Kryeartikull

Marrëveshja që komandon votën e sovranit

ALEKSANDËR ÇIPA

Aleksander CipaMënyra se si po raportohet marrëveshja në proces Rama-Meta, për përcaktimin dhe ndarjen e kandidatëve për kryetarë në 61 bashkitë e reja, lë shumë vend për diskutime dhe komente. Sikundër përjashton ende një analizë të thellë dhe vlerësuese për peshën dhe vlerën reale politike të saj. Është e pamundur të flitet pastaj për rezultatin dhe sidomos pasojat që mund të shkaktojë kjo procedurë e saposhfaqur në tryezën e kryetarëve Rama-Meta.

Shumica e reporterëve bënë me dije se në 1 prill do të përmbyllet marrëveshja e bashkëkryetarëve të koalicionit “Për një Shqipëri Europiane”, duke publikuar ndarjen e numrit të kandidatëve zyrtarë që do të mbështeten nga të dy partitë e koalicionit të majtë. Ndarja e numrit do të bëhet në tryezën Rama-Meta, ndërsa miratimi i listës emërore të kandidatëve mund të ketë procedura të tjera. Në fakt, procedura emërzuese brenda partive ka nisur. Deputetët “guvernatorë” kanë filluar selektimin, testimin dhe intervistimin e kandidatëve për kryetarë bashkie që dalin me pretendimin se do të jenë për PS-në apo LSI-në. Kjo është një procedurë që tenton të fitojë provën e matjes së reagimeve dhe e veçimit të forcave që mbështesin disa prej pretenduesve brendapartiakë. Në këtë plan, duket se koalicioni i majtë po e formalizon procesin përzgjedhës një kohë më parë sesa partia kryesore e opozitës apo koalicioni opozitar, i cili ende nuk është shprehur zyrtarisht. Megjithatë, kjo nuk sjell dhe nuk mbart asnjë element prove për demokracinë e vetëkandidimit apo atë të përzgjedhjes në forumet partiake. Ky element i demokracisë partiake tashmë është i shuar edhe si akt informal.

Sidoqoftë, procesi është në ecurinë e vet. Pasojat dhe reagimet që priten të shfaqen pas finalizimit mund të jenë të shumta. Ilariteti që do të pasojë ka për të qenë i madh dhe diversiteti shumë më prezent se në ture të mëparshme zgjedhore. Duhet thënë qysh tani, se procesi i kandidimeve dhe i shpalljes së konkurrentëve për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, tashmë konsiderohet pa frikë, si një ndër më të centralizuarit në historinë e zgjedhjeve të post ’91-it. Nuk është e tepërt të thuhet se kryetarët e partive kryesore politike në vend ia kanë dalë të neutralizojnë plotësisht partitë e vogla dhe të skualifikojnë nga pretendime partitë që kanë një domen elektoral të provuar historikisht. Kjo natyrisht në realitetin shqiptar lidhet me rrethana të njohura të ekzistencës së entiteteve apo pakicave etnike. Në këtë rrethanë, pas ndryshimit të hartës administrative, gjenden parti si PBDNJ, (vendimmarrjen e së cilës e përcakton edhe përfshirja e organizatës OMONIA apo partia tjetër e re e pakicës greke, MEGA). Ky subjekt politik edhe pse e ka të parapërcaktuar mundësinë e fitores së kandidatëve të saj për kryetarë bashkie në Dropull apo në Finiq, sërish mbetet e varur nga strategjia marrëveshëse me njërën prej dy forcave kryesore PD dhe PS. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për PDIU, e cila përfaqëson një entitet elektoral të veçantë, si ai çam. Kjo forcë politike suksesin e merituar apo të pretenduar, në dy apo tri njësi elektorale e ka të kushtëzuar nga strategjia dhe qëndrimet pragmatiste që do të manifestojë me dy prej forcave kryesore. Edhe në këto dy raste, procesi i përcaktimit të kandidatëve për kryetarë bashkish është sikundër te partitë kryesore, PD dhe PS apo së fundi edhe LSI.

