Mbetet në fuqi masa e paraburgimit për të dyshuarin për terrorizëm
Gjykata e Apelit e Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtjes së të pandehurit F.Ll., kundër caktimit të masës së paraburgimit prej një muaji, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 02.01.2015.
F. Ll dyshohet se ka kryer veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste” nga neni 143 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kolegji Penal i Departamentit të Krimeve të Rënda i kësaj gjykate, vlerëson se meqenëse ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri e ka kryer veprën penale të lartcekur, ka bazë ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj tij, ngase ekzistojnë rrethana të cilat më të drejtë justifikojnë frikën se ai do të mund të ik apo të arratiset, për t’iu shmangur përgjegjësisë penale.
Andaj, mu për këto dhe të tjera arsye, caktimi i paraburgimit është i nevojshëm konform nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.