Kronika

Matura 2017/ Kreditet për 50 lëndët që do jepen si provime me zgjedhje

Udhëzimi i miratuar nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Mirëqenies Sociale, përcakton kriteret për zhvillimin e provimeve të maturës, si dhe vlerësimin me kredite për 24 lëndët me zgjedhje të shkollave të mesme të përgjithshme dhe atyre artistike, si dhe kreditet e miratuara për 26 lëndët e provimeve me zgjedhje të arsimit profesional

Pranvera Kola

Fillon faza përgatitore për Maturën e 2017-s. Ministria e Arsimit dhe ajo e Mirëqenies Sociale kanë miratuar tashmë udhëzimin për organizimin dhe zhvillimin e provimeve të detyruara dhe atyre me zgjedhje të maturës. Për të fituar të drejtën e konkurrimit për studimet e larta, çdo maturant duhet të kalojë në të 5 provimet e maturës.

Nëpërmjet udhëzimit, të dy ministritë kanë zbardhur edhe listën me kreditet e 24 lëndëve që do japin si provime me zgjedhje nga maturantët e shkollave të mesme të përgjithshme dhe të shkollave artistike, si dhe kreditet me të cilat vlerësohen 26 lëndët e provimeve me zgjedhje për nxënësit që frekuentojnë arsimin profesional.

Sipas kushteve të përcaktuara në udhëzim, maturantët e shkollave profesionale në listimin e dy lëndëve që do të japin si provime me zgjedhje, duhet të plotësojnë kushtin që njëra nga lëndët të jetë pjesë vetëm e listës së dedikuar për këtë lloj arsimimi, ndërsa lënda tjetër nga grupi i lëndëve të aprovuara për të gjitha profilet e tjera të shkollave të mesme në vend.

Provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje

Nxënësit që janë në përfundim të shkollës së mesme do të japin si provime tre lëndët e detyruara, matematikë, gjuhë letërsi, gjuhë e huaj, si dhe dy lëndët preferenciale që do të përzgjidhen sipas kushtit të përcaktuar për nivelin e krediteve.

Testi i gjuhës së huaj (D3) do të hartohet në përputhje me gjuhën e cila është zhvilluar në planin mësimor të maturantit dhe do të jetë i nivelit gjuhësor B1.

Në listën e gjuhëve të huaja që do të jepen si provime të detyruara përfshihen anglishtja, italishtja, frëngjishtja, si dhe gjuha gjermane.

Gjuha e huaj si provim i detyruar përzgjidhet gjatë plotësimit të formularit A1 dhe A1Z. Kandidatët e viteve të kaluara, matura 2014-2016, që kanë rezultuar jokalues në provimin e gjuhës së huaj, duhet ta rihapin sërish gjatë maturës së këtij viti.

Ndërsa kandidatët e tjerë, që rikthehen sërish në garë, por janë kalues në këtë provim do të ndjekin procedurat e tjera të përcaktuara nga MAS. Në të njëjtën linjë veprohet edhe për provimet e tjera, qofshin këto të detyruara, apo me zgjedhje.

Në rastin kur gjuha e huaj jepet si provim me zgjedhje, testi do të jetë i një niveli më të vështirë, përkatësisht i nivelit B2. Vlerësimi me kreditet maksimale edhe për maturën e këtij viti shkon për gjuhën e huaj, e cila vlerësohet me 10 kredite në total.

Për renditjen e dy provimeve me zgjedhje, maturantët duhet të plotësojnë disa kritere të përcaktuara në lidhje me shumën e krediteve që sigurohet nga secila lëndë.

Kriteret e listimit të dy provimeve me zgjedhje  

Sipas udhëzimit, maturanti ka të drejtë që të përzgjedhë dy lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje, pavarësisht faktit nëse i ka zhvilluar ato në programin mësimor të shkollës që ka ndjekur.

