Maqedoni, shpërndahet Parlamenti. Zaev: Do bojkotojmë zgjedhjet e 5 qershorit
Parlamenti i Maqedonisë është shpërndarë të mërkurën pak para mesnate, pa miratuar dorëheqjet e 2 ministrave dhe 3 zv.ministrave nga radhët e LSDM-së. Në këtë mënyrë ata do të vijojnë të kryejnë funksionet e tyre në qeverinë teknike e cila ka për detyrë të organizojë zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni.
Në ditët në vijim pritet që kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, të firmos vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve më 5 qershor.
Menjëherë pas shpërndarjes së Parlamentit, kryetari i LSDM, Zoran Zaev, ka njoftuar se opozita maqedonase nuk do të merr pjesë zgjedhjet e 5 qershorit, pasi sipas tij, nuk janë plotësuar kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike.
Ndërkohë, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ende nuk kanë dhënë asnjë vlerësim nëse janë përmbushur kushtet për zgjedhje korrekte. Anëtarët e këtij komisioni kanë dallime të mëdha rreth mundësisë së pastrimit të listës zgjedhore nga votuesit e dyshimtë në afatin e paraparë.
Përderisa anëtarët e VMRO-DPMNE-së në KSHZ thonë se ka ngelur edhe pak punë për pastrimin e listës, kolegët e tyre nga LSDM-ja thonë se ky proces vetëm sa ka nisur dhe është e pamundur të përfundojë në kohë.