Lu, Vlahutin e Fleckenstein takime të veçanta me Ramën, Bashën e Metën…a do të ketë tryezë të përbashkët?!
E hëna ka nisur me takime intensive për reformën në drejtësi. Ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin kanë pasur takime me kryeministrin Edi Rama në selinë e qeverisë, kryetarin e LSI-së Ilir Meta në kryesinë e Kuvendit dhe së fundi liderin e opozitës Lulzim Basha në selinë blu.
Ambasadori amerikan në vendin tonë dhe ajo e Bashkimit Evropian kanë qenë të shoqëruar në këto takime edhe nga eurodeputeti Knut Fleckenstein, raportues për Shqipërinë në Parlamentin Evropian.
Për rreth 1 orë ata kanë biseduar me kreun e qeverisë për të gjetur konsensusin e plotë mes palëve politike kur na ndajnë pak ditë nga seanca e 21 korrikut, kur reforma do të hidhet në votim në Kuvendin e Shqipërisë. Po një orë ka zgjatur edhe takimi me kryetarin e Kuvendit Meta, i cili gjatë ditës së djeshme bëri një deklaratë të fortë për krijimin e një qeverie teknike ekspertësh dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme pas reformës në drejtësi. Një qëndrim që përputhet totalisht me kërkesën e demokratëve, dhe që u mbështet këtë të hënë nga lideri Lulzim Basha.
Pas këtyre takimeve intensive, eurodeputeti Fleckenstein do të dalë në një konferencë për mediat për të shfaqur publikisht rezultatet e këtyre bisedimeve, e nëse palët kanë arritur të dalin në pika të përbashkëta. Po gjatë ditës së djeshme, kreu i LSI-së propozoi një takim të përbashkët mes tij, Ramës, Bashës dhe ambasadorëve.