Mbi 1,500 të zhdukur, Haxhiu e Kurti kërkojnë nga Serbia hapjen e arkivave
U.D. e Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë kanë bërë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Haxhiu tha se mbi 1,500 persona të zhdukur gjatë luftës ende nuk janë gjetur, ndërsa theksoi se për familjet e tyre pritja vazhdon prej afro tri dekadash.
“Janë edhe mbi 1,500 persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës, të cilët ende nuk janë gjetur. Për familjet, pritja vazhdon, ndërsa për Republikën e Kosovës ende vazhdon të jetë një kapitull i hapur, i cili nuk do të mbyllët derisa të gjendet edhe personi i fundit”, tha Haxhiu.
Ajo bëri të ditur se vetëm gjatë vitit të fundit, në 17 lokacione janë gjetur mbetje mortore të 30 personave. Sipas saj, në muajin e fundit janë gjetur mbetje mortore të së paku 23 personave në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.
Haxhiu theksoi se kërkimet do të vazhdojnë deri në gjetjen e personit të fundit të zhdukur, ndërsa kritikoi mungesën e bashkëpunimit nga Serbia.
Ajo përsëriti kërkesën që Serbia të hapë arkivat, duke kërkuar njëkohësisht nga partnerët ndërkombëtarë që të ushtrojnë presion ndaj Beogradit për të bërë një gjë të tillë.
“Nëse hapen ato arkiva, atëherë dihet se kush i ka dhënë urdhrat, kush i ka zbatuar urdhrat dhe ku janë trupat e personave të cilët ishin varrosur pasi që ishin vrarë — prandaj në këtë rast edhe një herë bëj thirrje që Serbia të hapë arkivat”, deklaroi Haxhiu.
Edhe Kurti tha se për familjet e mbi 1,500 personave të pagjetur, lufta ende nuk ka përfunduar. Ai theksoi se zhdukja e tyre është një krim i rëndë dhe se përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë.
Kurti u ndal veçanërisht te gjetjet e fundit në veri të Kosovës, duke përmendur lokacionet në Kalludër dhe Jabukë, ku janë zbuluar disa varreza masive me mbetje mortore.
Ai rikujtoi edhe deklaratën e 2 majit 2023, përmes së cilës Serbia ishte zotuar për bashkëpunim në procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.
Sipas Kurtit, një ndër dosjet më të rëndësishme që duhet të deklasifikohet është ajo e Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave, për të cilën ai tha se ka kryer krime në Kosovë, veçanërisht në Drenicë.
“Nuk mund të presim deri në vitin 2044 që të hapen këto arkiva”, tha Kurti, duke kërkuar që ato të hapen sa më parë.
Ai kërkoi gjithashtu nga Bashkimi Evropian dhe faktorët e tjerë ndërkombëtarë që të ushtrojnë trysni ndaj Serbisë për hapjen e dosjeve.
“Prandaj hapja e dosjeve të fqinjit tonë verior është jetike për zbardhjen e së vërtetës, për varrimet dinjitoze të më të dashurve tanë e sidomos të familjeve të tyre që presin në ankth, dhe gjithashtu edhe për kontributin në paqen e përgjithshme në rajonin tonë”, tha ai.
Kurti tha se mungesa e informacionit nga arkivat e Serbisë po e vështirëson dhe po e rrit koston e procesit të kërkimit në Kosovë.
Ndërkaq, ai vlerësoi se aktualisht ekziston një bashkërendim i madh ndërmjet institucioneve të Kosovës që merren me rastet e personave të zhdukur, duke përmendur Policinë e Kosovës, AKI-në, Prokurorinë e Shtetit, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Komisionin Qeveritar për Personat e Pagjetur.
Institucionet e Kosovës kanë përsëritur se procesi i kërkimit do të vazhdojë deri në zbardhjen e fatit të secilit person të zhdukur gjatë luftës. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.