Lidhur me kriteret e përzgjedhjes së këtyre lëndëve, konfirmohet se shuma e krediteve të 2 lëndëve, nuk duhet të jetë më e vogël se sa 8 kredite.

Në tabelën bashkangjitur shkrimit gjeni të plotë listën e krediteve të miratuara për të 50 lëndët që do të jepen si provime me zgjedhje nga maturantët që ndjekin gjimnazin e përgjithshëm, shkollat artistike dhe ato profesionale.

Konkretisht, maturantët që ndjekin shkollën e mesme të profilit artistik, duhet të përzgjedhin njërën lëndë nga profili i shkollës së tyre, dhe tjetrën nga grupi i lëndëve të përcaktuara për të gjitha shkollat e tjera të mesme.

Ndërsa, maturantët e shkollave të mesme profesionale do të zgjedhin një lëndë nga lista e përcaktuar vetëm për shkollat profesionale, sipas drejtimit të shkollës që ndjekin, ndërsa lëndën tjetër mund ta përzgjedhin nga grupi i lëndëve të aprovuara për shkollat e tjera të mesme.

Sa i takon lëndëve të thelluara dhe atyre bërthamë, udhëzimi vendos kushtin që : Maturanti kur zgjedh një lëndë të thelluar, nuk mund të zgjedhë njëkohësisht si provim të dytë, të njëjtën lëndë, por të nivelit bërthamë (përjashtuar lëndët e gjuhës shqipe dhe letërsisë, matematikës dhe gjuhës së huaj).

Si do veprojnë “maturantët e vjetër”  

Për të vijuar garën për studimet në universitetet publike gjatë vitit të ri, kandidatët që kanë dhënë provimet me zgjedhje në vitet e shkuara dhe janë vlerësuar me notë më të lartë se nota e përshkallëzuar 4.5, nuk do të japin më provimet me zgjedhje, por do të konkurrojnë direkt më pas në garën e pranimeve, sipas kritereve të miratuara nga vetë universitetet.

Ndërsa kandidatët që nuk janë kalues në njërin nga provimet me zgjedhje, ose që nuk kanë marrë pjesë në to, duhet të paraqiten për të plotësuar formularin përkatës dhe më pas të japin këto provime në mënyrë që të pajisen me Diplomën e Maturës,  e cila është çelësi i vetëm që lejon përfshirjen në garë për të fituar studimet larta.

Kandidatët që janë kalues vetëm në njërin nga provimet me zgjedhje, e mbartin atë, duke siguruar mundësinë që të japin një tjetër provim me zgjedhje, sipas përcaktimeve të bëra në udhëzim në lidhje me kushtet për kreditet.

“Kandidatët që në maturën e 2012-s, kanë zgjedhur për të dhënë tre provime me zgjedhje dhe kanë mbetur në dy provime, do të japin vetëm një provim me zgjedhje nga lista e lëndëve që gjendet e detajuar në tabelën bashkangjitur shkrimit, si dhe në rastet kur kanë kaluar në dy provime do të pajisen me diplomën e maturës.

Kandidatët që kanë marrë Dëftesë Pjekurie para vitit 2011, dhe që dëshirojnë të aplikojnë për studimet universitare, do t’u njihen dy nga provimet e detyruara që përputhen me D1 dhe D2, ose provimet e njëvlershme me to, të njehsuara nga Drejtoria Arsimore”, specifikohet në udhëzimin e provimeve të Maturës Shtetërore për 2017.

Këta kandidatë në rastet kur nuk kanë dhënë provime me zgjedhje, ose i kanë dhënë dhe nuk kanë rezultuar kalues, kanë të drejtë që të japin provime me zgjedhje, kur e kanë të nevojshme për plotësim të kritereve të pranimit të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë. Po në udhëzim saktësohet se provimi shkollor i Teorisë Profesionale Niveli i III i Arsimit Profesional nuk do të zhvillohet më.

