Lufta ndaj informalitetit, zbulohet mashtrim me faturat; qeveria do ndryshojë ligjin
Qeveria do të ndryshojë ligjin e procedurave tatimore për të amnistuar bizneset e vogla të cilat kanë mashtruar me xhiron.
Burime nga Ministria e Financave thanë për Top Channel se aksioni kundër informalitetit ka zbuluar një numër të madh biznesesh, të cilat deklarohen si të vogla kur në fakt kanë një xhiro reale më të lartë se 8 milionë lekë në vit dhe rrjedhimisht duhet të hynin tek biznesi i madh.
Sipas burimeve, pjesa më e madhe e këtyre bizneseve janë zbuluar në evazion nga kryqëzimi i faturave me bizneset e mëdha, të cilët janë furnitorët e tyre.
Edhe pse aksioni kundër informalitetit është përqëndruar në 300 korporatat e mëdha të vendit, inspektorët e Tatimeve janë duke kontrolluar të gjithë zinxhirin e tyre tregtar, përfshirë blerjet apo shitjet që ato bëjnë tek biznesi i vogël.
Sipas Ministrisë së Financave, nga ky kontroll është konstatuar se shitjet që kompanitë e mëdha deklarojnë tek bizneset e vogla nuk figurojnë si blerje tek këto të fundit dhe në shumë raste ato janë më të mëdha se 8 milionë lekë, që është dhe kufiri ndarës mes biznesit të madh dhe atij të vogël.
Ligji aktual i procedurave parashikon ndëshkime të rënda për evazionin fiskal dhe nëndeklarimin. Sipas ministrisë, numri i bizneseve të vogla që janë konstatuar me fshehje të xhiros është i lartë.
Për këtë arsye qeveria mund të ndryshojë ligjin me qëllim që këtyre bizneseve t’i jepet mundësia për të vetëkorrigjuar deklarimet e vitit të kaluar, por edhe për të ndryshuar përgjegjësinë tatimore, pra të kalojnë nga biznes i vogël në të madh pa u ndëshkuar.