Ekonomia

“Lufta” për turistët rusë, edhe Shqipëria në garë

Pas mbylljes së Turqisë si destinacion turistik për shtetasit rusë, vendet e rajonit janë vënë në garë se kush do t’i tërheqë.
Kësaj gare i është bashkuar edhe Shqipëria, e cila merr pjesë me 4 kompani turistike në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit që mbahet në Moskë nga  data 23 deri më 26 mars.
“Është një treg jashtëzakonisht me interes. Edhe Greqia, por edhe vende të tjera të rajonit janë duke synuar fort për thithjen e turistëve nga ky vend”, thotë Ardit Çollaku, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Turizimit.
Por a është e gatshme Shqipëria të akomodojë turistët rusë? Sipas Çollakut, vendi ynë ende nuk i plotëson të gjitha kushtet për të qenë destinacion tërheqës për një potencial kaq të madh turistësh.
“Kjo mund të hyjë dhe të bëhet pjesë e një plani strategjik kombëtar përsa i përket reformës që mund të bëhet në sektor për formalizimin e tregut, pasi ne e dimë shumë mirë që kemi një treg turistik joformal”, thotë Çollaku.
Për Unionin e Operatorëve Turistikë Shqiptarë, problemet në Shqipëri nisin që në aeroport.
“Ata udhëtojnë me charter-a. Tarifat për chartera në aeroportet ku ulen ata janë minimale. Pra ne që tek tarifat që kemi në aeroportin tonë, e kemi një pengesë të vogël”, thotë Rexhep Kasmi, zv.kryetar i Unionit.
Sipas Kasmit, nëse Shqipëria do të mund të tërhiqte një pjesë të turistëve rusë,  kjo do ndihmonte dhe në një tjetër aspekt, veç atij financiar.
“Ata do të ishin zgjatësit e sezonit. Sezoni nuk mund te zgjatet me shqiptarë apo me kosovarë, të cilet majin apo tetorin e quajnë të ftohtë. Janë pikërisht turistët rusë që do ta ndjenin veten shumë mirë në bregdetin tonë edhe në maj, edhe në tetor dhe ndodshta edhe në prill”, sqaron Kasmi.
Si Çollaku ashtu edhe Kasmi ndajnë mendimin se turistët rusë kërkojnë shërbim shumë cilësor, por janë edhe shpenzues të pakrahasueshëm me turistët e tjerë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button