Politika

Mazhoranca nis procedurat për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së

Kërkesa e 39 deputetëve me 10 shkeljet e dy anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi, Elvis Cefa dhe Lulzim Lelçaj

Nga Herion Mesi

Nenkryetari i KLD, Elvis Cefa, Ministri i Drejtesise Nasip NacoMazhoranca, përmes 39 deputetëve të saj, i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë zyrtare, ku kërkon nisjen e procedurave për shkarkimin nga detyra të nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Cefa, dhe bashkë me të kërkohet edhe shkarkimi i anëtarit tjetër të KLD-së, Lulzim Lelçaj. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Kuvendit, mësohet se kërkesa i është dorëzuar kryeparlamentarit Ilir Meta, i cili ka njoftuar të dy anëtarët e KLD-së të zgjedhur nga Parlamenti në legjislaturën e kaluar, ndërkohë që kërkesa për shkarkimin e tyre i është përcjellë, gjithashtu, edhe Komisionit Parlamentar të Ligjeve, si komision përgjegjës, për vijimin e procedurave përkatëse parlamentare për shqyrtimin e kërkesës së kolegëve të tyre. Në kërkesën e tyre, që disponohet edhe nga gazeta “Shqip”, ligjvënësit numërojnë 10 raste të shkeljeve flagrante që janë bërë nga këshilli, pjesëtarë të së cilit janë dhe Elvis Cefa dhe Lulzim Lelçaj, të cilët janë zgjedhur nga mazhoranca e djathtë në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo është e hera e dytë brenda tri viteve të fundit, që Kuvendit i kërkohet nga një grup deputetësh shkarkimi i nënkryetarit të KLD-së. Kjo, pasi në janar 2012, një grup deputetësh i kërkuan Kuvendit nisjen e procedurave që përfunduan me shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Asokohe qeverisjen e kishte Partia Demokratike e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e kryeparlamentarit aktual Ilir Meta.

Përdorimi i KLD-së

Deputetët e majtë, në kërkesën e tyre argumentojnë se të dy anëtarët e KLD-së, të zgjedhur nga Kuvendi, ndaj të cilëve kërkohet shkarkimi i tyre, kanë shkelur rëndë ligjin, pasi kanë lejuar konfliktin e interesit në promovimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas socialistëve, me veprimet dhe mosveprimet e tyre dhe në kundërshtim të hapur me standardin kushtetues të paanësisë, jo vetëm që nuk kanë parandaluar përdorimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga vetë anëtarët e tij, në funksion të interesave të tyre personale, por dhe kanë qenë pjesë përbërëse e këtyre procedurave të kundërligjshme. Dhe për këtë çështje, socialistët kanë evidentuar një sërë rastesh, që fakton këtë akuzë, siç është edhe zgjedhja e anëtarit të KLD-së, Gjin Gjoni, si anëtar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, ku KLD-ja, pasi shkarkoi pa asnjë shkak të ligjshëm anëtarin e Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, Sokol Binaj, zgjodhi në të njëjtën mbledhje në vend të tij, anëtarin e KLD-së, Gjin Gjoni. “Ky zëvendësim u krye me paramendim, në kohën kur kishin filluar procedurat ligjore për zgjedhjen e drejtorit të ri të Shkollës së Magjistraturës dhe me qëllimin që anëtari i KLD-së, Gjin Gjoni, me votën e tij në Këshillin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës dhe në KLD, të propozonte dhe emëronte si drejtor të Shkollës së Magjistraturës, anëtarin tjetër të KLD-së, Neshat Fana”, argumentojnë deputetët. Një tjetër shkelje është zgjedhja e anëtarit të KLD-së, Neshat Fana, si drejtor i Shkollës së Magjistraturës, me vendimin nr. 359, datë 19.07.2013. Gjithashtu, një tjetër shkelje e ligjit nga dy anëtarët e KLD-së, e evidentuar nga ligjvënësit, është dhe zgjedhja e anëtarit të KLD-së, Ilir Mustafaj, si gjyqtar i Gjykatës së Apelit Tiranë, me vendimin nr. 349, datë 05.07.2013.

Mosemërimi i gjyqtarëve

Dy anëtarët e KLD-së, Cefa dhe Lelçaj, akuzohen nga mazhoranca se gjatë ushtrimit të tyre nuk është kryer emërimi si gjyqtarë brenda afatit ligjor të 16 magjistratëve që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitet 2012, 2013 dhe 2014. “Magjistratët nuk emëroheshin, megjithëse ekzistonin vende vakante në disa prej gjykatave të Shkallës së Parë. Gjatë kohës së mosemërimit, 16 magjistratët janë paguar si gjyqtarë nga buxheti i shtetit, ndërkohë që asnjëri prej tyre nuk kryente detyrën e gjyqtarit. Edhe magjistratët që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës në qershor të vitit 2014 ende nuk janë emëruar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Dy anëtarët e KLD-së janë pajtuar me këtë situatë të kundërligjshme, duke mos ndërmarrë asnjë veprim ligjor për përfshirjen e kësaj çështjeje në vendimmarrjen e KLD-së”, thuhet në kërkesë.