Programet orientuese me temat e provimit

Në prag të mbylljes së vitit mësimor, MAS dhe MMRS do të shpallin edhe programet orientuese, të cilat u vijnë në ndihmë maturantëve për t’u orientuar në lidhje me temat që do jenë pjesë e provimeve të detyruara dhe atyre me zgjedhje.

Programet orientuese të lëndëve të detyruara, gjuhe huaj, letërsi dhe gjuhë shqipe, si dhe matematikë, do të jenë në përshtatje me programet ekzistuese të shkollave të mesme. Ndërsa programet orientuese të lëndëve me zgjedhje do të jenë të njëjta për të gjithë maturantët dhe kandidatët që do të plotësojnë formularin A1 dhe A1Z.

Programi orientues i një lënde të thelluar përmban edhe programi orientues të një lënde bërthamë. Programi i lëndës gjeografi, përmban edhe temat e lëndës “Shkencat e tokës”.

Kur gjuha e huaj jepet si provim me zgjedhje, testi do të jetë i një niveli më të vështirë se sa testi që do të hartohet për provimin e detyruar. Vlerësimi me kreditet maksimale edhe për maturën e këtij viti shkon për gjuhën e huaj, e cila vlerësohet me 10 kredite në total.

Kushtet për të garuar për studimet e larta në publik  

Edhe për pranimet e 2017-ës, janë vetë universitetet që do të përcaktojnë kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve fitues. Megjithatë, sipas kushteve të diktuara në Ligjin e Arsimit të Lartë, për 2017-ën, pranimi në programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor” është i mundur për çdo kandidat që ka përfunduar me sukses studimet e shkollës së mesme dhe që plotëson kriterin e notës mesatare dysheme, i cili do të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Nuk dihet ende, nëse do të jetë sërish mesatarja 6, si kriter për të hyrë në garën e konkurrimit për studimet e larta edhe për pranimet e 2017-ës. Pas përmbushjes së kriterit të mesatares, universitetet do të shpallin vetë kriteret specifike për përzgjedhjen e fituesve. Deri më tani vetëm Fakulteti Ekonomik, në Universitetin e Tiranës, ka përcaktuar kriteret që do të zbatohen për pranimet e 2017, në të katër drejtimet studimore.

“Kriteret e pranimit të studentëve në ciklit e parë për vitin e ri akademik 2017-2018, përbëhen nga 50 për qind të peshës që i takon notës mesatare të shkollës së mesme, për të gjitha vitet, përfshirë këtu edhe provimet e maturës  shtetërore, (mesatare e thjeshtë),  teksa 50 për qind e peshës së mbetur do të dalë nga nota mesatare e grup-lëndëve prioritet (për të gjitha vitet ku shtrihen lëndët, përfshirë dhe notat e maturës shtetërore)”, sqarohet në vendimin e firmosur nga dekani Kule gjatë muajit të shkuar.

Gjithashtu janë konfirmuar edhe katër lëndët që do të jenë prioritet në përzgjedhjen e studentëve të rinj që do të vijojnë studimet e larta në degët e këtij fakulteti. Konkretisht, bëhet fjalë për lëndën e matematikës, ekonomisë, fizikës dhe gjuhës së huaj.

Sa i takon rëndësisë që do të ketë secila prej tyre në llogaritjen e rezultatit final, sqarohet se: “Përfshihen lëndët e mëposhtme me peshat përkatëse, matematika me 15 për qind, ekonomia po me 15 për qind, ndërsa fizika dhe gjuha e huaj vlerësohen me 10 për qind në ndikimin që do kenë gjatë llogaritjes së rezultatit final për të qenë fitues”. “Për procedurat e përzgjedhjes së fituesve, në zbatim të nenit 25 dhe 74 të ligjit të arsimit të lartë, Fakulteti i Ekonomisë do të shpallë fituesit në fund të muajit korrik 2017”, sqarohet më tej në vendimin e këtij fakulteti.

untitl55454545ed

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button