ZVICËR – Një i vdekur, pesë të plagosur pas të shtënave në një ngjarje muzikore
ZYRIH, 30 gusht /ATSH-DPA/- Një 22-vjeçare humbi jetën dhe pesë persona të tjerë u plagosën, pasi u qëllua me armë zjarri gjatë natës në një aktivitet me muzikë elektronike në veri të Zvicrës, njoftoi sot policia.
Policia bëri të ditur se të plagosurit janë katër burra dhe një grua, të moshave 24 deri në 27 vjeç.
Gjendja e tyre varion nga plagosje të lehta deri në të rënda. Të gjashtë viktimat janë shtetas zviceranë.
Të shtënat ndodhën rreth orës 03:00 të mëngjesit, në pistën e garave me kuaj ku po zhvillohej aktiviteti. Sipas policisë, u qëlluan disa herë me armë.
Autori është ende në arrati, ndërsa motivi i sulmit nuk dihet.
“Kërkimi për autorin e panjohur po vijon. Motivet e mundshme dhe rrethanat e sakta të ngjarjes mbeten të paqarta”, deklaroi policia.
Në zonën e ngjarjes në Aarau, kryeqytetin e kantonit Aargau, po vijon një operacion i madh policor.
Autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve të shmangin zonën dhe dëshmitarëve t’u dorëzojnë policisë foto ose video që mund të ndihmojnë në hetim.
Një video e publikuar nga gazeta zvicerane “Blick”, e regjistruar pranë vendit të ngjarjes, ka kapur zhurmën e rreth 10 të shtënave.
Personat që ndodheshin në aktivitet u shoqëruan nga policia drejt një palestre aty pranë.
DJ Tekibo, i cili po performonte në aktivitet, e cilësoi ngjarjen si “tepër tronditëse”.
Në një postim në Instagram, ai shkroi se “muzika techno dhe aktivitetet muzikore elektrinike duhet të jenë vende lirie dhe sigurie”, duke shtuar se kishte humbur një mik të rëndësishëm dhe se do të tërhiqej për një periudhë nga performancat.
Qyteti i Aaraus ndodhet rreth 40 kilometra në perëndim të Zyrihut. /


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.