Politika

Mazi: Fokusi ynë, mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare brenda qershorit

Kryengociatori i Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Zef Mazi deklaroi sot se, “gjatë viteve Shqipëria ka bërë hapa të qenësishëm dhe progres domethënës në agjendën e integrimit”.

Në një aktivitet të zhvilluar nga ministria e Drejtësisë, Mazi foli për kapitujt 23 dhe 24 të negociatave.

Mazi u shpreh se, “duhet të jetë e qartë, ky proces është si një maratonë. Duhet të jetë e qarte edhe se, përtej aspiratës së madhe dhe përfitimeve, që do të jenë dykahëshe, ka dhe detyrime.  I referohem Kritereve të Kopenhagës. Ato janë shtyllat bazë ku BE e mbështet procesin e anëtarësimit të vendeve kandidate, siç është Shqipëria”.

Mazi nënvizoi se, “kapitujt 23 dhe 24 mund të karakterizohen si Lokomotiva të procesit të negociatave. Bazuar dhe në eksperiencën e fqinjëve, që e kanë filluar këtë proces para nesh, këto dy kapituj kanë qenë vendimtarë në hapjen e kapitujve të tjerë. Këto dy kapituj kanë ndikim horizontal, ato priten si rrathë koncentrikë, interferojnë me kapituj të tjerë. Në mënyrë figurative, në rast se nuk bëni mirë detyrat e shtëpisë këtu, të tjerët mbesin në klasë”.

“Kriteri politik ka tjetër rëndësi thelbësore në procesin e anëtarësimit. Janë bërë përpjekje të qëndrueshme për prioritetet kyçe që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut dhe reformën në administratën publike. Këto përpjekje janë njohur dhe nga ana e Komisionit dhe vendeve anëtare”, u shpreh Mazi.

“Reforma në Drejtësi zë vend të posaçëm si një nga reformat më transformuese të këtyre 30 viteve të fundit. Rezultatet e kësaj ndërmarrjeje madhore ndihen çdo ditë e më shumë. Reforma ka kontribuar në pastrimin e pallatit të drejtësisë nga të korruptuarit dhe të inkriminuarit. Krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë ka rritur transparencën, llogaridhënien dhe, më e rëndësishmja, ka kontribuar në rritjen e cilësisë së dhënies së drejtësisë në vend”, tha Mazi.

“Është gjerësisht e ditur se eksperienca e Shqipërisë në këtë fushë është kthyer në burim frymëzimi edhe për vende të tjera”, shtoi Mazi, por, vijoi ai, “më thelbësorja është se kjo reformë ka rikthyer besimin e popullit tek sistemi i drejtësisë”.

“Ecuria pozitive e reformave dhe përmbushja e kërkesave dhe kritereve bëri që në mars të vitit 2020, të 27 vendet anëtare të Këshillit të shprehen dakord për çeljen e negociatave”, theksoi Mazi.

“Situata ku ndodhemi sot nuk ka të bëjë më me realizimet apo mos-realizimet e vendit tonë. Për ne kapitulli i mos-realizimeve është i mbyllur. Situata aktuale, siç jeni në dijeni, lidhet vetëm me një mosmarrëveshje ndërmjet një vendi anëtar dhe një vendi kandidat. Vendi ynë po pëson dëm kolateral. Në dijeninë time, që ndjek çdo ditë situatën, të dyja palët janë duke zhvilluar bisedime intensive për sheshimin e mosmarrëveshjeve dhe gjetjen e zgjidhjeve. Fokusi ynë sot është mbajtja e Konferencës së Parë Ndër Qeveritare sa më parë, mundësisht brenda qershorit. Përgatitjet janë në faze të avancuar”, u shpreh Mazi.

Mazi nënvizoi se, “teksa po hymë në një fazë tepër të rëndësishme të procesit, duhen pasur në konsideratë disa observacione. Së pari, koordinimi ndërinstitucional me Kryenegociatorin dhe Drejtorinë e BE-së në MEPJ është kyç. Kjo nënvizon nevojën që institucionet e drejtësisë që kontribuojnë në Kap 23, të koordinohen me Koordinatorin për Kapitullin 23, znj. Pirdeni, Koordinatoren për Reformën në Administratën Publike, znj. Koçiu, dhe ato me Kryenegociatorin”.

