Manifesti i Shqipërisë globale
FADIL LEPAJA
Është rrugë e gjatë! Shoferët e kamionit, në SHBA, e kanë një shprehje e cila në përkthim mund të përshtatet si: E kam parë qenin e zi. Ky fenomen paraqitet kur pas një kohe të gjatë duke vozitur pandërprerë, shoferëve fillojnë t’u përfytyrohen fotografi dhe pamje që nuk ekzistojnë. Si shkruajnë njohësit e kësaj fushe, porsa e “shohin qenin e zi”, shoferët e dinë se është koha e fundit për t’u ndalur dhe për të pushuar, më saktë, për të fjetur.
“Parkohu dhe fli” mbase nuk do të ishte një këshillë e keqe edhe për shoferët e stërlodhur të shtetit tonë të ri, pra një pjese të politikanëve, të cilët dekadën e fundit, qoftë nga pozita, qoftë nga opozita, e drejtuan timonin e shtetit. Po shohin gjëra që nuk ekzistojnë. Sidomos kur po flasin për sukseset. Ka nga ata që do të thonë se ata nuk janë lodhur fare. Ata, të shumtën e kohës kanë këqyrë nën rrugë. Pra të hysh nën rrugë, të vozitësh rrugëve të parrahura, për dikë duket të ketë qenë krejtësisht normale. Por, të gjithë e dinë që nga rrugët e rrahura, nuk fitohet shumë. Ekstra-profiti, po përdorim një shprehje marksiste, vjen vetëm nga… le krejt!
Askush nuk po e di kah vjen ekstra-profiti. Nuk e di as antikorrupsioni. As inteligjenca. As prokurorët. As… kush bre! Ekstra-profiti vjen prej kërkah, sepse ne i kemi politikanët gjenialë. Zero + zero = 1.000.000! Pra gjashtë zero, edhe ai vetë një, krejt këto bëjnë një milion! Por, askush nuk e di si u bënë milionerë. Shteti jo, se jo! E dimë ne, do të thoni. Ani çka nëse e dimë?
Pra askush nuk e di, përveç disa gazetarëve. Ata të cilët dikur fotografoheshin publikisht me shtetin dhe ishin pjesë e ofertës politike. Pastaj u hoqën nga oferta. Tani, jetojnë… nga kritika.
Eh, shteti! Kjo ëndërr e jona shekullore! E ku bëhet Shqipëria me shqiptarë or vëlla, po thoshte një humorist në “Portokalli” dhe do ti, e politika jonë e mori këtë si të mirëqenë! Nuk bëhet, u pajtuan ata, dhe… i çuan duart! Politika, tash, po provon me ba gjithçka tjetër përpos Shqipëri. Me e ba, Europë. Drejtpërdrejt! Se as ne, më, nuk jemi shqiptarë. Jemi, europianë. Të rinj e të vjetër, e ne disa edhe të moshës së mesme… por europianë. Mos na i shihni dhëmbët, Europë! Nuk jam autori i kësaj thënieje. E ka thënë At Fishta, më herët. Por, u keqkuptua. Deshi të thotë “le ta dijë bota mbarë se Gjergj Fishta është… europian!
Pastaj, nuk është koniunkturore, të jesh shqiptar. Fqinjët po shqetësohen sa herë që ne e përmendim. Nuk e durojnë as nëpër tokë e as nëpër qiell. Ata e kanë zaptuar edhe qiellin, si popull qiellor që janë. Ne na mbetet… veç Europa. Europa multietnike.
Pastaj po shqetësohen edhe fqinjët e fqinjëve, dhe kështu me progresion krejt kjo po merr përmasa planetare. Të jesh shqiptar, është bërë demode! E bënte dot Shqipërinë Ismail Qemali, me ato pikëpamje që kishte? Pa celular, “YouTube” e “Facebook”? E bëri kur e bëri, se tash nuk e bënte dot!
Kur jemi te mbledhjet, (ndër)kombëtare… të mbajtura mbi flamur, edhe qeveria e Kosovës do të vonohej në mbledhje, po të mbahej në Vlorë! Se… me autobus po udhëton, qeveria. Po kursen!
