Malaj: Rreziqet dhe shanset që do shoqërojnë ekonominë në 2017-n
Eksperti i ekonomisë, Arben Malaj, në parashikimin e tij për zhvillimet e pritshme ekonomike të këtij viti dhënë për “Monitor” analizoi se ekonomia jonë ka premisa të rritet me ritme më të larta se 3.5%, por disa faktorë ndikohen nga zhvillimet elektorale, prandaj reduktimi i tyre duhet të jetë një përgjegjësi e mirëqeverisjes së vendit edhe gjatë zgjedhjeve.
Ai këshilloi se raporti midis qëllimit të fitimit të zgjedhjeve duke (mos) dëmtuar elementet thelbësore të zhvillimit, raporti midis së sotmes dhe së ardhmes, mbeten provat reale si për mazhorancën edhe për opozitën, sepse qartësojnë shërbimin e tyre ndaj problemeve jetike dhe shpresave për të ardhmen edhe të votuesve dhe mbështetësve të tyre.
Si i parashikoni zhvillimet ekonomike të vitit 2017?
Sa herë analizojmë zhvillimet social-ekonomike të vitit të ardhshëm, treguesi kryesor është punësimi, sepse ajo është politika më produktive dhe me efekte konkrete për të luftuar varfërinë dhe thellimin e pabarazisë të cilat duhet të jenë prioritetet dhe arritjet kryesore të mirëqeverisjeve. Konfuzi theksonte se në një vend që mirëqeveriset, varfëria është ajo që të bën të turpërohesh, ndërsa në një vend që keqqeveriset, pasuria është ajo që të bën të turpërohesh.
Në vijimi të pyetjes suaj duhet të analizojmë politikat dhe projektet konkrete gjatë vitit 2017 që do të influencojnë më shumë reduktimin e papunësisë, varfërisë dhe pabarazisë.
Rritja ekonomike, ritmet e saj, qëndrueshmëria në trendin pozitiv dhe përmirësimi i ndarjes së përfitimeve të saj në sa më shumë përfitues sidomos në pjesën me të ardhura të ulëta, konsiderohet ende një tregues i rëndësishëm por gjithnjë e më i debatueshëm si një indikator i pamjaftueshëm. Në buxhetin e vitit 2017 parashikohet që rritja ekonomike të jetë 3.5% e PBB-së. Disa institucione financiare ndërkombëtare e parashikojnë rritjen ekonomike në 2017 edhe deri në 3.7% e PBB-së.
Analiza kërkon të qartësohen faktorët kryesorë që do të ushqejnë këtë rritje ekonomike. Pikërisht në këtë thellim analize, identifikohen edhe mundësitë për t’i përmirësuar këta faktorë. Më konkretisht, risqe potenciale mund të jenë: (i) pritshmëritë e konsumatorëve dhe biznesit privat gjatë një viti elektoral; (ii) efekti i bilancit tregtar, eksportet dhe importet e mallrave dhe shërbimeve, sidomos shkalla e mbulimit të importeve nga rritja e eksporteve; (iii) impakti i rritjes së IHD si nga ato që janë në ekonominë shqiptare dhe nga investimet e reja. Rritja e çmimeve të mallrave që eksporton vendi ynë në tregjet ndërkombëtare mund të krijojnë një shtysë për rritjen e tyre, por rritja e investimeve të reja në 6-mujorin e parë mbetet e vështirë. Kontributi i buxhetit në rritjen ekonomike mbetet kundërciklik. Buxheti 2017 parashikohet me suficit, pra kontributi në kërkesën agregate nëpërmjet krahut të shpenzimeve është i reduktuar.
Një faktor tjetër që ndikon kërkesën agregate që ushqen rritjen ekonomike është edhe kreditimi i sektorit privat, i cili ka shenja gjallëruese sidomos nga rritja e kredisë në monedhë kombëtare për individët. Por kreditimi i biznesit vazhdon të mbetet hezitues prej bankave tregtare dhe njëkohësisht kërkesa për kredi nga biznesi mbetet e vakët. Të dy këta faktorë, kërkesa e vakët nga biznesi dhe kredidhënia e shtrënguar nga bankat tregtare për të dhënë kredi për biznesin reduktojnë impaktin e politikave monetare lehtësuese në gjallërimin e ekonomisë.
Në konkluzion të pyetjes suaj, ekonomia jonë ka premisa të rritet me ritme më të larta, por disa faktorë ndikohen nga zhvillimet elektorale, prandaj reduktimi i tyre duhet të jetë një përgjegjësi e mirëqeverisjes së vendit edhe gjatë zgjedhjeve.
Si do të ndikojnë zgjedhjet e përgjithshme elektorale në performancën ekonomike në tërësi?
