Majko: Votimi i Gjykatës Speciale, i detyrueshëm
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko thekson se diskutimi për Gjykatën Speciale në Kosove nuk ka si të shmanget. Ai nuk është vetëm juridik, por në një mënyrë apo tjetër po diskuton statusin e shqiptarëve në rajon.
Lexoni shkrimin e tij:
Diskutimi për Gjykatën Speciale në Kosove nuk ka si të shmanget. Ai nuk është vetëm juridik, por në një mënyrë apo tjetër po diskuton statusin e shqiptarëve në rajon
Debati është edhe politik, por po ashtu prek statusin ndërkombëtar të Kosovës. Duke mirëkuptuar cilindo që ka rezerva të ndershme karshi formimit të kësaj Gjykate dëshiroj t’i shpreh konsideratën time, por jo përkrahjen. Shkurtimisht, dëshiroj të them se krijimi i Gjykatës Speciale në Kosovë nuk ka të bëjë vetëm me regjimin juridik të brendshëm të shtetit të Kosovës.
Nëse do të ishte vetëm kështu… do të isha në krah të kundërshtarëve të kësaj gjykate. Por, nuk është kështu! Për të ardhmen e shtetit të Kosovës krijimi i kësaj gjykate ka të bëjë me statusin ndërkombëtar të saj. Është e qartë se në këtë proces të nisur në fund do të kemi, në çdo rast, një Gjykatë Speciale. Çështja shtrohet nëse ngritja e saj do të bëhet sipas propozimit amerikan dhe europian, apo sipas variantit rus. Varianti i parë përkon me pranimin e Gjykatës Speciale, i cili, në procedurë, është ajo e një shteti sovran që vendos me vota në Kuvendin e vet.
Varianti rus është ai i “kryqëzimit” ndërkombëtar të Kosovës në Kombet e Bashkuara, duke zhvleftësuar investimin për statusin e saj në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në këtë proces me konkluzion të njëjtë çështja shtrohet nëse Kosova do të vendosë si një shtet sovran apo do të pranojë statusin e një “fshati ndërkombëtar” që dëshiron t’i ofrojë varianti rus… Rrugëtimi i statusit të shtetit të Kosovës ka ecur dhe po ecën në një rrugë të ngushtë, ku kthesat nuk janë komoditet. Mundësitë janë vetëm dy. Të ecet përpara ose e kundërta. Për kombet e vegjël si shqiptarët, koeficienti i gabimit në histori nuk është problem i procedurës, por matet me kohën e humbur.
Gjykata Speciale fton deputetët e Kosovës të bëjnë një akt të diskutueshëm në raport me funksionimin e një shteti normal. Por, nga ana tjetër ai është padiskutim i nevojshëm për të ruajtur statusin ndërkombëtar të shtetit. Në çdo rast dhe për çdo shtet, e dyta vendos për të parën. Balanca e një veprimi në dukje të padrejtë në emër të të ardhmes e bën votimin e Gjykatës Speciale përulësisht të detyrueshëm. Historia i ka mësuar shqiptarët se heroizmi në një betejë të humbur është metaforë e Luftës së Kosovës, ndodhur shekuj më parë. Sigurisht.