Politika

LSI prezanton programin elektoral për zgjedhjet, tatimi mbi pagë ulet nga 20% në 8%

Lëvizja Socialiste për Integrim prezantoi sot Programin Elektoral për zgjedhjet e 25 qershorit. Të pranishëm në këtë aktivitet ishte Kryetari i LSI-së, z. Petrit Vasili, Zv.Kryetarja e LSI-së, znj. Monika Kryemadhi, kandidatë për deputetë si edhe drejtuesit e komisioneve të ngritura pranë KDK-së së LSI-së.
Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, z. Petrit Vasili i bëri një prezantim të zgjeruar të fushave ku bazohet programi ekonomik i LSI-së.
Sipas z. Vasili, ky program ka në themelin e tij punësimin dhe veçanërisht të të rinjve në mënyrë që ata ta shohin të ardhmen e tyre në Shqipëri duke u mundësuar një punë të denjë dhe të mirëpaguar.
“Pasi pa një përgjigje të fortë, motivuese e cila çon vendin përpara, motivon fort të rinjtë, motivon fort gratë, pra të gjitha ato shtresa që kanë potenciale të jashtëzakonshme, por janë potenciale tërësisht të pashfrytëzuara dhe të demotivuara, pa një plan të tillë ne nuk mund të kemi atë optimizëm të domosdoshëm e të nevojshëm të shoqërisë sonë e cila vuan sot nga demotivimi dhe nga humbja e shumë arsyeve për të jetuar në këtë vend ku në radhë të parë të rinjtë kanë në mendjen e tyre braktisjen e tij. Ndaj ky plan rikthen optimizmin. Ky plan i bën të rinjtë që të gjejnë arsye të mëdha për ta ndërtuar të ardhmen e tyre këtu pasi po e them të parë dhe mbi të gjitha, një premtim thellësisht të bazuar dhe të menduar, që ka të bëj me punësimin e tyre, e ku nga 170 mijë vende të reja të pune të planifikuar dhe të programuar me shumë saktësi në planin tonë, 100 mijë vende të reja pune të mirë-paguara janë menduar dhe orientuar vetëm për të rinjtë”,- u shpreh Kryetari i LSI-së.
Dy sektorët kryesore të cilët do të mundësojnë zhvillimin ekonomik të vend do të jenë bujqësia dhe turizmit. Sipas këtij programi, parashikohet që mbështetja financiare për bujqësinë të shkoi në 250 milion dollar nga ku do të mundësohet dyfishimi i të ardhurave në bujqësi nga 2 miliard euro në 4 miliard euro. Veç kësaj, në program është parashikuar që tatimi mbi fitimin në bujqësi të jetë 0%.
“Nga 2 miliard euro që realizon prodhim bujqësor në vit në Shqipëri, të kalojë në 4 miliard euro. Ju e kuptoni që ky është një hap i jashtëzakonshëm dhe me një impakt të menjëhershëm ekonomik i cili preket nga mijëra dhe mijëra fermer dhe familje që jetojnë në zonat rurale, ide të cilat përbëjnë realisht 50% të popullsisë shqiptare.
Kjo do të realizohet duke pasur parasysh shifra të cilat janë konsistente, të realizueshme dhe realiste. Pra vendosja e 250 milion dollarëve në vit vetëm për bujqësinë të shpërndarë në të gjitha segmentet që përbëjnë prodhimin bujqësor, është një përgjigje e drejtpërdrejtë ku secili fermer kupton fare mirë se çfarë do të thotë incentiva për fara e tij, për plehrat, për produktet bujqësore, për këtë proces që janë në bujqësi, për mekanikën bujqësore.
Edhe dy përgjigje të tjera janë shumë të rëndësishme në këtë program. Pasi ne bëjmë 0 TVSH për produktet bujqësore dhe bëjmë 0% edhe tatimin mbi fitimin në bujqësi. Besoj se kemi përgjigje shumë të qarta, të drejtpërdrejta dhe të menjëhershme në këtë drejtim. Gjithashtu një sektor me potenciale jashtëzakonisht të mëdha e cila mund të ishte dhe mund të bëhet kryefjala e ekonomisë shqiptare, është turizmi”, – u shpreh z. Vasili duke cituar programin ekonomik të LSI-së.
Sa i përket turizmit, Z. Vasili theksoi se LSI nëpërmjet programit të saj do të zerojë taksën për investimet në turizëm alternativ për pesë vite më mënyrë që t’i japi një zhvillim turizmit dhe jo vetëm atij bregdetar. “Heqja e të gjithë tatimeve dhe të gjitha ngarkesave fiskale për 5 vjet për këdo që zhvillon turizmin në zona të thella malore, në zona të thella rurale, është një stimul për të aktivizuar potenciale dhe resurse aspak të zhvilluara deri tani”,- tha z. Vasili.

Sa i përket sistemit të taksimit, z. Vasili theksoi se LSI në programin e saj ka parashikuar një ulje të taksave ku për kategorinë e punonjësve të cilët marrin një pagë deri në 35 mijë lek, tatimi mbi fitimin do të jetë 0. Për kategorinë e punonjësve që paguhen nga 35 mijë lekë deri në 200 mijë lek, tatimi mbi të ardhurat do të jetë 8% nga 15% që është aktualisht. Ndërsa për punonjësit që marrin një pagë mbi 200 mijë lek, tatimi mbi fitimin do të jetë 10%.

“Të ardhurat personale janë të ardhurat që ne realizojmë dhe mbi të cilat taksohemi. Është fare e qartë që sa më të larta të jenë këto taksime, aq më pak para hyjnë në xhepin e gjithsecilin individ, i cili paguhet dhe merr rrogën e tij. Ndaj ne kemi zgjeruar në programin tonë, bazën e tatueshme e cila ka një bazë 0%, deri në masën 35 mijë lekë. Pra zgjerohet bazat e tyre të cilët nuk do të paguajnë taksa fare si tatim mbi të ardhurat.
Praktikisht për pagat nga 35 mijë lek deri në 200 mijë lek, ky tatim do të llogaritet në masën 8%, nga mesatarisht 20% që ishte në të shkuarën dhe që është realisht. Pra një ulje mbi dy herë se ç’është në realitet. Ndërsa pagat mbi 200 mijë lek, aplikimi do të jetë vetëm 10% nga 23% që është aktualisht”,- tha z. Vasili.

Sa i përket taksimit të bizneseve, z. Vasili theksoi se për biznese të cilat kanë një xhiro vjetore deri në 20 milion lekë, taksimi do të jetë 5% nga 15% që është aktualisht. Për bizneset me xhiro vjetor nga 20 milion në 100 milion lekë, tatimi i tyre do të jetë 8% nga 15% që është aktualisht ndërsa për bizneset me xhiro vjetore mbi 100 milion lekë, tatimi do të jetë 10% nga 15%.

“Së pari ka një përgjigje drejtë për drejtë tonën lidhur me bizneset të cilët kanë xhiro deri në 20 milion lek. Tatimi i tyre në programin e LSI-së do të jetë 5%. Për ta kuptuar edhe shqiptari më i fundit, do të jetë 3 herë më pak nga ai që është aktualisht në masën 15%. Bizneset me xhiro vjetor nga 20 milion lekë deri në 100 milion lekë do të kenë një tatim fitimi 8% nga 15% që është aktualisht. Pra thuajse një përgjysmim të menjëhershëm. Dhe biznes me xhiro vjetore mbi 100 milion lekë do të kenë një tatim fitimi 10% nga 15% që është aktualisht”,- u shpreh Kryetari i LSI-së.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button