Masa dhe kriteret e reja për të përfituar ndihmën ekonomike
Skema e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë do të pësojë ndryshime sa i takon kritereve dhe afateve të aplikimit.
Udhëzimi më i fundit i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, i cili gjatë ditës së djeshme është zbardhur edhe në Fletoren Zyrtare, përcakton se skema e re e ndihmës ekonomike do të funksionojë duke nisur nga data 15 maj.
Ky udhëzim ka të detajuara edhe masat konkrete të pagesave që do të marrin sipas sistemit të pikëzimit të gjitha familjet në nevojë të kryeqytetit.
Aplikimi për pagesën e ndihmës ekonomike
Sipas kushteve të vendosura, familjet dhe individët në nevojë duhet të aplikojnë për ndihmë ekonomike përmes administratorëve shoqërorë në bashkitë dhe njësitë administrative ku kanë vendbanimin, procedurë të cilën duhet ta kryejnë brenda dhjetë ditëve të para të çdo muaji.
Çdo aplikim i hedhur pas kësaj date nuk mund të ndjekë procedurat për të përfituar pagesën gjatë këtij muaji, por do të mbartet për verifikim në listën e muajit pasardhës.
Konkretisht kanë të drejtë që të aplikojnë për ndihmë ekonomike, kryefamiljari së bashku me bashkëshorten, të cilët duhet plotësojnë dhe nënshkruajnë aplikimin për familjen.
Në udhëzim përcaktohet se tërheqja e kësaj pagese bëhet vetëm nga bashkëshortja, e cila është përgjegjëse për tërheqjen dhe marrjen në dorëzim të përfitimit të ndihmës ekonomike.
Për rastet kur në strukturën e familjes bashkëshortja mungon, të drejtën e tërheqjes së ndihmës ekonomike e ka kryetari i familjes. Kërkesat për ndihmë ekonomike mund të bëhen dhe të veçanta në rastet kur bashkëshortët janë në proces të zgjidhjes së martesës.
Verifikimi i kërkesave për ndihmë ekonomike
Bashkë me dosjen e dokumenteve të kërkuara, aplikuesit duhet të dorëzojnë edhe fotokopje të kartave të identitetit të aplikuesit dhe të anëtarëve të tjerë të familjes në moshë madhore. Pas marrjes së dosjes, administratori, në prani të bashkëshortëve interviston aplikuesin dhe plotëson formularin e aplikimit për ndihmë ekonomike.
Ky formular përmbledh informacionin mbi demografinë e familjes, arsimin dhe punësimin, llojin e banesës, pasuritë dhe asetet e tjera familjare, të ardhurat nga programet e mbrojtjes shoqërore dhe të ardhurat e tjera që mund të ketë kjo familje.
Administratori shoqëror duhet të mbajë aplikimin dhe dokumentet shoqëruese deri në 30 ditë, në mënyrë që aplikuesi të ketë mundësi të plotësojë dokumentacionin kur rezultojnë mungesa.
Nëse aplikuesi nuk siguron informacionin apo dokumentacionin e munguar brenda 30 ditëve, administratori shoqëror anulon aplikimin e bërë.
Udhëzimi saktëson më tej se administratori shoqëror verifikon situatën social-ekonomike të familjeve në nevojë brenda 3 muajve kur futen për herë të parë në skemë, si dhe dy herë në vit për të gjitha familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike, dhe hedh të dhënat përkatëse në Regjistrin Elektronik të Ndihmës Ekonomike.
Më tej, është Këshilli i Bashkisë që shqyrton projektvendimin së bashku me listat dhe merr vendim për propozimin e familjeve dhe individëve që duhet të trajtohen me ndihmë ekonomike.
Miratimi i këtyre listave i kalon drejtorive rajonale të shërbimit social shtetëror, të cilat pas verifikimit të të dhënave konfirmojnë përfundimisht familjet që do të përfitojnë këtë pagesë.
Këto drejtori mund të marrin vendim edhe për refuzimin e ndihmës ekonomike për familjet dhe individët që nuk klasifikohen nga sistemi i pikëzimit si familje në nevojë, të cilat për një periudhë të paktën 6 mujore nuk kanë të drejtë që të ribëjnë aplikim.
Përfituesit e ndihmës ekonomike duhet që të paraqiten dhe plotësojnë çdo 3 muaj deklaratën (nga data 1–15 të muajit) për marrjen e kësaj pagese, ku dhe konfirmojnë të dhënat përkatëse në lidhje me situatën ekonomike.
Në rastet kur familja ndryshon vendbanimin, krahas ndryshimit të gjendjes civile, bëhet edhe transferimi dokumentacionit të ndihmës ekonomike pranë njësisë administrative të vendbanimit të ri.
Llogaritja e masës së ndihmës ekonomike
Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror pas vlerësimit sipas sistemit të pikëzimit për familjarët dhe individët, llogarit masën e ndihmës ekonomike.
Megjithatë, pavarësisht nga përbërja e saj, masa maksimale e plotë e ndihmës ekonomike për familjen nuk mund të jetë më e lartë se 8,000 lekë në muaj.
Sipas formulës së zbardhur në udhëzimin përkatës, masa e ndihmës ekonomike për familje llogaritet 1800 lekë për anëtarin e parë të familjes sipas renditjes në certifikatën familjare, 1260 lekë për anëtarët e tjerë të familjes mbi moshën 18 vjeç, si dhe 900 lekë për anëtarët që janë nën moshën 18 vjeç.
