme për këtë industri, duke rritur eksportin dhe konkurrueshmërinë në tregjet ndërkombëtare”, sqarohet në relacionin shoqërues të ligjit Ministria e Financave. Tarifa doganore për lëndët e para të fasonëve ishte në vlerën 2%, 6%, 10% dhe 15% të produktit. Fatura që i rëndon buxhetit të shtetit për këtë nisëm shkon në 41 milion lekë ose 400 mijë dollarë. Industria që punon me material porositës vijon të insistojë në uljen e tatimit mbi fitimin nga 15% në nivelin 10% që ishte më parë. Përveç tarifave doganore për materialet e para me të cilët punojnë fasonët, qeveria ka marrë një nisëm për të zeruar edhe tarifën e produktit të koksit dhe gjysëmkoksit nga qymyrguri. Kjo tarifë më parë ishte 2% e vlerës së deklaruar në import. “Qymyri për koksifikim është një nga lëndët djegëse që përdoret për procese teknologjike në furra pasurimi mineralesh etj. Ulja e tarifës për këtë produkt do të favorizonte industrinë prodhuese e përpunuese në vend, duke ulur ndjeshëm kostot dhe duke nxitur prodhimin në vend dhe gjithashtu eksportin në tregun ndërkombëtar. Duhet theksuar që kjo tarifë është 0% nëse importohet nga vendet EU, CEFTA, EFTA”, sqarojnë financat. Efekti në buxhet për këtë eliminim është 35 mijë dollarë.

Renta minerare

Ndryshimet më të mëdha këtë herë në paketën fiskale do t’i marrë sektori i rentës minerare. Shumë lëndë të para që nxirren nga nëntoka shqiptare dhe eksportohen jashtë do të paguajnë përqindje më të ulët të rentës. Renta paguhet si përqindje në bazë të vlerës me të cilët eksportuesit deklarojnë shitjen e mallit jashtë. “Këto propozime vijnë nga Shoqata e Minierave të Shqipërisë dhe konsistojnë në uljen e nivelit të rentës minerare për mineralin metalor të shitur për përpunim brenda vendit, konkretisht, në aplikimin e një përqindjeje rente të reduktuar për mineralin që shitet për tu përpunuar brenda vendit, duke e vlerësuar uljen e rentës për mineralin për përpunim brenda vendit si një hap për nxitjen e investimeve në industrinë e përpunimit minerar, për zhvillimin e sektorit të industrisë minerare të përpunimit dhe në interes të drejtpërdrejtë edhe të shtresave të punëtorëve apo minatorëve të punësuar në këtë industri.  Mbështetja e industrisë minerare dhe aplikimi i lehtësirave fiskale nga qeveria është një stimul shumë i rëndësishëm për zhvillimin e industrisë në vend, duke ditur që kjo lloj industrie ofron punësim për një numër të madh punonjësish dhe kontribuon shumë në ekonominë e vendit”, thuhet në propozimin e qeverisë. Sektori minerar përjetoi një periudhë të vështirë në dy vitet e fundit. Rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare solli ulje të eksporteve të këtij malli dhe po ashtu çoi në mbylljen e disa minierave në vend. Për këtë arsye ministria e energjisë i ka kërkuar që në muajin qershor asaj të financave rishikimin e nivelit të rentës minerare.

 Akciza e gazit të lëngshëm

Këshilli i Ministrave ka miratuar ligjin për akcizat, i cili zyrtarizon qëndrimin e qeverisë për të rritur akcizën për gazin e lëngshëm për furnizimin e automjeteve. Nga 0 lekë për litër, akciza për këtë lëndë shkon në 13 lekë për litër. Kjo pritet të sjellë edhe një rritje të çmimit të gazit me të cilën furnizohen automjetet nga 60 lek/litër që është sot në 75 lekë/ litër nëse llogaritet edhe tatimi mbi vlerën e shtuar. Në relacionin e depozituar në kuvend, Ministria e Financave e shpjegon vendosjen për herë të parë të akcizës për gazin me përafrimin e legjislacionit me direktivat e Bashkimit Europian. “Gazi i lëngët është objekt taksimi në të gjitha vendet si produkt energjetik. Diferencimi i këtij produkti në raport me nënproduktet e tjera të naftës bie ndesh me politikat e përafrimit gradual me nivelin e detyrueshëm minimal të taksimit që aplikohet në BE”, thuhet në relacion. Si rezultat i tatimit të afro 100 mijë ton gaz që përdoret në vit për automjet buxheti i shtetit do të përfitojë 5.4 milion dollarë nga akciza dhe 1.07 milion dollarë nga TVSH-ja e kostos së rritur të këtij produkti.

Akciza e duhanit

Ashtu edhe siç e kishte paralajmëruar qeveria është tërhequr nga nisma për të vazhduar rritjen e akcizës së duhanit. Në draftin e ri të paketës fiskale është vendosur që niveli i akcizës për këtë mall të qëndrojë 110 lekë për paketë (ose 5.5 lekë/copë). Nisma për të mos vijuar rritjen e mëtejshme të akcizës është pranuar edhe nga Ministria e Financave se bëhet për shkak të abuzimit që kanë bërë kompanitë e shumicës me çmimin dhe evazion fiskal. Në prag të rritjes së akcizës dhe ndërrimit të vitit fiskal, grosistët që importojnë cigare rritën për dy vite rresht importet doganore duke bërë që të paguanin në magazina doganore akcizë më të ulët dhe të shisnin paketat duke llogaritur akcizën e rritur. E gjithë logjika e rritjes së kësaj takse, u kthye në një përfitim për tregtarët dhe jo për buxhetin e shtetit. Konsumatorët nga ana e tyre paguanin më shumë. “Ndryshimet e nivelit të taksimit në mënyrë graduale evitojnë efektet e krijimit të stokut në avancë nga importuesit, siç rezultoi në vitet 2013-2015. Niveli i akcizës në vendet e rajonit ka ndikim në presionin e kalimeve ndërkufitare të udhëtarëve dhe rritja e menjëhershme, siç është parashikuar aktualisht në ligjin në fuqi, do të krijonte risk të rritur”, pranohet zyrtarisht edhe në relacionin që shoqëron projektligjin e dërguar në kuvend.  Po ashtu edhe ndryshimet që parashikoheshin për nivelin e akcizës së duhanit që prodhohet në Shqipëri nuk do të bëhen efektive për vitin e ardhshëm. Akciza për duhanin vendas do të qëndrojë në nivelin 2500 lekë për kilogram. Argumentimi për këtë tërheqje të qeverisë është po ashtu evazioni fiskal. Rritja e kësaj takse ka bërë që të ulet deklarimi i lëndës që shitet nga tregtarët e vegjël te ata të mëdhenj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button