Brenda këtij modeli centralizues, marrëdhënia përcaktuese e kandidatëve në raportet PS-LSI është shumë më kompleks nga sa duket. Kompleksiteti i kësaj procedure parathotë pasoja dhe probleme jo vetëm në ecurinë mishëruese të tij, por më së shumti, pasi bëhet fakt i kryer nga tavolina apo takimet kokë më kokë të dy bashkëkryetarëve. Ka pasur në dy prononcimet e fundit të kryetarit të PS-së dhe ai i LSI-së, pohime të paplota për formulën konkrete dhe atë të dakordësisë për numrin dhe emrat e kandidatëve zyrtarë nga të dyja forcat. Madje, për të evituar interpretimet mediatike, të dy vendimmarrësit pas takimeve të fundit, kanë rikthyer në publik përcaktimin e harruar si bashkëkryetarë të koalicionit “Për një Shqipëri europiane”. Rikthimi i këtij termi më shumë potencon vlerën bilaterale të diskutimit dhe vendimmarrjes Rama-Meta, sesa kontribuon për semantikën reale të emërtimit elektoral të sendërtuar për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2013. Por publiku, sidomos të interesuarit dhe grupet e interesit, janë kryekrejt të përqendruar te ndarja dhe emrat që do të përcaktohen nga takimet Rama-Meta. Pas kësaj vijnë e do të pasojnë reagimet, refuzimet, kundërshtitë dhe pse jo, diversiteti i pritshëm elektoral, partiak dhe politik. Shenjat për këto pasoja janë të plota.

Në PS ka një heshtje të plotë dhe pritmëni e cila të le shijen e një parastuhie të brendshme, ndërsa pritet ndeshja elektorale. Formula e ndarjes së hisesë së përfaqësuesve për kandidatë në 61 bashki, ka shkaktuar vetëm reagime sporadike nga individë dhe grupe në bazë. Rasti i pakonfirmuar për kandidatët e LSI-së në Berat, në Gjirokastër apo në Lezhë, vlen si një kampion i provokuar për të verifikuar reagimin e niveleve bazike të PS-së, si dhe për të testuar pse jo edhe elektoratin lokal. Këto raste të përmendura, por jo të konfirmuara ende, të lënë shijen e një sprove të vështirë me të cilën dy udhëheqësit e së majtës, por sidomos edhe dy partitë në procesin zgjedhor të pritshëm, duhet të llogarisin sjelljen e sovranit.

Pas përcaktimit të kësaj skeme të kandidimeve nga dy partitë e koalicionit, një tjetër proces pritet të pasojë. Është ai klasiku, i luftës së bërrylave dhe i diversioneve që ndodhin klasikisht mes atyre që duan rikandidim dhe atyre që shfaqen rishtas, mes atyre që kanë mbështetjen tradicionale dhe atyre që vijnë si prurje e lidershipit të ri. Këtë të fundit e përjetojnë të gjitha forcat kryesore, por pasojat dhe gjurmët që lihen brenda tyre, natyrisht që nuk janë të njëjta.

Problemet më të mëdha mund t’i hasë dhe do t’i presë padyshim Kryeministri Rama. Pse pritet dhe parashihet të jenë më të mëdha pasojat, për Kryeministrin Rama?

Arsyet janë shumë dhe po kaq shumë janë të parathëna në këtë periudhë. Në PS ka një realitet diferencash mes brezit të udhëheqësisë së vjetër dhe asaj të re. Është një diferencë aktive, pa antagonizëm të shpallur dhe e pambërritur në akt diversiv ndaj qëndrimeve dhe vendimeve politike kolegjiale. Zëri i Ben Blushit dhe kritika politiko-publicistike e tij ndaj qeverisë dhe Kryeministrit Rama duket se janë paradhoma e një refuzimi të pritshëm gjatë dhe post procesit elektoral. Nga ana tjetër, arsyeja më potenciale lidhet me atë që mund të konsiderohet transferimi i gravitetit elektoral brenda së majtës. Hiseja që po merr LSI, po perceptohet si tejkalim i peshës faktike dhe meritokracisë reale elektorale, në spektrin e majtë. Se sa do të rezultojë faktik ky perceptim, kjo do të dëshmohet në zgjedhje. Ajo që mund të thuhet momentalisht ka të bëjë me një perceptim masiv se graviteti i votës së sovranit po llogaritet paraprakisht si e drejtë  e udhëheqësve dhe jo si e drejtë përcaktuese e qytetarëve për qeverisësit e vet vendorë. Kjo përllogaritje po i jep kësaj here votës kuptimin më të lartë politik që mund të ketë pasur, sikundër edhe vetë procesi i 21 qershorit po paracaktohet dhe përgatitet si një ndeshje politike që e ka tradhtuar paraprakisht të drejtën e qytetarit për përcaktimin dhe vetëzgjedhjen e administratorëve të qeverisjes vendore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button