“Avancimi i procesit të negociatave do të kushtëzohet me rezultatet në kriterin politik, përfshirë avancimin në fushën e shtetit të së drejtës.Kriteri politik kërkon si domosdoshmëri këtë koordinim intra dhe inter-institucional. Në rast se nuk mirë-koordinohemi së brendshmi, kjo do reflektohet drejtpërdrejtë tek pala tjetër. Ajo që është dhe më e dëmshmja, bëhen hapa pas, të panevojshëm.Duhet mbajtur mirë parasysh se ka një kanal komunikimi me institucionet e KE. Me ta flitet të mirë koordinuar dhe me një zë”, tha Mazi.

Së dyti, shtoi ai, “nevoja e theksuar për prioritetizimin e këtij procesi nga të gjithë institucionet e përfshira. Duhet të jetë e qartë për këdo. Kjo është aspirata më e rëndësishme që ka vendi qysh prej Luftës së Dytë Botërore. Procesi i Integrimit është gdhendur në të gjitha dokumentet strategjike të vendit, për të theksuar rëndësinë e saj. Vëmendja dhe përkushtimi duhet të jenë maksimale. Jo vetëm nga institucionet që udhëheqin kapitujt, por edhe ato që kontribuojnë”.

Së treti, theksoi Mazi, “është bërë punë jo e vogël nga Kryenegociatori, së bashku me negociatorët, për përgatitjen dhe nisjen e procesit të hartimit të prezantimeve, në formën e simulimeve (mockexercises), për shqyrtimin analitik të legjislacionit (bilateral screening). Kjo do të kryhet përmes takimeve dypalëshe me KE. BE ka dhënë asistence teknike të  fokusuar profesionale si dhe burime të tjera për avancimin e këtij procesi”.

Mazi u shpreh se, “nënvizova në mbledhjen e fundit të Grupit Negociator para pak ditësh se vendi ynë ka pasur një avantazh të madh. Zhvillimi i shqyrtimit analitik shpjegues në vitet 2018-2019 na ka dhënë shumë përparësi. Përmes tij, sot kemi tabelat e mangësive ligjore dhe administrative. Nga procesi i shqyrtimit të legjislacionit, në tërë paketën e shtetit, do përgatitet raporti për Komisionin. Nga ky raport do përgatiten “roadmaps” për secilin kapitull”.

Së katërti, vijoi Mazi, “mbledhjet e GNPIE dhe Platformave të Partneritetit janë shtyllat kurrizore ku mbështetet procesi. Gjithëpërfshirja duhet të jetë mantra jonë. Aty ku acquis do ketë implementim më të gjerë, ata duhen ftuar në tavolinë. Mos harroni se rreth 70% e acquis do të implementohet në nivel vendor”.

“Kërkohet përfshirje më e lartë e institucioneve të pavarura. Ministria e Drejtësisë për shkak edhe të rolit që ka në proces, është e detyruar të koordinojë një numër të lartë institucionesh. Një pjesë e mirë e tyre janë institucione të pavarura. Institucionet e pavarura duhet të jenë më prezentë në formatet e ndryshme të takimeve që kanë qëllim integrimin. Ata duhet të sigurojnë një koordinim institucional me MD të rregullt, për çdo hap, dhe në çdo kohë. Vonesat vetëm na pengojnë”, tha Mazi.

“Ky proces integrues ka rezultuar të jetë tejet i gjatë, sfidues dhe i komplikuar. Me BE, si brenda ashtu edhe jashtë saj, duhet durim strategjik. Në këtë rrugëtim jemi të gjithë bashkë. Ashtu duhet të vazhdojmë. Ky është proces mbipartiak, gjithë-partiak, jashtë-partiak, apolitik. Nga ai përfiton Shqipëria, populli ynë.E kemi nisur në fillim të viteve 90’, tashmë kanë kaluar më shumë se 30 vjet. Është një proces që ka kaluar si stafetë. Secili nga ne duhet të bëjë më të mirën e tij. Unë kam besim kështu do të ndodhë”, përfundoi Mazi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button