Lufta me Rusinë-Zelensky: Ukraina përfaqësohet vetëm nga një delegacion politik në bisedimet në SHBA
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina do të përfaqësohet vetëm nga një delegacion politik në bisedimet e datës 21 mars në SHBA për t’i dhënë fund luftës, ku Rusia nuk do të marrë pjesë, për shkak të mungesës së “vullnetit politik” për ta përfunduar atë.
“Në takimin trilateral kemi bërë përparim, veçanërisht në aspektin ushtarak. Të tre palët ranë dakord në parim se si të monitorohet një armëpushim sapo të ketë vullnet politik. Ende nuk ka vullnet politik, prandaj një nëngrup politik është duke u nisur”, tha Zelensky për gazetarët.
Zelensky shpjegoi se detyra kryesore e ekipit ukrainas në SHBA do të jetë të bien dakord për parametra të qartë për bisedimet trilaterale, si dhe të përgatiten për “takime relevante” dhe të finalizojnë dokumentet e nevojshme.
Përveç kësaj, ekipi negociator ukrainas do të diskutojë me amerikanët vazhdimin e programit (PURL) për prokurimin e armëve për Ukrainën.
Ata do të ngrenë edhe çështjen e një marrëveshjeje Ukrainë-SHBA për dronët.
Më 13 mars, Zelensky tha se Ukraina ishte gati për një raund të ri bisedimesh për t’i dhënë fund luftës, por koha dhe vendndodhja nuk ishin rënë dakord për shkak të pozicioneve të ndryshme të SHBA-së dhe Rusisë.
Ndërkohë, Financial Times raportoi se presidenti amerikan Donald Trump po humbet interesin për negociatat mbi zgjidhjen paqësore të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pasi tani është i fokusuar te Irani.
Ky zhvillim vjen pas një sërë raundesh negociatash trilaterale (SHBA-Ukrainë-Rusi), ku më i fundit u mbajt në Gjenevë më 17-18 shkurt, me përparim në aspektin ushtarak dhe humanitar, por pa zgjidhur çështjet kryesore politike si territori dhe garancitë e sigurisë.
Raundi i planifikuar më 5 mars në Abu Dhabi u shty për shkak të konfliktit SHBA-Izrael me Iranin, duke krijuar një pauzë në proces.
Delegacioni ukrainas, që përfshin figura si Rustem Umerov, Kyrylo Budanov, Davyd Arakhamia dhe Serhii Kyslytsia, po udhëton drejt SHBA-së për të rinovuar momentum-in bilateral me Uashingtonin, ndërsa Rusia nuk do të jetë prezentë në këtë takim të 21 marsit.
Programi PURL, i nisur nga NATO dhe SHBA në vitin 2025, ka siguruar miliarda dollarë për armë amerikane për Ukrainën, me kontribute nga aleatët evropianë, dhe vazhdon të jetë prioritet për mbështetje ushtarake.
/rtsh.al/
The post Lufta me Rusinë-Zelensky: Ukraina përfaqësohet vetëm nga një delegacion politik në bisedimet në SHBA appeared first on RTSH.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.