Bota

Masakra në Nicë ishte projektuar që prej një viti

Terroristi që organizoi sulmin në Nicë në Ditën e Bastijes e kishte planifikuar atë në detaje muaj më parë, madje sipas prokurorëve francezë, ai kishte mbi një vit që kishte menduar mënyrën sesi do të trondiste Francën dhe të shkaktonte sa më shumë viktima.

Ndonëse një çift shqiptarësh, 2 franko-tunizianë dhe një tunizian janë akuzuar nga gjykata kundër terrorizmit si bashkëpunëtorë të Mohamed Lahouaiej-Bouhlel, duket se 31-vjeçari është kujdesur vetë për gjithçka.

Në kompjuterin personal dhe në telefonin e tij celular, të sekuestruara nga policia, janë zbuluar detaje të reja, mes tyre foto dhe video të realizuara nga Bouhlel në Ditën e Bastijës një vit më parë. Këto prova të reja i kanë bërë prokurorët të besojnë se sulmi është menduar gjatë, ndoshta pas atij në redaksinë e revistës satirike “Charlie hebdo” në Paris në muajin janar.

Nga tabulatet telefonike por edhe nga kompjuteri personal, prokurorët kanë zbuluar se Bouhlel ka kërkuar muajt e fundit informacion për amfetaminë të tipit drogë Captagon, një lloj substance që përdoret nga xhihadistët për të reduktuar frikën dhe tensionin.

Në mesazhet në rrjetin e tij në Facebook, terroristi i shpjegon bashkëpunëtorëve sesi do ta mbushë kamionin me fishekzjarre dhe armë e më pas do të shtypë njerëzit, këdo që t’i dalë përpara. Ndër të tjera në telefonin e 31-vjeçarit janë gjetur edhe foto me çiftin shqiptar por edhe me bashkëpunëtorë të tjerë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button