Kanali kryesor i ndikimit të tyre në ekonomi është efekti mbi pritshmëritë e individëve dhe sidomos te biznesi vendas dhe i huaj. Nëse me fillimin e vitit, këto pritshmëri ndikohen negativisht, kjo do të transmetohet në ekonomi nëpërmjet rënies së kërkesës agregate, sepse individët dhe biznesi kur pritshmëritë për të ardhmen nuk janë pozitive do të konsumojnë dhe investojnë më pak. Po kështu, investimet potenciale vendase dhe të huaja do të qëndrojnë pezull përpara zgjedhjeve. Një risk potencial që duhet reduktuar është edhe eficenca e administratës publike përpara dhe gjatë zgjedhjeve.
Reduktimi i efekteve jo pozitivë të këtyre risqeve potenciale duhet të jetë në qendër të angazhimeve politike të mazhorancës nëpërmjet qeverisjes së vendit, por edhe nëpërmjet tonit politik dhe elementeve praktike të fushatës elektorale që do të organizohet. Edhe kohëzgjatja faktike e fushatës ka efektin e saj mbi ekonominë dhe nivelin e risqeve potenciale.
Amortizimi i nivelit të rënies së kërkesës agregate e bëjnë kritik rolin e buxhetit të shtetit në periudhën parazgjedhore. Kjo kërkon eliminimin e çdo vonese në çeljen dhe bërjen efektiv të buxhetit për çdo njësi buxhetore. Kërkohet kryerja në kohë e pagesave për shpenzimet e parashikuara, duke pasur në fokus të veçantë eliminimin e vonesave për shpenzimet e parashikuara dhe brenda tavaneve mujore të miratuara, të cilat shkojnë te personat me paaftësi, te të papunët, te të varfrit, te pensionet dhe te çdo individ që mbështetet nga politikat sociale. Duhet të ndihet impakti i buxhetit që në ditët e para të vitit të ri buxhetor dhe nëpërmjet investimeve publike, sipas shumave respektive të programuara në buxhet për periudhën para zgjedhjeve.
Eliminimi i vonesave në shpërndarjen e fondeve sociale te çdo përfitues i saj merr një rëndësi jetike për mbijetesën e tyre por sidomos edhe për perceptimin dhe pritshmëritë e funksionimit të qeverisjes së vendit gjatë periudhave parazgjedhore.
Çfarë politikash u sugjeroni palëve konkurrente për qeverisjen për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit në afat të gjatë?
Fushata elektorale rrezikohet të dominohet nga premtime dhe debate populiste. Premtimet për ulje të taksave dhe tatimeve do të jenë në garë me premtimet për rritje të pagave, pensioneve dhe përfitimeve sociale.
Politika e taksave dhe tatimeve mund të përmirësohet por kjo duhet të bëhet me studime të thelluara dhe kundërshtim afatgjatë në shërbim të rritjes ekonomike, rritjes së punësimit dhe qëndrueshmërisë së financave publike. Ndryshimet e shpeshta të politikave të taksave dhe rregullave të administrimit fiskal konsiderohen joproduktive për biznesin vendas dhe të huaj dhe për pasojë, edhe për rritjen ekonomike, rritjen e punësimit dhe uljen e varfërisë.
Konsensusi për politikat e taksave është kudo i vështirë sidomos në këtë periudhë ku populistët, eurospektikët dhe radikalët kanë fituar përkohësisht terren.
Reformat strukturore, duke filluar me reformën e drejtësisë, pronës, ambientin të biznesit, antikorrupsionit, administratën publike janë jetike për sfidat e vendit tonë. Politikat dhe projektet konkrete në mbështetje të mirarsimimit më të mirë, kujdesit shëndetësor dhe investime publike që reduktojnë kohën dhe kostot për të bërë biznes, reforma në sistemin e energjisë dhe të ujit çlirojnë potenciale të mëdha zhvillimi edhe afatgjatë. Reduktimi i subvencionimit të deficitit të skemës së pensioneve shoqërore dhe shëndetësore çlirojnë miliarda lekë taksa për t’i rialokuar në prioritetet e vendit, duke i përmirësuar ato pa rritje borxhi. Këto reforma në ekonominë reale dhe mirëfunksionimin e shtetit ligjor do t’ju ofrojnë shqiptarëve mundësi më të mira për ata dhe fëmijët e tyre.
Pikërisht raporti midis qëllimit të fitimit të zgjedhjeve duke (mos) dëmtuar elementet thelbësore të zhvillimit, raporti midis së sotmes dhe së ardhmes, mbeten provat reale si për mazhorancën dhe për opozitën sepse qartësojnë shërbimin e tyre ndaj problemeve jetike dhe shpresave për të ardhmen edhe të votuesve dhe mbështetësve të tyre.