Marrja e kompetencave nga KLD-ja

Një tjetër akuzë me të cilën përballen dy anëtarët e KLD-së është dhe lejimi i marrjes nga KLD-ja të kompetencave të Shkollës së Magjistraturës në testimin seleksionues të kandidatëve për gjyqtarë në gjykatat administrative. Sipas socialistëve, KLD-ja, me vendimin nr. 299/1, datë 30.11.2012 “Për procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë dhe të Apelit”, ka tejkaluar në mënyrë flagrante kufijtë e ligjit, sepse ka marrë atributet e

një autoriteti tjetër, të caktuar me ligj, që përcakton Shkollën e Magjistraturës si organin kompetent për kryerjen e kësaj veprimtarie. “Me veprimet e kryera, z. Çefa, në pozicionin e zëvendëskryetarit të KLD-së, si dhe z. Lelçaj në pozicionin e anëtarit, kanë shkelur rëndë ligjin, sepse kanë kryer veprime që ligji nuk i lejon të kryhen. Përgjegjësia e tyre është e rëndë jo vetëm në hartimin dhe miratimin e një akti nënligjor, që është në kundërshtim flagrant me ligjin, sepse janë miratuar norma të cilat ligji nuk i lejon, por njëkohësisht edhe se e kanë zbatuar një vendim të tillë. Kjo veprimtari e kundërligjshme deformoi rëndë procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve në gjykatat administrative”, theksohet në kërkesë.

Vendet vakante

Për socialistët, Elvis Cefa dhe Lulzim Lelçaj gjatë ushtrimit të detyrës së tyre si anëtarë të KLD-së kanë lejuar marrjen nga KLD-ja të kompetencave të ministrit të Drejtësisë për shpalljen e

vendeve vakante në gjykata. “KLD-ja, në kundërshtim me ligjin, në mbledhjen e datës 11.04.2014, shpalli vende vakante në 9 gjykata të Shkallës së Parë dhe të Apelit pa pasur propozim të ministrit të Drejtësisë. Të dy anëtarët e KLD-së, të zgjedhur nga Kuvendi, kanë votuar për shpalljen e këtyre vendeve vakante në kundërshtim me ligjin dhe më pas kanë vazhduar shkeljen e ligjit nëpërmjet pjesëmarrjes në të gjithë procesin e emërimit të gjyqtarëve në këto vende vakante bazuar në këtë vendim, duke thelluar paligjshmërinë e këtij procesi”, argumentojnë deputetët.

Emërimi i krerëve të gjykatave

Sipas gjykimit të mazhorancës, emërimi i kryetarëve të gjykatave është bërë në kundërshtim me ligjin dhe një gjë e tillë është pranuar edhe nga dy anëtarët e KLD-së të miratuar nga Kuvendi. Të gjithë kryetarët e emëruar nuk e kanë përmbushur kriterin e kërkuar, pasi kanë pasur vetëm një vlerësim, nga dy që nevojiten për veprimtarinë si gjyqtarë në vitet 2005-2006. “KLD-ja, në kundërshtim me vendimin nr. 227/2, datë 28.03.2008 ‘Për funksionin drejtues në gjykata’, ka shkelur procedurën që duhet të ndiqet për njoftimin e vendeve vakante për pozicionin e kryetarit të gjykatës. KLD-ja ka riemëruar si kryetarë gjykatash, kandidatë që kishin drejtuar gjykatat si të deleguar deri në 6 vite ose që kishin përfunduar mandatin e tyre katërvjeçar, pa bërë asnjëherë vlerësimin e tyre si kryetarë. Të dy anëtarët e KLD-së, përfaqësues të Kuvendit, z. Elvis Çefa dhe z. Lulëzim Lelçaj, kanë qenë pjesë aktive e këtyre shkeljeve”, theksojnë ligjvënësit socialistë në kërkesën e tyre drejtuar Kuvendit. Po ashtu, ata vërejnë se KLD-ja, pavarësisht përpjekjeve të ministrit të Drejtësisë nuk po harmonizon dhe bashkëvepron veprimtarinë e tij, me atë të Ministrisë së Drejtësisë, duke bërë që kjo ministri të mos përmbushë plotësisht dhe me efektivitet misionin që Kushtetuta dhe ligji i ka ngarkuar kësaj dege të ekzekutivit, gjë që në mënyrë të paprecedentë e ka detyruar ministrin e Drejtësisë t’i kërkojë publikisht legjislativit, që në ushtrim të funksioneve të tij kushtetuese të ndërhyjë duke marrë të gjitha masat e nevojshme, me qëllim jo vetëm rritjen e pavarësisë, por dhe të efikasitetit dhe llogaridhënies së këtij institucioni kushtetues.