Për bashkëshortët në proces zgjidhje martese, kur ende nuk ka një vendim gjykate të formës së prerë, masa e ndihmës ekonomike për secilin bashkëshort, do të jetë e përllogaritur në bazë të strukturës së familjes.
Për anëtarin e familjes në nevojë, që është person me aftësi të kufizuar, invalid pune, nuk llogaritet masë ndihme ekonomike sipas strukturës së përcaktuar për familjet.
Ndihma shtesë për familjet që nuk kanë pikët e duhura
Nëpërmjet një tjetër udhëzimi saktësohet se Këshilli i Bashkisë ka të drejtë të miratojë dhënien e ndihmës ekonomike për familjet që nuk janë përfituese nga sistemi i pikëzimit, duke përdorur deri në 6 për qind nga fondi i kushtëzuar për bllok-ndihmën ekonomike.
Sipas udhëzimit, Këshilli i Bashkisë miraton në fillim të vitit kriteret për familjet në nevojë që do të trajtohen me fondin deri në 6 për qind.
Këto familje në nevojë do të përzgjidhen nga lista e familjeve që kanë aplikuar brenda tre muajve të fundit nëpërmjet regjistrit elektronik për ndihmë ekonomike dhe që nuk janë shpallur përfitues nga sistemi i pikëzimit.
Për familjet që do të trajtohen me ndihmë ekonomike duhet të jetë kryer paraprakisht vlerësimi social ekonomik në familje nga administratori shoqëror.
Nuk mund të përfitojnë këtë ndihmë ekonomike familjet që nuk kanë aplikuar gjatë tre muajve të fundit për të marrë këtë lloj pagese.
Masa e ndihmës ekonomike për të gjitha kategoritë përfituese
- Pavarësisht nga përbërja e saj, masa maksimale e plotë e ndihmës ekonomike për familjen nuk mund të jetë më e lartë se 8 000 lekë në muaj.
- Masa e ndihmës ekonomike për prindërit me më shumë se dy fëmijë të lindur njëherësh është: Për trinjakë 3000 lekë për çdo fëmijë, për katërnjakë është 4000 lekë për çdo fëmijë, për pesënjakë është 5000 lekë për çdo fëmijë. Kjo ndihmë ekonomike përfitohet deri në moshën 18 vjeç.
- Masa e ndihmës ekonomike për viktimat e trafikimit është 3000 lekë në muaj dhe përfitohet pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore, deri në çastin e punësimit të tyre.
- Masa e ndihmës ekonomike për çdo viktimë të dhunës në marrëdhëniet familjare që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore, është 3000 lekë në muaj. Kjo ndihmë ekonomike përfitohet gjatë periudhës së vlefshmërisë të urdhrit të mbrojtjes, ose urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes të përcaktuar në vendimin e gjykatës.
- Masa e ndihmës ekonomike për çdo jetim është 3000 lekë në muaj. Kjo ndihmë ekonomike përfitohet nga jetimët që nuk janë në institucione deri në çastin e punësimit të tyre.
- Për rastet kur familja e përzgjedhur për të përfituar ndihmë ekonomike, është e përbërë vetëm nga një anëtar, i cili është mbi moshë punë, masa e ndihmës ekonomike është 2.600 lekë.
- Për anëtarët e familjes që janë fëmijë, për të cilët vërtetohet që ndjekin arsimin bazë deri në moshën 16 vjeç, marrin një shtesë në masën 300 lekë në muaj gjatë vitit shkollor.
- Për anëtarët e familjes që janë fëmijë, për të cilët vërtetohet që janë vaksinuar sipas kalendarit të vaksinimit marrin një shtesë në masën 100 lekë, për çdo vaksinë të kryer.
Përjashtimet për 6 muaj nga skema e ndihmës ekonomike
Përjashtohen nga përfitimi i ndihmës ekonomike, për një periudhë 6-mujore, familjet të cilat kanë në përbërje të tyre edhe një anëtar të vetëm që plotëson kushtet e mëposhtme:
- Kryen ndarje të qëllimshme të anëtarëve të familjes, kur nuk krijohet një kurorë e re, me përjashtim të rastit vajzë-nënë.
- Nuk tërheq ndihmën ekonomike brenda një afati 10 ditor nga dita e depozitimit në llogarinë bankare apo qendrave të kryerjes së pagesave nga Posta Shqiptare, për përfituesit e ndihmës ekonomike me përjashtim të rasteve kur kjo ka ndodhur për shkaqe të arsyeshme si shëndetësore dhe fatkeqësi.
- Refuzon verifikimin e situatës social ekonomike në familje. Refuzimi dokumentohet me procesverbal.
- Fsheh informacionin apo kryen deklarim të rremë mbi të dhënat e kërkuara.
- Nuk deklaron ndryshimet e situatës social ekonomike në deklaratën e paraqitjes çdo tre muaj të familjes.
- Refuzojnë përfshirjen në kurset e formimit profesional, ose refuzojnë ofertat e përshtatshme për punë të zyrave të punës, për anëtarët në moshë aktive pune të familjeve përfituese të skemës së ndihmës ekonomike, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për nxitjen e punësimit.
- Anëtarët në moshë aktive pune të aftë për punë që nuk rezultojnë punëkërkues të papunë, pranë zyrave të punës apo të vetëpunësuar pranë strukturave të tatimeve, me përjashtim të rasteve kur rezultojnë taksapagues pranë pushtetit vendor për tokën bujqësore në pronësi apo përdorim.