Politika

Luan Rama: Ligji i ri inkurajim për policinë

Deputeti-Luan-Rama-gjate-seances-se-sotme-parlamentare-Foto-Albert-Myftaraj-ATSH-466x350 Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, theksoi dje në Kuvend se “ligji i ri i Policisë së Shtetit i jep mbështetje, garanci dhe inkurajim ligjor strukturave policore në përmbushjen e detyrimit të tyre kushtetues”.

Gjatë diskutimit në Kuvend të p/ligjit “Për Policinë e Shtetit”, deputeti Rama, u shpreh se “15 vjet më parë apo 2 vjet prej rrënimit total të shtetit pas ngjarjeve të vitit 1997, kur Madlen Ollbright, në atë kohë Sekretare Amerikane e Shtetit vizitoi Shqipërinë, duke folur në këtë sallë të Kuvendit përveçoi në mënyrë eksplicite si një prej arritjeve të Kuvendit miratimin e ligjit “Për Policinë e Shtetit”, duke dhënë mesazhin e domosdoshmërisë së krijimit të një shërbimi policor të ndryshëm prej atij që kishte ekzistuar para vitit 1997, që siç u provua rezultoi i dështuar, duke ofruar një shërbim policor demokratik, ligjor dhe qytetar”.
Mirëpo, vijoi ai, edhe pse u çertifikua në këtë mënyrë, ai ligj u ndryshua edhe 4-5 herë të tjera, realisht pa ndryshuar në frymë e përmbajtje ndonjë gjë të madhe, siç në fakt po bëjmë edhe sot ne ndryshimin e gjashtë, pasi pothuaj 80 përqind e ligjit është po ai.
“Dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe kur objekti i ligjit është po ai, kur misioni është i njëjtë dhe kur grupet e punës janë pothuaj po ato, natyrisht po ato janë edhe asistentët; PAMECA, ICITAPI dhe OSBE”, tha Rama.
“Por çfarë e bën të domosdoshëm ndryshimin e një ligji? Përgjithësisht ana funksionale. Që do të thotë kur ligji nuk ushqen dot me funksionimin normal të institucionit apo shërbimit që të përmbushë misionin, detyrat, pritshmëritë, përkatësisht edhe prioritetet e politikës shtetërore. A jemi ne në kushtet e pamundësisë së përmbushjes së misionit të Policisë së Shtetit për shkak të ligjit? Nuk di ta them për sa kohë nuk e kam gjetur këtë përfundim as në relacionin e qeverisë, por nga ana tjeter, pretendimi për atë që duhet të jetë Policia e Shtetit sipas horizontit të konturuar prej Programit të Qeverisë dhe ku duam të mbërrijmë, është një arsye për t’u konsideruar”, nënvizoi ai.
Depueti i LSI-së, Rama, theksoi se “një gjë mund ta them me bindje: për gjithë sa ka ndodhur me Policinë e Shtetit që prej kur ajo nuk quhet me popullore, por organizatë, faji nuk ka qenë i policisë. Politika e ka keqpërdorur atë, e ka fyer e goditur, e ka gjymtuar dhe ka vrarë besimin e qytetarit tek policia e vet, e cila është organizata që ka paguar më shtrenjtë në jetën njerëzore si kostot e keqpërdorimit politik, ashtu edhe ato të luftes me krimin”.
“Kur politika ka patur vullnet të qartë ta mbështesë e respektojë policinë në detyrën e saj, policia e ka treguar veten dhe ja ka zbardhur faqen edhe politikës. Në sallë gjenden ish-kryeministra e ministra që dinë shumë për çfarë ka bërë policia në vite. Në sallë është edhe një deputet që ka drejtuar Policinë e Shtetit në operacionin kombëtar të bllokimit të trafikut ilegal të qenieve njerëzore dhe lëndëve narkotike, duke e bllokuar përfundimisht atë trafik në gusht-shtator 2002, ashtu sic kemi shembullin më të fundit të Lazaratit, për të cilin gjej rastin ta falenderoj publikisht Ministrin e Brendshëm dhe Policinë e Shtetit sepse dëshmuan që kur ka vullnet politik, asgjë nuk mund të bëhet pengesë në luftën e përjetshme mes shtetit dhe krimit”, u shpreh Rama.
Deputeti Rama tha gjithashtu se “historia e policisë na ofron edhe modelin e kundërt. Mungesa e vullnetit politik për ta mbështetur dhe inkurajuar luftën kundër krimit çon në mpirjen e policisë, në mosveprimin e saj dhe më keq akoma, keqpërdorimi politik çon edhe në inkriminimin e saj si në vitin 1997 apo në mosveprimin me pasoja kriminale si ngjajra e janarit 2004 në kanalin e Otrantos”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button