Kryeartikull

Magjia e Kokëdhimës për t’u pasuruar nga marijuana

Gjergj Erebara
Gjergj erebara

“Kur ngrinte shkopin magjistari, kadaif na dukej bari”. Kjo është një këngë popullore nga lëvizja studentore e vitit 1990. Magjistar, bar, shkop magjik, këto janë togfjalësha shumë të vlefshëm për të shpjeguar nismat e udhëheqësve shqiptarë përgjatë dekadave për shpëtimin e vendit nga mjerimi.

Ka një seri të gjatë barcaletash për këtë.
Gjatë viteve 1980, psh, ndërsa shqiptarët po vuanin për bukën e gojës, pati disa ide se si vendi mund të pasurohej. Ideja e parë: “Të gjejmë thesare të fshehura, bazuar në legjendat e popullit”. Nuk ka asnjë të dhënë historike, por thashethemi i qarkulluar gojë më gojë tregon se si një zyrtari të lartë i lindi ideja e shfrytëzimit të “legjendave popullore” për të gjetur thesare të fshehta. Legjenda vijon më tej duke thënë se me mijëra ushtarë u dërguan nëpër Shqipëri për të kërkuar këto thesare ndërsa nëpër Tiranë përhapeshin thashetheme të llojit: “U gjet thesari i Ali Pashës, shtatë ziza rrafsh me flori janë parë në Qafën e Krrabës”.
Disa ide të tjera të tilla qe blerja e gjalpit në treg ndërkombëtar dhe shitja e tij në zonën e Bashkimit Ekonomik Europian ku Shqipëria nuk kishte tarifa, pra një lloj kontrabande e organizuar nga shteti apo përdorja e gjenive shqiptarë të financave për të luajtur në tregun ndërkombëtar të këmbimit valutor. Kjo e fundit në fakt ndodhi me pasoja shumë të pakëndshme.
Pastaj erdhi Berisha me miliardat e tij, pretendimet se investitorë imagjinarë po nxitonin të vinin në Shqipëri për të na kthyer në një parajsë. Në vitin 2007, nëse e mbani mend, shqiptarët mbetën mesatarisht 11 orë në ditë pa drita, ndërsa kryeministria publikoi dhjetëra njoftime që flisnin për dhjetëramiliardë dollarë investime.
Propozimi i deputetit Koço Kokëdhima për legalizimin e kultivimit të marijuanës për shkak të rëndësisë së këtij produkti në ekonomi është në vijimësi të këtyre fantazive për zgjidhje të problemeve të vendit me shkop magjik.
Po, është shumë e drejtë që Shqipëria të dekriminalizojë konsumin e marijuanës dhe posedimin e sasive të vogla të kësaj droge për shkak se shumë vende e kanë bërë këtë, qoftë përmes klasifikimit të posedimit të një sasie të vogël droge si kundërvajtje të dënueshme me gjobë, qoftë përmes politikës joformale të tolerancës, pra të mos kryerjes së hetimeve të mëtejshme në rastin e kapjes së njerëzve me sasi të vogla marijuane, në rendin e një apo dy gramëve.

Koço Kokëdhima, deputeti socialist që kryeson fushatën për legalizimin e prodhimit të marihuanës, si një degë e rëndësishme e pasurimit të njerëzve
Koço Kokëdhima, deputeti socialist që kryeson fushatën për legalizimin e prodhimit të marihuanës, si një degë e rëndësishme e pasurimit të njerëzve
Pjesa tjetër, prodhimi në sasi të mëdha apo trafikimi dhe aq më pak, eksporti, nuk mundet të legjitimohen në asnjë lloj forme. Dhe këtu nuk ka rëndësi nëse e ke provuar vetë apo jo marijuanën, apo nëse beson se bota e ka të drejtë apo gabim klasifikimin e kësaj lënde si drogë të dëmshme dhe të ndaluar. Shqipëria është pjesë e një bote ku marijuana në shumicën dërrmuese të rasteve është e paligjshme. Në rastet kur është dekriminalizuar, apo lejuar për prodhim, nën sistem të rreptë taksimi si cigaret apo alkooli, është lejuar vetëm për konsum të brendshëm, jo për eksport.
Përfitimet ekonomike të dekriminalizimit apo të prodhimit nën licenca shtetërore në të gjitha rastet nuk e bëjnë një vend të pasur. Përkundrazi, e bëjnë më të mjerë.
Propozimi i Kokëdhimës, përpos konsumit politik nuk është se mbart ndonjë specifikim konkret dhe nuk duket se bazohet në ndonjë vlerësim skrupuloz mbi kostot dhe përfitimet. Ky propozim është asgjë më shumë se sa pretendimet e nxjerrjes së vendit nga kriza e viteve ’80 përmes “gjetjes së thesareve të fshehura” apo kontrabandës së gjalpit. Imagjinoni psh se si do të reagonte Italia apo ndonjë vend tjetër kur të mësonte se Shqipëria ka ndër mend të bëjë me licenca qeverie atë që deri më sot e ka bërë pa licenca qeveria. Miliardat e kanabisit të Lazaratit konsideroheshin në Itali si një problem për sigurinë kombëtare. Jo për shkak të dëmit në shëndetin e të rinjve italianë që ndezin një cigare bar, por për volumin e stërmadh të parave nëpër duart e trafikantëve, para që rrezikojnë me të vërtetë shtetin pasi mund të përdoren për blerje ndikimi politik, blerje policësh, blerje gjykatësish, gjë që cënon në thelb atë që njihet si rend kushtetues. Shqipëria nuk ka një shqetësim të tillë aktual pasi i ashtuquajturi rend kushtetues është cënuar sakaq me flirtin e vazhdueshëm të politikës me krimin.
Nga ana tjetër, është e qartë se nëse të gjithë lejojnë të mbjellin kanabis, çmimi i kësaj bime natyrisht që do të bjerë në nivelin e çmimit të jonxhës psh, gjë që vështirë se do të ndihmojë shumë popullsinë rurale.
Ca vite më parë, kur disa organizma ndërkombëtare zbuluan se Shqipëria kishte një rrjet të trashëguar që nga koha e komunizmit për mbledhjen dhe eksportimin e bimëve medicinale, më së shumti, sherebelë, nxituan të bindnin akoma më shumë fshatarë të mbillnin këtë bimë. Sot, çmimi i sherebelës është shpesh më i lirë se sa çmimi i domateve, megjithëse produktiviteti i domates për metër katror tokë të mbjellë me të është shumë herë më i lartë se sa si i sherebelës.
Gjynah që një forcë politike që ka premtuar 150 mijë vende pune në bujqësi, ka përfunduar të fantazojë për transformimin e vendit në një burim të ligjshëm për trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Jo, ka gjasa që Shqipëria nuk do të zhvillohet dhe as nuk do të pasurohet me kanabis. Ajo që e rrit mirëqënien është vlera e shtuar mesatare e punës së të gjithë punëtorëve të vendit. Fantazitë për pasurim me zgjidhje prej magjistarësh janë thjeshtë vetëm kaq: Fantazi!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button