Majori me drogë, shoku: U rekrutua i shtyrë nga varfëria
Vdekja e pilotit të Forcave të Armatosura, Sokol Feka ka shokuar jo vetëm familjarët dhe të afërmit e tij, por edhe shokët.
“Kur më njoftuan për vdekjen e Sokolit, mendova se mund të ishte aksidentuar gjatë ndonjë gare Rally, pasi ai ishte i pasionuar pas këtij sporti ekstrem. Por gjatë marrjes së detajeve mësova se shkaku ishte edhe më i rëndë. Shoku im i ngushtë që unë e njihja mirë, kishte humbur jetën në Spanjë duke transportuar drogë me helikopter. Ishte e pabesueshme për mua. Për të gjithë ata që e njohin Sokolin e dinë që ai jetonte mes halleve, megjithëse nuk ankohej kurrë. Kishte një buzëqeshje të stampuar në fytyrë dhe vetëm ne që e njihnim mirë i dinim hallet e tij. Unë e kam takuar në dhjetor e më tha se do të shkonte për specializim. Kam folur me të edhe para disa javëve dhe nuk vura re asgjë të dyshimtë”,- tregoi shoku i Sokolit, M.M., duke shtuar se ai kishte vuajtur me gjatë me sëmundjen e djalit dhe vdekja e tij i dha një goditje të madhe.
“Sokoli së bashku me bashkëshorten e tij kishin një firmë private që merrej me larjen e tapicerive të makinave apo lokaleve por nuk kishin shumë fitim pasi puna nuk ecte. Atij i duhej të përballonte jetesën me një rrogë prej 500 mijë lekë të vjetër në muaj, ndërkohë që një pjesë i dorëzon për dy fëmijët që ka nga martesa e parë. Para pak muajve më kërkoi t’i gjeja një makinë për të transportuar orenditë e shtëpisë pasi do të transferohej nga zona e Freskut tek “Misto Mame” sërish me qera. Megjithëse ishte një nga pilotët me të mirë, jeta e tij ishte një ferr si pasojë e varfërisë. Unë e kisha menduar kurrë se mund të vinte një ditë që Sokoli do të përfshihej në transportim droge dhe aq më keq të humbte jetën. Por tani që ndodhi, më duhet të mendoj për të gjetur një arsye. Dyshoj se ai është rekrutuar nga persona të tjerë dhe ka pranuar i shtyrë nga varfëria. Gjithashtu mendoj se kjo është hera e parë që ai është angazhuar në këtë veprimtari. Nuk e kam parë asnjëherë në shoqërinë e personave të dyshimtë, mendoj se nuk ka pasur kohë për shkak të angazhimeve në punë që të futej në këto veprimtari të jashtëligjshme. Sokoli ishte angazhuar në shumë operacione shpëtimi gjatë viteve të fundit, si në përmbytjet në Shkodër apo edhe për transportimin për në spital të personave të sëmurë që jetonin në zonat e thella malore të izoluar nga dëbora. Sokoli ishte i veçantë, jo vetëm unë por askush nga ata që e njihnin nga afër nuk arrin ta besoj këtë gjë. Shpresoj të që ngjarja të zbardhet sa më parë”, u shpreh më tej shoku i pilotit 41-vjeçar.