Teater

“Made in Albania”, dhe debati për teatrin

“Made in Albania”, Altin Basha dhe Stefan Çapaliku sjellin dramën shqipe në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”

Luftar Paja – “Made in Albania” rikthen në teatër pas pesë vitesh aktorin Luftar Paja. Ajo çfarë është emocionuese për të është fakti që do të punojë me kaq shumë të rinj, çka e bën më të bukur pjesëmarrjen në këtë vepër.

Made in AlbaniaNë një kohë debatesh për teatrin dhe kur flitet për një mungesë të dramës shqipe në skenë, regjisori Altin Basha dhe dramaturgu Stefan Çapaliku, zgjedhin një dramë shqipe për ta ngjitur në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. “Made in Albania” quhet drama shkruar nga Çapaliku, dhe është vepra e tretë e një trilogjie të nisur vite më parë me “I am from Albania” dhe më pas me “Allegretto Albania” të cilat kanë pasur sukses në skenë. Duke e quajtur një dramaturgji bashkëkohore tekstin e kësaj vepre dhe ambicioze, Çapaliku tha se kjo synon t’i kthejë dhe nderin e humbur dramës shqipe. Ndërsa për regjisorin Basha, kjo vepër është një dëshmi që edhe te drama shqipe mund të gjenden vlera. “Kjo është një përpjekje, nuk mendoj që ka një strategji të qartë dhe të vëmendshme ndaj dramës shqipe, mendoj që përkundrazi drama shqipe është në një moment të vështirë, është mjaft e paragjykuar, por unë nuk mendoj që kjo duhet të bëjë që drama shqipe të zhduket nga repertori i teatrove shqiptarë. Mendoj që kjo vepër do të jetë një dëshmi e asaj që në dramën shqipe mund të gjenden vlera po aq të fuqishme sa në dramën e huaj”, tha regjisori Basha. Kohët e provave, për të ngjitur këtë vepër në skenë që mendohet të jetë në fillim të muajit prill, do të shoqërohen me diskutime të hapura për teatrin, tepër të nevojshme për situatën në të cilën po kalon teatri shqiptar. “Made in Albania” do të jetë një vepër e cila kërkon të provokojë estetikisht debate të nevojshme, dhe të flitet më shumë mbi teatrin. Vepra ka qenë pjesë e projekteve të dorëzuar në bordin e Teatrit Kombëtar për të qenë pjesë e repertorit të këtij viti, por që nuk mundi të kualifikohet. Shumë pranë hapësirës së cilës iu refuzua, “Made in Albania” do të realizohet në një tjetër skenë, duke u kthyer në një promotore të teatrit të mirë. “Ne do ta kthejmë këtë shfaqje në një ngjarje, duke kthyer vëmendjen e humbur tek ata që duan të bëjnë teatër”, tha Çapaliku. Duke u ndalur te vepra, Çapaliku u shpreh se në të nuk ka shumë rëndësi ngjarja sesa atmosfera. Vepra i bën jehonë Shqipërisë së sotme, asaj të vërtetës, thelbësores, “të padukshmes”. Ngjarjet zhvillohen në një rrobaqepësi, biznes fasonësh në të cilën punojnë gra të të gjitha moshave dhe që prodhojnë rroba me etiketa “Made in Albania”. Për t’i dhënë jetë kësaj historie, regjisori Basha ka angazhuar aktorë të shkollave të ndryshme, të cilët do të interpretojnë përkrah emrave të njohur të teatrit si Zyliha Miloti dhe Luftar Paja. Kostumografe dhe skenografia do të jetë e Iliriana Loxhës, koreografia Gjergj Prevazi, ndërsa kompozitor Endri Sina. “Është një produksion që përfshin një numër relativisht të madh aktorësh, ku janë gërshetuar të gjithë brezat, që nga brezi me më shumë përvojë, me Luftar Pajën dhe Zyliha Milotin, më pas me brezin e mesëm me Shegushe Bebetin dhe pastaj vazhdojmë me një brez më të ri aktorësh, me Florian Agalliun, Albana Koçon e duke përfunduar deri tek një aktore mjaft e re, që është Aljona Aga. Mendoj që është një përzierje që do t’i japë një energji të veçantë shfaqjes”, tha regjisori Basha. Prej ditës së djeshme, regjisori ka nisur provat për ta sjellë këtë vepër në muajin prill premierë për publikun në skenën e Teatrit Eksperimental.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button