Ekonomia

Manjani: Bankat duhet të jenë pronar të hipotekës, dixhitalizim të hartave

Bankat duhet të jenë pronare të hipotekës që në karabina, si dhe duhet të dixhitalizohen hartat e pronësisë, ky është propozimi, që vjen nga Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.
I pranishëm në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut, Ministri Manjani prezantoi pr/ligji e hartuar nga institucioni që ai drejton, për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për “Pasuritë e Paluajtshme”.

Në fjalën e tij, Ministri Manjani nënvizoi rëndësinë e këtyre ndryshimeve. Ai vuri në dukje se çështja vjen edhe me kërkesë të Fondit Monetarë Ndërkombëtarë, teksa shtoi se ky pr/ligj do të mënjanojë dhe shitjen fiktive të pasurive të paluajtshme. “Qeveria ka hartuar një ligj të ri për regjistrimin e pasurive të paluajtshme që synon të shmang shitjen fiktive të apartamenteve, duke shuar në këtë mënyrë një konflikt shumë vjeçar në shoqërinë shqiptare. Ne duam të mënjanojmë disa nga problematikat kryesore që janë shfaqur vitet e fundit”, tha Manjani.
“Banka duhet të bëhet pronare e objektit që në karabina. Hipoteka duhet të bëjë kalimin e procedurave të falimentit”, vijoi Manjani.

Ministri Manjani nënvizoi edhe rëndësinë e dixhitalizimit të hartave të pronave, si zgjidhje përfundimtare të kaosit të krijuar pasi në Hipoteka është konfuzion i jashtëzakonshëm dhe ka harta të mbivendosura për pronat.

Komisionet parlamentare të Kuvendit kanë nisur që prej ditës së hënë  shqyrtimin e pr/ligjit “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të miratuar nga qeveria shqiptare që synon t’i japë fund abuzimeve të kompanive të ndërtimit në dëm të bankave dhe qytetarëve që porosisin e blejnë apartamente, dyqane apo zyra. Në relacionin që shoqëron pr/ligjin thuhet se ndryshimet ligjore janë pjesë e paketës për uljen e nivelit të kredive me probleme pasi thjeshton procedurat e ekzekutimit të kolateralit.

Sipas ndryshimeve, kompanitë e ndërtimit do të kenë detyrimin ligjor të regjistrimit, si të lejes së ndërtimit ashtu edhe të kontratave të sipërmarrjes të lidhura ndërmjet zhvilluesit të pronës, pronarëve të truallit dhe blerësve apo porositësve të apartamenteve e ambienteve të tjera të godinës që ndërtohet. Këto ndryshime synojnë edhe t’i japin zgjidhje problematikave të konstatuara me ndërtimet në Tiranë ku janë të shumta rastet e shitjes së apartamenteve apo godinave më shumë se 1 herë apo vendosja e tyre si garanci për kredi pa dijeninë e porositësve.

Një ditë më parë, Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.

Zv/ Ministri i Drejtësisë, Arben Isaraj, relatoi para anëtarëve të komisionit, disa prej risive që paraqet kjo nismë, duke evidentuar shqetësimin e rritjes së kredive të këqija.

Relatori i këtij projektligji, Ervin Bushati tha se ky projektligj synon disa rregullime, me qëllim uljen e nivelit të NPL-ve si dhe bën disa përmirësime në drejtim të menaxhimit të buxhetit të zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
“Projektligji parashikon tre ndryshime. Saktëson se të ardhurat e papërdorura të vitit korrent mbarten në vitin buxhetor pasardhës dhe përdoret në projektet e investimeve në drejtim të regjistrimit fillestar,përditësimit të të dhënave si dhe dixhitalizimin e sistemit të të dhënave të pasurive të paluajtshme. Ndryshimi i dytë, forcon sigurinë juridike të palës së tretë lidhur me kontratat e sipërmarrjes, mbi ndërtimet e reja duke bërë të detyrueshëm regjistrin e kontratës së sipërmarrjes nga çdo palë. Ndryshimi i tretë, rregullon problematikat lidhur me regjistrimin e karabinave dhe statusin e mëtejshëm të kësaj pasurie kur kalon në procesi të një banke kreditore në përfundim të procedurave përmbarimore”, tha Bushati.

Deputeti i PD-së, Ridvan Bode u shpreh se kjo nismë do të mënjanojë disa fenomene negative që prekin qytetarët, ndërsa theksoi se rritja e kredive të këqija lidhet me situatën ekonomike. “Çështja e parë ka të bëjë me regjistrimin e karabinave në proces ndërtimi. Është çështja që lidhet me tatimet dhe ne nuk kemi asnjë kontribut nga ana e tatimeve për të na deklaruar se çfarë implikimesh sjell në procedurat e tyre. Unë e konsideroj me vend që mbron qytetarin dhe të ardhurat e shtetit, mënjanon ato fenomene që kanë ndodhur shpesh, të lënies “jetim” të pallateve të tëra pa pronarë apo pa përgjegjës, duke bërë që qytetarët të mos përfitojnë brenda pagesës së tyre, hipotekën. Çështja e dytë ka të bëjë me ekzekutimin e kolateralit.  Ky është një nga ato fusha ku kreditë e këqija u rriten bankave, por kam bindjen se është më i vogli. Çështja e rritjes së kredive të këqija është e lidhur ngushtë me atë që po kalon ekonomia”, tha Bode.

Nisma evidenton faktin se ndryshimet ligjore janë pjesë e paketës për uljen e nivelit të kredive me probleme, pasi thjeshton procedurat e ekzekutimit të kolateralit. Referuar këtyre ndryshimeve, kompanitë e ndërtimit do të kenë detyrimin ligjor të regjistrimit, si të lejes së ndërtimit ashtu edhe të kontratave të sipërmarrjes të lidhura ndërmjet zhvilluesit të pronës, pronarëve të truallit dhe blerësve apo porositësve të apartamenteve e ambienteve të tjera të godinës që ndërtohet.

Ato synojnë që t’i japin zgjidhje problematikave të konstatuara me ndërtimet në Tiranë ku janë të shumta rastet e shitjes së apartamenteve apo godinave më shumë se 1 herë apo vendosja e tyre si garanci për kredi pa dijeninë e porositësve. Pas diskutimeve, anëtarët e shumicën votuan pro këtij projektligji, ndërsa opozita abstenoi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button