Mbi debatin e djeshëm e të sotëm për eksportet shqiptare
BARDHI SEJDARASI
Kur në fillim të vitit 2014, qeveria shqiptare mori nismën për të krijuar Komisionin e Posaçëm të Ekspertëve për të hartuar paketën e politikave mbështetëse qeveritare për sektorin e veshjeve dhe këpucëve (e ashtuquajtura paketa “fason”) kanë qenë të shumë ekspertët dhe analistët që e komentuan këtë vetëm si “një kontribut kundër varfërisë”. “Vendi do të mbetet i pazhvilluar pikërisht për këtë shkak, pra ai avantazhi i përkohshëm i një apo pesë viteve të ardhshme mund të shndërrohet në një pengesë dhe të kontribuojë negativisht në periudhat që vijnë”, i tha në fillimviti televizionit “Top Channel”, analisti i ekonomisë z. Zef Preçi.
Nga ana tjetër, analisti Ilir Ciko komentoi se “qenia pranë tregjeve europiane, kuptimi më i mirë i nevojave dhe kërkesave të tregut europian, afërsia gjeografike, por pse jo edhe shfrytëzimi i pikërisht asaj, i të qenët vend i vogël, mund të shihet si një avantazh, i cili mund të përdoret më tej për këtë sektor në të ardhmen”.
Por Kryeministri Edi Rama shprehu mbështetjen maksimale ndaj biznesit fason, ndërsa theksoi se “kjo industri mbrohet me mish e me shpirt nga shteti”.
Ekspertët sollën edhe argumentet e tyre për të mbështetur qëndrimin publik. Preçi e cilësoi këtë lloj industrie, “tipike e vendeve të varfra, ish-kolonive” etj. Ai e lidhte këtë me mënyrën se si funksiononte kjo industri (varësia thuajse e plotë nga tregjet perëndimore për makineritë, për lëndët e para dhe për tregjet e shitjes së produkteve të gatshme, si dhe të çmimeve të larta të energjisë dhe ngarkesës fiskale të lartë të biznesit në vendin tonë), dhe nënvizonte në qëndrimet e tij publike se “pjesa e vlerës që mbetet në vendin tonë është shumë e vogël”. Ndërsa shtonte se “kontributet e kësaj industrie në tatime-taksa janë përgjithësisht modeste”.
Sigurisht që ka disa të vërteta të pamohueshme në këtë analizë dhe në shprehjen e mendimit të tyre edhe të analistëve të tjerë të ekonomisë. Sikundër ka edhe parashikime që hedhin poshtë këto analiza…
Çfarë thonë shifrat e fundit statistikore?
Parë në një kënd më të gjerë vështrimi, jemi të detyruar të “konvertojmë” disa shifra statistikore të muajve të fundit për t’u dhënë përgjigje analizave të bëra dhe për të parë “pasojat” e politikave qeveritare të fillimvitit. INSTAT thotë se “eksportet kanë shënuar një ecuri pozitive në muajt e parë të vitit, duke u zgjeruar me rreth 10% me bazë vjetore për katërmujorin”. Nëse kërkon të mësosh se cilat grupmallarash kanë dhënë këtë efekt, gjen se të parat renditen veshjet e këmbëve, me një rritje prej 3.5 miliardë lekësh në vlerë dhe 31.5% në përqindje. Grupi i dytë janë tekstilet, që punojnë kryesisht me material porositësi. Edhe këto po shohin një lulëzim, si rrjedhojë e rikthimit të interesit të partnerëve italianë, që po shfrytëzojnë avantazhet e prodhuesve shqiptarë: afërsia gjeografike, kostoja e ulët e fuqisë punëtore, porositë e vogla dhe dorëzimi i shpejtë. Eksportet e tekstileve janë shtuar me rreth 3 miliardë lekë, apo 46%. Në ngjitje të shpejtë, sipas INSTAT-it, janë eksportet e letrës dhe kartonit, që janë zgjeruar me 0.9 miliardë lekë në vlerë absolute, apo me rreth 72% (si rrjedhojë e bazës së ulët). Ky lulëzim i këtij grupi vjen pas shtimit të punës së kompanisë me qendër në Berat, “Center Shqiptare”, që eksporton çanta letre në tregun e BE-së (në formën e regjimit të përpunimit aktiv-materialit të porositësit).
Po ndalem vetëm te këta sektorë për të parë nëse rritja e eksporteve shqiptare gjatë muajve të fundit është rezultat i avantazheve konkurruese që ofrojnë eksportet shqiptare, apo është kjo rritje e ndikuar nga faktorë të tjerë rrethanorë.
Nëse i “peshon” këto të dhëna me sektorët e tjerë, shikon se “pjesa e luanit” i takon pikërisht sektorëve të mësipërm, duke lënë mbrapa eksportet e “lëndëve djegëse e mineraleve” etj.
“Shqipëria nuk është se ofron në kushtet e sotme, plantacione pambuku, për shembull, që mund të prodhonin me kosto të lirë lëndën e parë. E njëjta gjë sa i takon industrisë së këpucëve apo të veshjeve”, – thotë z. Preçi.
