Bota

Luftë për sfera ndikimi

Kina krijon fakte duke ndërtuar objekte në Detin e Kinës Jugore. Por SHBA sinjalizojnë se nuk do ta lejojnë që të nxirren jashtë rajonit. Një luftë për sfera ndikimi, që nuk i dihet fundi.

Një këmbim i ashpër replikash ndodhi midis Kinës dhe SHBA në Dialogun-Shangri-La në Singapur në fundjavë. Ministri i mbrojtjes i SHBA, Ashton Carter e kritikoi ashpër qeverinë e Pekinit, se me aktivitetet e saj në Detin e Kinës Jugore rrezikon stabilitetin e rajonit. Kina e kundërshtoi këtë menjëherë.

Konkretisht bëhet fjalë për ishujt Spratly. Për arkipelagun e përbërë nga rreth 100 ishuj, kanë pretendime edhe Filipinet, Vietnami, Malaizia, Taivani dhe Brunei. Pekini po krijon atje fakte: ndërkohë Kina po zmadhon disa shkëmbinj detarë duke hedhur dhe e i mban larg peshkatarët dhe anijet e marinës së shteteve të tjera. Në bazë të fotografive satelitore, atje po krijohet ndër të tjera një pistë uljesh të avionëve me një gjatësi prej 3000 metrash, e përshtatshme për avionë ushtarakë. Sipas të dhënave të zëvendësshefit të shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare Popullore Kineze, Sun Jianguo, këto aktivitete nuk kanë të bëjnë vetëm me “nevoja për mbrojtje” të Kinës. Kina dëshiron të jetë në gjendje për t’i plotësuar edhe më mirë “detyrimet ndërkombëtare”, si në shpëtimin e anijeve në rrezik, në mbrojtjen nga fatkeqësitë, në kërkimet në det, në vëzhgimin e motit dhe në mbrojtjen e ambjentit.

Pretendime të diskutueshme

Mosmarrëveshja ka disa dekada që vazhdon: Kina grindet me shtetet fqinjë për supremaci në Detin e Kinës Jugore. Pretendimet e Kinës janë për rreth 90 përqind të territorit. Qeveria e Pekinit e argumenton këtë me të drejta historike. Prej shekujsh peshkatarët kinezë kanë ngritur vendqendrime në ishujt në det.

Pekini i referohet veçanërisht së ashtuquajturës “Linja me nëntë vija”, e cila u formulua më 1947 nga qeveria nacionaliste e Kinës. Kjo linjë synonte të shënonte rajonet e marra pas disfatës së japonezëve. “Linja me nëntë vija” megjithatë nuk njihet ndërkombëtarisht. “Po të nisesh nga fakti, që çdo ishull në Detin e Kinës Jugore, për të cilin Kina ka pretendim, do të ishte me të vërtetë pjesë e Kinës, as atëherë “Linja me nëntë vija” nuk do të ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, deklaron Moritz Rudolf i Institutit Mercador for China Studies (Merics) në Berlin.

Pamje satelitore e zmadhimit të territorit të ishullit brenda pak vitesh: Sand Cay Reef
Pamje satelitore e zmadhimit të territorit të ishullit brenda pak vitesh: Sand Cay Reef

Naftë, gaz dhe peshq

Megjithatë, Kina ngul këmbë në pretendimet e saj. Sepse Deti i Kinës Jugore, pak më i madh se Mesdheu ka rëndësi të jashtëzakonshme ekonomike. “Atje ka rezerva të shumta peshku dhe veç kësaj supozohen edhe pasuri nëntokësore”, thotë Rudolf. Por vlerësimet për to nuk janë të njëjta: shkencëtarët kinezë besojnë se nën tabanin e detit ka mbi 200 miliardë fuçi naftë dhe 900 bilionë metra kub gaz. US Geological Survey i vlerëson rezervat vetëm në 11 miliardë fuçi naftë bruto dhe 5,9 bilionë metra kub gaz.

Krahas lëndëve të para, bëhet fjalë për rrugë strategjike tregtare. Një e treta e qarkullimit të përbotshëm me anije kalon përmes Detit të Kinës Jugore. “Prandaj Kina ka interes të madh për këtë rajon, sepse rreth 80 përqind e importeve të saj të naftës kalojnë përmes këtij rajoni”, thotë Rudolf.

Dimensionit ekonomik i shtohet edhe ai strategjik. Kina dëshiron ta spostojë fuqinë hegjemoniale SHBA nga oborri i saj i pasmë dhe të forcojë njëkohësisht ndikimin e saj atje. “SHBA është afruar vitet e fundit më shumë me Vietnamin dhe me Filipinet”, thotë eksperti i Kinës, Rudolf. Në këtë luftë për pushtet të dyja palët nuk do të lëshojnë pe, është e sigurtë Shi Yinhong, politologe e Universitetit Popullor në Pekin. “Në përgjithësi situata ka ngecur në vend. Por të dyja palët do të mundohen t’i shmangin konfliktet e drejtpërdrejta.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button