Markimi karburanteve, një tjetër koncesion problematik; shkelet rëndë kontrata
Tani në krye të dy viteve qysh kur nisi nga puna, koncesioni i markimit të karburanteve nga GFI Albania nuk po kryen funksionin themelor për të cilin ka kontratën me qeverinë shqiptare. Shoqata e Hidrokarbureve lajmëron qeverinë, por nuk ka kundërveprim. Prej dy dekadash, qeveritë shqiptare u kanë krijuar kosto të paimagjinueshme qytetarëve të tyre duke i ngarkuar me taksa e pagesa nëpërmjet koncesioneve të keqnegociuara. Pavarësisht se shembujt e shumtë janë të zymtë, disa nga këto koncesione pas nisjes së punës janë në fiktivitet të plotë e për më tepër, qeveria bën një sy qorr t’iu kërkojë llogari. Një nga këto është koncesioni i markimit të karburanteve, nga GFI Albania, i cila po ushtron aktivitet në mospërputhje të plotë të kontratës që ka me qeverinë shqiptare. GFI Albania, nëpërmjet një kontrate 10-vjeçare që kushton 150 milionë euro, duhej të ngjyroste naftën në përputhje me qëllimin e përdorimit, me qëllim eliminimin e abuzimit me cilësinë e destinacionit dhe në fund shmangien e taksave. Mirëpo Shoqata e Hidrokarbureve thotë se kompania nuk po plotëson asnjë nga këto detyrime, nuk ka bërë asnjë investim dhe për rrjedhojë, kontrata koncensionare është shkelur në të gjitha pikat.
Skema e mosfunksionimit
Në një letër të posaçme për këtë çështje, Shoqata e Hidrokarbureve ka lajmëruar Ministrinë e Financave si palë kontraktore me koncesionarin, se po lejon GFI Albania të shkelë të gjitha të drejtat dhe të abuzojë në mënyrë të paligjshme mbi subjektet detyruese, pa asnjë lloj alternative kontrolli, ankimimi dhe as kërkese për zbatimin e investimeve që ai detyrohet me ligj. Në kontratë midis Ministrisë së Financave dhe GFI, shtojca 4, përcaktohet qartë specifikimi teknik për makineri dhe pajisje, se koncesionari duhet të ndërtojë për injektimin e markuesit në karburant një sistem injektimi manual ose automatik dhe sistemi i pompave të procesionit duhet të jetë i kompjuterizuar dhe të transmetojë në kohë reale të dhënat. Por sot e kësaj dite, njofton Shoqata, investimi është zero. Nuk është ndërtuar asnjë impiant. Injektimi bëhet duke hedhur markuesin nga disa epruveta në autobot. Ndërsa përqendrimi i markuesit, sipas marrëveshjes, duhet të jetë 4 gr për 1000 litër, hedhja me dorë e ngjyrës në autobot e bën totalisht të pamonitorueshme këtë normë.
Paradoksi tjetër është se grosistëve, GFI, nuk u jep asnjë certifikatë cilësie për markuesin që hidhet në karburant dhe për më tepër, asnjë autoritet shqiptar nuk e certifikon. Për më tepër, koncesionari nuk garanton homogjenitetin e përqendrimit të markuesit në momentin e markimit (për arsye se nuk ka ndërtuar impiantet përkatëse), por pretendon se kjo ndodh, pasi autoboti të këtë udhëtuar të paktën 10 km.
Sipas këtij kriteri absurd që aplikon koncesionari, meqenëse shumica e konsumit është e përqendruar në Tiranë-Durrës, i bie që shumica e autoboteve të mos e përshkojnë këtë distancë, çka do të thotë se monitorimi që kërkohet të bëhet në treg është vetëm një tallje dhe dhunim i subjekteve detyruese. Ligji i detyron grosistët që pas markimit në magazina duhet të mbahet një mostër nga karburanti, në mënyrë që ajo të krahasohet me pikat e pakicës. Por në kushtet në të cilat kryhet markimi, kjo nuk mund të ndodhë. Shoqata e Hidrokarbureve i ka bërë thirrje qeverisë, e cila në pamundësi për të prishur kontratën, duhet të penalizojë kompanitë për moszbatimin e saj.
Tarifa që grosistët e naftës i paguajnë koncesionarit është 614 lekë plus TVSH-në, për 1000 (një mijë) litra të markuara. Vendimi i qeverisë i majit 2013 përcakton se subjektet e detyruara duhet të porosisin dhe të paguajnë shërbimin e shënjimit pranë pikave të posaçme të ngritura nga koncesionari për këtë qëllim.
Shërbimi i shënjimit do të kërkohet nga subjektet e detyruara dhe do të realizohet nga koncesionari përpara kryerjes së pagesës së detyrimeve fiskale për produktet e shënjimit në zotërim të subjekteve të detyruara. Autoritetet doganore apo tatimore, sipas rastit, nuk do të pranojnë shlyerjen e detyrimeve fiskale nga subjektet e detyruara sipas këtij vendimi, përpara se këta të fundit të kenë kryer shërbimin e shënjimit mbi produktet e tyre. Mirëpo ndërsa grosistët po e paguajnë tarifën sipas këtyre përcaktimeve ligjore, markimi i karburante nuk po funksionon sipas kontratës dhe qeveria nuk po e penalizon kompaninë.