10 akuzat nga dy anëtarët e KLD-së

1) Lejimi i konfliktit të interesit në promovimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë;

2) Mosemërimi si gjyqtar brenda afatit ligjor të magjistratëve që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitet 2012, 2013 dhe 2014;

3) Marrja nga KLD-ja e kompetencave të Shkollës së Magjistraturës në testimin seleksionues të kandidatëve për gjyqtarë në gjykatat administrative;

4) Marrja nga KLD-ja e kompetencave të ministrit të Drejtësisë për shpalljen e vendeve vakante në gjykata;

5) Mosemërimi i kryetarëve të 28 gjykatave në kundërshtim të hapur me ligjin, duke lejuar për shumë vite drejtimin e tyre nga kryetarë me mandat të paligjshëm;

6) Emërimi i kryetarëve të gjykatave në kundërshtim me ligjin;

7) Promovimi i gjyqtarëve në kundërshtim me ligjin;

8) Keqorganizimi i sistemit gjyqësor me pasojë cenimin e statusit të disa gjyqtarëve, duke i privuar nga paga;

9) Shkelje e rëndë e ligjit për mosmarrje në shqyrtim të kërkesave të ish-kryetares së Gjykatës së Lartë dhe ish-Prokurores së Përgjithshme;

10) Emërimi i inspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Arjan Balliu, si gjyqtar në Gjykatën e Apelit Durrës, në kundërshtim të hapur me ligjin.

Deputetët nismëtarë

  1. Gramoz Ruçi
  2. Monika Kryemadhi
  3. Erion Braçe
  4. Eduard Shalsi
  5. Namik Dokle
  6. Blerina Gjylameti
  7. Dashamir Kamberi
  8. Evis Kushi
  9. Andrea Marto
  10. Arben Çuko
  11. Ilir Xhakuli
  12. Majlinda Bufi
  13. Taulant Balla
  14. Klodiana Spahiu
  15. Ilirjan Pendavinji
  16. Eduard Bejko
  17. Alfred Peza
  18. Arben Ndoka
  19. Ervin Koçi
  20. Esmeralda Shkjau
  21. Mimoza Hafizi
  22. Adelina Rista
  23. Rakip Suli
  24. Namik Kopliku
  25. Ylli Ziçishti
  26. Anduel Xhindi
  27. Artur Bushi
  28. Artan Gaçi
  29. Musa Ulqini
  30. Bujar Kllogjeri
  31. Shkëlqim Selami
  32. Robert Bitri
  33. Kejdi Mehmetaj
  34. Piro Kapurani
  35. Gledjon Rahovica
  36. Bujar Derveni
  37. Përparim Spahiu
  38. Anastas Angjeli
  39. Enkelejda Shkreli

Nënkryetari i KLD-së

Cefa: Përgjigjem javën tjetër, s’dua të tërheq vëmendjen tani që vjen Papa

Ndërkohë mbërritjen e kërkesës për shkarkimin e Cefës, e konfirmoi dje edhe KLD-ja. Sipas zëdhënësit të KLD-së, Elis Kuçi, kërkesa bëhet me motivin ‘për shkelje në detyrë’, por në lidhje me të, ai theksoi për gazetën “Shqip”, se nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa, do të shprehet vetëm javën e ardhshme, në shenjë respekti ndaj vizitës së Papa Françeskut në vendin tonë. “Jemi vënë në dijeni të kërkesës së deputetëve të mazhorancës, por për këtë çështje nënkryetari i KLD-së do të reagojë vetëm javën e ardhshme, në shenjë respekti të vizitës së Papa Françeskut. Dhe për të mos tërhequr vëmendjen e publikut shqiptar ndaj kësaj vizite historike për vendin, z. Cefa ka vendosur që reagimin e tij ta bëjë në përfundim të kësaj vizite”, tha zëdhënësi i KLD-së. Në lidhje me kërkesën ka reaguar edhe vetë nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa, i cili konfirmoi të njëjtin qëndrim. “Nuk dua që shkarkimi im i paralajmëruar prej kohësh të tërheqë sadopak vëmendjen nga vizita historike e Papës, që na gëzon të gjithë ne shqiptarëve”, tha Cefa në një prononcim për “Abc News”.

Shkarkimi i Cefës

PD, Halimi: Rama kërkon të kapë KLD-në

Përmes rrjetit social “Facebook”, ish-ministri i Drejtësisë, njëherësh deputet i PD-së, Eduard Halimi, ka komentuar kërkesën e 39 deputetëve të majtë, të cilët iu drejtuan dje Kuvendit për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së, Elvis Cefa. Sipas Halimit, kjo është një përpjekje e Ramës për të vënë në kontroll KLD-në. “Ky ishte qëllimi i vërtetë i mazhorancës Rama-Meta me paketën personale antikushtetuese dhe antieuropiane të drejtësisë që u miratua në korrik: kapja politike e KLD-së, vënia nën kontroll të Edi Ramës. Ajo që paralajmëruam ne dhe partnerët po ndodh. Qëllimi i Ramës është ta vërë nën kontroll dhe jo të reformojë. Ndërkombëtarët tani duhet të monitorojnë nga afër këtë situatë të rrezikshme për demokracinë e vendit”, shkruan deputeti demokrat, Eduard Halimi, në reagimin e tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button