Ka që thonë se ka mund edhe të hapë linjën ajrore, të liruar nga tatimet, në relacionin Prishtinë-Tiranë. Pastaj kush fluturon, fluturon! Kush nuk fluturon dot, ikën autostradës… së kombit.
Por të kthehemi tek ideja. Të jesh shqiptar, kjo po që tingëllon si rrezik. Duhet bërë diçka me këtë çështje! Duhet ridizajnuar çështja jonë (ndër)kombëtare, në Ballkan! Qy Ballkan! Edhe më gjerë. Hidh ca vija të reja gjeopolitike në ekran dhe shtype F5! Bëje “refresh”! E bëjnë dot, timonierët tanë? Po fenomeni i quajtur “Qeni i zi”?
Lëre fare qenin e zi, por a e keni parë ndonjë pinguin që flet shqip? Papagall keni parë, sigurisht. Marinarët shqiptarë nëpër glob i mësuan të shajnë shqip. Por pinguinët nuk flasin shqip, megjithëse dyshohet që dikush t’u ketë mësuar atyre atë të ecurën karakteristike dhe krenare. Tipike shqiptare. Por, në Antarktik nuk flitet shqip. Nuk ka fakte, pra. E, në Alaskë, po. Ka shqiptarë atje. Ka edhe në Kinë. Kishim edhe në Japoni, ish-shefin e privatizimeve në Kosovë, por ai shkoi të ligjërojë në universitete në SHBA. Për privatizimet, në Kosovë, mbase. Por nejse, të mos ikim nga tema, se në Tokio, sërish do të shkojë dikush nga para… politika.
Shqiptarë, pra, ka edhe në …gjithkund. E ku nuk ka shqiptarë? Më shumë ka jashtë Shqipërisë sesa në Shqipërinë politike. Madje as Shqipëria natyrale më nuk e përfshin krejt shqiptarinë. Si ide politike, Shqipëria natyrale është vjetruar, ende pa u lindë mirë. Nuk e përfshin shtrirjen e shqiptarëve nëpër glob. Fundja, kjo shkapërderdhje e kontinenteve nuk mund të quhet natyrale. Po të ishim kinezë, do të thoshim, se nuk na mban toka. Kështu, s’ka asnjë arsyetim, e madje s’ka as edhe një slogan që e krijoi lidhjen emocionale në mes të shqiptarëve që jetojnë me pinguinët, dhe atyre me arushat e bardha në veri… Ka ardhur koha për një program politik, përtej ballkanik.
Duke pasur parasysh se Shqipëria europiane tashmë veç është shlyer nga (keq)përdorimi dhe më nuk shpreh ambiciet tona nacionale, atëherë mbetet veç një: Shqipëria globale! Por shoferët e shteteve tona të vogla a kanë patentë trans-kontinentale? A e ngasin dot këtë ide, fillimisht nëpër autostradat kulturore të globit? E ngasin dot intelektualët tonë, të cilët…? Nuk e ngasin!
Po ju rrëfej për një mik virtual, një shqiptar nga një kontinent tjetër. Ai është një shqiptar global, i cili tërë ditën vozit kamionin e tij prej lindjes së kontinentit në perëndim dhe anasjelltas. Edhe pse i lindur dhe i rritur atje, ai gjithsesi brengoset për fatin e kombit. Më mban rregullisht “ders” për patriotizëm… dhe ka të drejtë. Unë jetoj në Shqipëri më thotë. Shqipëria ime është, globale. Jam pjesëtar i dhjetëra grupeve shqiptare, ne rrjetet sociale. Jap donacione. Por, me Kushtetutë, ai nuk është shqiptar. Është amerikan. Shumë të tjerë janë kanadezë, gjermanë, francezë, anglezë… nga pasaporta. Duhet një manifest! Shqipëria kulturore është globale!
Pra, shqiptarë nga të gjithë planetët, bashkohuni! E ekzagjerova pak. Të provojmë edhe një herë: Shqiptarë nga të gjitha kontinentet, bashkohuni! Bëje “like”, njeri! Në botën e sotme, çdo gjë fillon me një “llajk”. Edhe atdheu…