Por ka një shembull (nuk është i vetëm): “Donianna”, kompania më e madhe e prodhimit të këpucëve në vend raportoi në shkurt të këtij viti se kishte lidhur mbi 1000 kontrata me rrjetet e mëdha tregtare nga Malta deri në Kanada, Turqi, Gjermani, Francë, Itali, vendet skandinave, Belgjikë, Austri etj., që do t’i mundësonin fabrikës të punonte me kapacitet të plotë, duke arritur në një prodhim vjetor të parashikuar 1,2 milionë palë” dhe se “prej disa vitesh, ‘Donianna’ ka mbyllur ciklin e prodhimit, që nga design e lënda e parë, madje duke e siguruar vetë edhe tregun e shitjes”. (“Monitor”, nr. 639). Ose kompania e “Calzaturificio” e z. Fehmi Golemi në Shkodër, e cila prodhon jo më pak se 6.500 palë këpucë në ditë, shtrihet në më shumë se pesë qarqe dhe eksporton në rreth 13 shtete në të gjithë botën. Apo edhe shembuj të tillë të tjerë në fushën e prodhimit të veshjeve të poshtme si ato të shoqërive “Albaco Shoes”, “Fital”, “Alba&En”, “Endi” etj., etj.
Indeksi i avantazheve krahasuese shqiptare
Duke iu referuar një studimi interesant të z. Arban Pllaha të Bankës së Shqipërisë, mëson edhe se “Indeksi i avantazheve krahasuese të demonstruara i eksporteve shqiptare drejt botës tregon se për grupmallrat “tekstile dhe këpucë”, eksportet shqiptare kanë avantazh konkurrues, të krahasuar me vendet e tjera të botës. “Indeksi shënon vlera mbi 1, duke treguar avantazh konkurrues të këtyre eksporteve”, – thuhet në këtë studim. Duket që edhe këtë fakt e ka pasur në konsideratë qeveria kur inicioi hartimin e një pakete masash lehtësuese për fasonin.
Sektori i mësipërm nuk u identifikua si një sektor që uli pagat, apo uli numrin e të punësuarve. Shifrat tregojnë të kundërtën. Edhe studimi i fundit i financuar nga ILO (i prezantuar në Konferencën Ndërkombëtare të Punës) tregoi haptas se biznesi i “fasonit” nuk rezulton të ketë ulur pagat dhe as të këtë reduktuar numrin e të punësuarve. Që do të thotë se efektet e krizës janë përballuar tërësisht nga fitimi i kompanive apo burimet financiare gjendje të shoqërive të biznesit. Kjo hodhi poshtë edhe pretendimet e disa të ashtuquajturve “përfaqësues të fasonit”, që deklaruan se “nëse nuk na mbështet qeveria, do të largohemi” (?!), duke e lidhur këtë me kërkesën ndaj qeverisë, në të cilën kërkohej që “tatimi mbi fitimin të bëhet zero (ose të ulet në 10% dhe jo 15%)” etj. Në fakt nuk ndodhi kështu! Nuk rezulton asnjë kompani shqiptare të jetë larguar në drejtim të vendeve me incentiva më të favorshme dhe as kompani të huaja të mos vinin në Shqipëri. Sondazhi më i fundit i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve tregon se ka një rritje të kërkesës së huaj, rritje të punësimit dhe madje edhe rritje të fitimit.
Tregues në rritje, sipas studimit
Sipas studimit të sipërcituar, në vitin 2009, tregtia e jashtme shqiptare, për herë të parë që prej vitit 2005, shfaqi shenja të përmirësimit të deficitit tregtar. Gjatë periudhës 2009–2013, ecuria e import–eksporteve shqiptare ka shfaqur trend përmirësimi të deficitit tregtar, duke ngushtuar kështu diferencën ndërmjet import-eksporteve. Përmirësimi i bilancit vjen përgjithësisht për shkak se eksportet shqiptare kanë përshpejtuar ndjeshëm ritmin e rritjes në vitet e fundit.
Studimi i z. Pllaha analizon eksportet drejt partnerëve tregtarë për të përcaktuar zhvendosjet e mundshme që mund të kenë pësuar eksportet gjatë viteve të fundit. “Italia dhe Greqia kanë qenë partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë, ku eksportet shqiptare vetëm drejt këtyre dy partnerëve tregtarë kanë përbërë mbi 80% të totalit të eksporteve shqiptare deri në vitin 2006. Megjithatë, pas vitit 2006, eksportet drejt këtyre dy vendeve (si raport ndaj totalit të eksporteve shqiptare) kanë shfaqur tendencë rënëse nga viti në vit. Kështu, eksportet vendase drejt Italisë në vitin 2006 përbënin rreth 72% të totalit të eksporteve, ndërsa në vitin 2012 ato janë reduktuar ndjeshëm, duke arritur në rreth 51% të totalit të eksporteve, tkurrje kjo prej 20 pikë përqindjeje në vetëm 6 vitet e fundit. Një situatë e ngjashme vërehet edhe nëse shqyrtohen eksportet drejt Greqisë. Në 2005, eksportet vendase drejt Greqisë përbënin mbi 10% (ndaj totalit), ndërkohë që në 2012-n eksportet drejt këtij partneri tregtar janë më shumë se përgjysmuar dhe vihet re se eksportuesit shqiptarë gjatë viteve të fundit kanë gjetur tregje të reja për produktet e tyre, duke synuar diversifikimin e tregut të tyre”, – thuhet në studim.
Në terrenin konkret, kompanitë duket se po përjetojnë një periudhë të lulëzimit të tyre, kanë investuar në makineri e pajisje, kanë punësuar më shumë njerëz dhe kanë rritur në nivele të kënaqshme produktet e tyre të eksportit, – jo vetëm në fushën e regjimit të përpunimit aktiv – por sidomos të eksporteve dhe të prodhimeve “Made in Albania”. Ka optimizëm në këtë sektor, por optimizëm të bazuar në rezultate të dukshme dhe të prekshme.