Luiza Xhuvani rikthehet në teatër
Aktorja e njohur do të jetë së shpejti pjesë e strukturës së Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”
Luiza-Xhuvani_1“Gjërat e bukura në jetë do t’ju ndodhin aq rrallë, por kur t’ju ndodhin duhet t’i mbani fort…”. Me këto fjalë të zonjushë Margaritës, Luiza Xhuvani iu drejtua gati një vit më parë publikut, nga skena e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, sikur të kishte parashikuar të ardhmen e saj. E veshur me një fustan të zi deri në gju, ajo u shndërrua në mësuesen e famshme, që përgjatë 70 minutave jep një leksion të mrekullueshëm për jetën. Së shpejti aktorja do t’i kthehet sërish skenës së këtij teatri, për t’u kthyer përfundimisht ndoshta në një nga dashuritë e saj të vjetra dhe të pandryshueshme siç është skena. Pas dorëheqjes që dha nga politika gati dy muaj më parë, Xhuvani do t’i përkushtohet teatrit. Lajmi konfirmohet nga drejtori i teatrit “Kujtim Spahivogli” dhe një nga bashkëpunëtorët e viteve të fundit në skenë të aktores, regjisori Kiço Londo. “Luiza Xhuvani do të jetë pjesë e teatrit jo vetëm si aktore por edhe me kontribute të tjera në këtë institucion”, thotë Londo, i cili pranon se aktorja do të interpretojë më shumë se në një rol gjatë këtij viti. “Kemi rënë dakord parimisht për kthimin e saj në teatër, dhe është ende herët për të folur për veprat ku ajo do të interpretojë”, thotë Londo. Kthimi i Luiza Xhuvanit në skenë është një lajm i mirë për teatrin, për vetë potencialin që ajo ka si aktore.
Roli i saj i fundit ka qenë pikërisht në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” gati një vit më parë. “Zonjushë Margarita”, monodrama e Roberto Athayde, e solli Xhuvanin për më shumë se 70 minuta në një interpretim të shkëlqyer të mësueses së famshme Margaritë. Një rol jo i lehtë, për çdo aktor, për vetë kompleksitetin që mban brenda melodrama. Me këtë vepër, Xhuvani u vlerësua si “Aktorja më e mirë” në Festivalin Mbarëkombëtar të Aktrimit “Apollon 2006”. Kjo vepër u shfaq edhe në teatrin “Argo” në Athinë ku u prit me ovacione nga publiku dhe kritika. “Jam e lumtur që pashë këtë aktore të përsosur dhe me një regji të jashtëzakonshme. Ishte një punë e mrekullueshme dhe u entuziazmova për nivelin e lartë të teatrit shqiptar”, do të shprehej aktorja greke Xheni Stavropulu e cila e ka interpretuar këtë rol më herët. “Mbeta e mahnitur nga interpretimi i aktores. Duke ndjekur vendin tuaj këto vite, kam kuptuar që, në qoftë se kultura bëhet pronë e popullit, atëherë kemi këto rezultate. Në qoftë se kultura nuk është tregti, nuk e tregtojmë, nuk e përdorim, atëherë është ky rezultat. Kjo që pashë sonte tregon një kulturë që ka filluar që në fëmijëri”, do të shprehej aktorja tjetër greke, Titika Sariguli.
“Zonjushë Margarita” nuk është bashkëpunimi i vetëm i Xhuvanit me regjisorin Kiço Londo. Në vitin 2013, ajo interpretoi rolin e Berandës, gruas së famshme të Lorkës në veprën “Shtëpia e Bernarda Albës” nën regjinë e Londos. Vepra e cila udhëtoi në teatro të ndryshme të rretheve si produksion i Teatrit Shëtitës, bëri bashkë në skenë Roza Anagnostin dhe Luiza Xhuvanin. Aktorja ka qenë shpesh në role kryesore në skenën e Teatrit Kombëtar, edhe pse figura e saj lidhet për publikun më shumë me kinemanë. Ajo ka interpretuar rolin e Margaritës te drama “Unë dhe Mefistofeli”, Klea te “Dhelpra dhe rrushtë” të Figueiredos, Nusja te “Dasmë gjaku” e Lorkës, Ledi Ana te “Rikardi III” i Shekspirit, “Kati VI” të Alfred Zheri, Misis Martin te “Këngëtarja tullace” e Ioneskos dhe Xhena te komedia “Valsi i Titanikut” e “Oportunesku” të Mushateskut, Maria te “Kopshti me dallëndyshe” i Cikliropulosit, Pietra tek “Armiku i Popullit” i të Ibsenit, Nina te “Pulebardha” e Çehovit, Rita te “Cilindri” i De Filipos me regji të Kastriot Çipit dhe Xheni te “Kapitulli i dytë” i Sajmonit, me regji të Mehmet Xhelili me të cilin fitoi Çmimin për Aktoren më të Mirë të Festivalit të Aktrimit, Apollon 2004, në Fier.