Opinion

Loja me gogol

KAMBER VELAJ

Socialistët, jo vetëm që nuk bënë as përpjekjen më të vogël për të vënë Saliun e rrëzuar nga pushteti përballë akuzave që ata ia numëronin çdo ditë në 8 vjet, por përkundrazi, bënë ç’mos që të mos e linin të tërhiqej nga politika aktive

Ata që janë në pushtet, nuk duhet të kenë luksin të thonë se shpresojnë se do ta shohin një ditë “gogolin” në bankën e të akuzuarit. Të drejtën e të shpresuarit e kishin ata që votuan, këta kanë detyrimin ta bëjnë këtë shpresë realitet

Loja me gogolProtesta e 12 marsit në Tiranë, më shumë se një fitore e vogël e Lulzim Bashës në kuadër të luftës së brendshme të PD-së dhe përpjekjes për një imazh prej politikani të brezit të ri, ishte një dështim i rëndë i politikës me gogol.

Menjëherë pas shpërthimit të skandalit “Doshi”, që shastisi opinionin publik për nga lehtësia me të cilën bëhen objekt akuzash të rënda krerët më të lartë të shtetit dhe politikës, socialistët e të dy formacioneve që përbëjnë mazhorancën, i shkarkuan të gjitha bateritë mbi Sali Berishën.

E vunë në shënjestër Saliun dhe u munduan t’u thoshin njerëzve se, sido që të jenë problemet e kësaj shumice, të bëjnë kujdes, se alternativa tjetër është ai, gogoli, që vret njerëz në shesh, që shet copat e atdheut te të huajt, që bën biznes me jetën e shqiptarëve dhe që vjedh e vjedh e s’ka të ngopur.

Shumica e shqiptarëve, të paktën kur u pyetën për herë të fundit, më 23 qershor 2013, i besonin këto që thuhen për Saliun, ose një pjesë të tyre. Dhe sepse i besonin, votuan si asnjëherë tjetër kundër tij, me bindjen se me votën e tyre po e dërgonin atje ku e ka vendin një njeri që vret, që shet atdheun dhe që vjedh.

Por asgjë nuk ndodhi me Saliun që i ka të gjitha fajet dhe me asnjë nga zullummëdhenjtë e oborrit të tij. Ai doli siç i ka hije një politikani modern, mori përsipër të gjithë përgjegjësinë për humbjen dhe liroi vendin në parti, duke u bërë edhe më burrë në sytë e ithtarëve të tij.

Ndërkohë, socialistët, jo vetëm që nuk bënë as përpjekjen më të vogël për të vënë Saliun e rrëzuar nga pushteti përballë akuzave që ata ia numëronin çdo ditë në 8 vjet, por përkundrazi, bënë ç’mos që të mos e linin të tërhiqej nga politika aktive.

Nga njëra anë u angazhuan ta përmendin Saliun sa më shpesh të mundnin, duke krahasuar çdo gjë që bënin me atë që ai nuk kishte bërë apo çdo gjë që nuk e bënin me atë që ai kishte bërë. Nga ana tjetër, edhe pse pa asnjë status ligjor apo procedural, i lanë një hapësirë të paprecedent për të folur në Parlament, duke e shndërruar Kuvendin në një skenë për “one man show”.

Duket se mazhorancës i leverdiste ta kishte Saliun në skenë. Ai duhet të fliste, të merrte për kot sa më shpesh të ishte e mundur, të shfaqej si i çekuilibruar, që njerëzit të mos e harronin dhe të trembeshin, si fëmijët prej gogolit.

Por, nëse socialistët e dy formacioneve qeverisëse kanë bërë vërtet ndonjë plan për ta mbajtur Saliun në skenë si gogol, ata ose i kanë bërë llogaritë gabim, ose Saliu dhe të tijtë kanë qenë një hap përpara me llogaritë e tyre. (Dhe kur flitet për llogari, me Saliun është e kotë të matesh!)

Pas gati dy vjetësh, kur bëmat e Saliut po shndërrohen në kujtime të largëta, problemet e ditës po bëhen gjithnjë e më të ndjeshme. Në kulmin e një pakënaqësie (që Rama thotë se e ka llogaritur) prej dorës së fortë të qeverisë, një skandal si ky i Tom Doshit ishte goditje e fortë. Dhe reagimi i mazhorancës ndaj këtij skandali, që kurrë nuk do të merret vesh nëse u shkaktua prej një shpifjeje apo prej një ndodhie reale, ishte përsëri një kalkulim i keq.

Sepse, të përdorësh tezën e Saliut në këtë situatë, është si t’i tregosh fëmijës gogolin kur i dhemb barku. Sado i tmerrshëm që është, gogoli mund t’i shtojë dhembjes së barkut edhe frikën, por nuk mund t’ia ndalojë të qarën.

Dhe zbrazja e baterive mbi Saliun bëri vetëm që në opinion të krijohej frika se më 12 mars 2015 do të përsëritej ndonjë skenar si ai i 14 shtatorit 1998 apo 21 janarit 2011. Vetë Policia e Shtetit doli e paralajmëroi për infiltrim elementesh keqbërës dhe të armatosur në protestë, por …

Më 12 mars, demokratët nuk e ngjitën Saliun as në podium dhe organizuan një protestë që do të mbahet mend bash për të kundërtën e atyre treguesve, për të cilët mbahen mend protestat.

Të mbetur pa gogol, socialistët u munduan aty për aty të tregonin gogolin e ri, duke e akuzuar po ashtu për vrasje, shitje atdheu dhe vjedhje spektakolare. Por, gogoli i ri, i pajisur me eksperiencën e gogolit të vjetër, që nuk i hyn gjemb në këmbë, u premtoi shqiptarëve një ofertë të re! Dhe e ka të gjithë të drejtën e botës ta bëjë, sepse përsëri i vjen në ndihmë eksperienca e gogolit të vjetër, i cili i bindi të njëjtët shqiptarë se kishte një ofertë, tetë vjet pasi kishte futur vendin në kaos.

Ata që bëjnë krime e kanë vendin në burg dhe ata që sot janë në pushtet, nuk duhet të kenë luksin të thonë se shpresojnë se do ta shohin një ditë “gogolin” në bankën e të akuzuarit. Të drejtën e të shpresuarit e kishin ata që votuan më 23 qershor, ndërsa ata që morën pushtetin me këto vota kanë detyrimin ta bëjnë këtë shpresë realitet. Kanë detyrimin dhe mandatin të mos luajnë më gogolësh!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button