Autoriteti i Konkurrencës evidentoi në lidhje me këtë koncesion, se para nënshkrimit të marrëveshjes koncesionare apo gjatë procedurës për dhënien e koncesionit, nuk është respektuar nga Ministria e Financave detyrimi që përcaktohet në nenin 2/1c dhe 69/1/b të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” , për të marrë vlerësimin e Autoritetit në rastet kur vendosen të drejta ekskluzive apo të veçanta.
Neni 69 i Ligjit për Konkurrencën parashikon se “detyrimet për organet qendrore dhe vendore kërkojnë vlerësimin e Autoritetit të Konkurrencës për çdo projekt-akt, që ka të bëjë, ndër të tjera, me kufizimet sasiore për hyrjen në treg të të drejtave ekskluzive, për ndërmarrje ose për produkte të caktuara”. Autoriteti vlerëson se, Ministria e Financave nuk ka kërkuar paraprakisht mendimin e Autoritetit për këtë kontratë koncensionare, për kryerjen e vlerësimin të saj në respektim të detyrimit ligjor (neni 69).
Kontrata përmban klauzolë ekskluziviteti, dhe konkretisht në nenin 7, pika 7.1, (iv) “Të drejtat e Koncesionit do të jenë ekskluzive dhe Koncesionari do të ketë të drejtën e vetme dhe ekskluzive të ushtrojë të drejtat e Koncesionit të dhëna sipas kësaj Kontrate”.
Sipas Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, palët e interesit, Shoqata e Hidrokarbureve, ndër të tjera është ankuar se është cenuar konkurrenca nëpërmjet vendosjes së një situate monopol në treg, është cenuar liria ekonomike, si dhe janë shkelur marrëveshjet ndërkombëtare ku Shqipëria është palë.
Ndërsa Autoriteti i Konkurrencës në këtë proces është shprehur se nuk janë respektuar dispozitat e ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” (i ndryshuar), duke mos marrë mendimin e Autoritetit para dhënies së kësaj të drejte ekskluzive, si dhe se Autoriteti i Konkurrencës do të kryejë hetime, në rastet kur vihen re shkelje të mundshme me pozitën dominuese në tregun në fjalë.
Autoriteti i Konkurrencës i ka kërkuar Ministrisë së Financave të kërkojë zbatimin me përpikëri të marrëveshjes koncesionare për markimin dhe monitorimin e karburantit të importuar dhe prodhimit vendas, si dhe të naftës bruto. Gjithashtu, Autoriteti i Konkurrencës u ka kërkuar institucioneve monitoruese që brenda një kohe të përshtatshme të realizojë analizën e plotë të rezultateve gjatë fazës së parë të monitorimit deri në fund të vitit 2014.
Pse bëhet markimi
Ndodh shpesh që produktet me çmim më të ulët përzihen me karburantet më të shtrenjta. Produktet e përziera kanë ndikime të shumta negative ndaj automjeteve, mjedisit, shëndetit publik dhe mjeteve të shpërndarjes së karburanteve. Përzierja është e përhapur në vendet ku ka naftë bruto dhe nënprodukte të saj, parafinë apo karburant avionësh, të cilat përzihen shpesh me naftë dhe shiten me një çmim më të lartë. Një gjë e tillë ndodh në zona ku çmimet e produkteve të tilla dallojnë nga njëra-tjetra dhe ku ka dallime mes taksave dhe subvencioneve për produktet e karburantit dhe solventëve. Shqipëria është një vend ku problemet e shkaktuara nga përzierjet janë të dukshme, duke reduktuar të ardhurat buxhetore dhe duke shkaktuar shumë dëme për konsumatorët dhe mjedisin.
Në web-in e saj zyrtar, GFI Albania shprehet se, Shqipëria është një vend me një industri komplekse të karburanteve. Nga njëra anë, Shqipëria ka fushën më të madhe naftëmbajtëse kontinentale në Europë, por nga ana tjetër, për sa i përket karburanteve të rafinuara për konsum, në treg operojnë rafineritë vendase, si dhe subjektet që kryejnë importin e karburanteve për tregun lokal si dhe për rieksportim, kryesisht drejt Kosovës. Rrjedhimisht, Shqipëria mbetet një vend vulnerabël për sa u përket rreziqeve të përzierjes, kontrabandës së karburanteve, cilësisë së dobët etj. Këto probleme shkaktojnë humbje kolosale fiskale për qeverinë çdo vit. Ndaj që për t’i dhënë fund këtij problemi, qeveria në vitin 2011 vendosi të bëjë markimin për të eliminuar këtë përzierje në dëm të konsumatorëve të karburanteve nëpërmjet koncesionarit të ri. Por sipas dëshmive të grosistëve markimi jo vetëm nuk po funksionon për qëllimin themeltar të tij, por është shndërruar në një kosto shtesë për industrinë, e cila po paguhet nga konsumatorët. Nga të dhënat e bilancit, GFI Albania e ka mbyllur vitin 2014 me një pozitë jo të mirë financiare. Humbjet u thelluan me 84% në vitin 2014, me 183 milionë lekë nga 99 milionë lekë që raportuan në bilancet e 2013 të dorëzuara në QKR.