Maqedonci: Kosova i ka kërkuar SHBA-së diskutime për blerjen e helikopterëve për FSK-në
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, thotë se kërkesa është adresuar nga komandanti i FSK-së dhe se blerja do të zhvillohet përmes programit amerikan FMS, ndërsa fokusi i radhës është mbrojtja ajrore.
Kosova i ka adresuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkesën për të diskutuar blerjen e helikopterëve për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në një intervistë për Ekonomia Online.
Sipas Maqedoncit, kërkesa është adresuar nga komandanti i FSK-së, ndërsa procedurat e blerjes do të zhvillohen përmes programit amerikan FMS, ku kërkesa dërgohet në Departamentin Amerikan të Luftës dhe prej andej zhvillohen negociatat dhe prokurimi. “Kemi prokuruar normalisht edhe dronët, pra fluturaket pa pilot, që kemi tri lloje aktualisht në Forcën e Sigurisë së Kosovës”, ka thënë ministri, siç transmeton Ekonomia Online.
Fokusi i radhës në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse, sipas ministrit, do të jetë mbrojtja ajrore. “Fokusi ynë në vazhdim do të jetë mbrojtja ajrore, pra mbrojtja nga sulmet eventuale ajrore, mbrojtja e hapësirës ajrore të Kosovës, dhe për këtë çështje jemi duke koordinuar dhe bashkëpunuar me partnerët tanë amerikanë”, ka deklaruar Maqedonci, duke shtuar se edhe mbështetja ajrore, ku përfshihen helikopterët, është pjesë e këtij plani.
Në intervistë, ministri ka folur edhe për armatimin e blerë gjatë viteve të fundit, duke theksuar se FSK-ja ka shtuar llojet e sistemeve të armatimit, si dhe për kërcënimet që, sipas tij, Serbia paraqet për sigurinë e Kosovës dhe të rajonit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.