PolitikaRajoni

Mbledhja e dy qeverive, Rama: Lënia e Kosovës nën regjimin e vizave turp për BE!

Kryeministri Edi Rama priti rreth orës 10:40 në një ceremoni solemne mirëseardhje kabinetin qeverisë së Kosovës për të realizuar mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive. Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e mirëseardhjes Rama theksoi se në një vit axhendat e dy qeverive janë bashkuar. Ai theksoi se shqiptarët kudo që janë aspirojnë bashkimin me Evropën e Bashkuar dhe ruajtjen e ekuilibrave në Rajon.Rama-MustafaFoto-A

“Të dashur bashkëqytetar andej dhe këndej bjeshkëve. Rikthimi në tryezën e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive tona ndodh në kohën e duhur. Cilido që i njeh objektivat dhe raundet teknike të marrëveshjeve që nga krijimi i një hapësire tregtare të përbashkët, te kontrolli kufitar dhe lufta e perbashket kunder krimit, sheh se në një vit i kemi bashkuar ndjeshëm axhendat. Ajo që ndodhi dje në Prizren është përmbushje e një urdhërese madhore të kohës dhe politikëbërjes. Shqiptarët me zemërgjerësi dhe kurajo shtrijnë dorën për mirëkuptim dhe bashkëpunim. Bashkimi mes veti dhe krejt rajonit me Evropën e bashkuar është ajo ç’ka shqiptarët aspirojnë. Ne të vërtetë shqiptarët në rrugëtimin e marrjes së të drejtave që i përkasin duan ekuilibër dhe jo prishje të ekuilibrave dhe kërkojnë thjesht atë qe u takon.”- u shpreh Rama.

Kryeministri Rama tha gjatë mbledhjes se, shqiptarët janë shembull për bashkëjetesën me etnitë e tjera, prandaj duke u nisur nga vetja ai tha, “Kërkojmë njëzëri nga Serbia të garantojë për Preshevën as më shumë e as më pak sa i është lejuar serbëve të Veriut”.

Rama u shpreh më tej se shqiptarët janë gati t’i kthejnë në projekte bashkëpunimi gjithçka të biseduar me Serbinë, me qëllimin e vetëm integrimin në familjen evropiane. Kosova e Shqipëria, sipas Ramës meritojnë vëmendje strategjike nga Europa.

“Ta kthejmë faqen e rajonit në një faqe suksesi përbashkues, këtë projekt ia propozojnë Serbisë si një rrugëtim të pashmangshëm evropian. Ne jemi gati ti kthejmë fjalët në projekte bashkëpunimi. BE duhet më shuam se kurrë të promovojë Ballkanin. Modeli shqiptar i bashkëjetesës është mburojë dhe udhërrëfyes për Europën, për këtë arsye kemi bindjen se rajoni ynë dhe konkretisht Shqipëria e Kosova meritojnë vëmendje e qasje strategjike”, tha ai.

Rama shtoi se Ballkani është sot çelësi për sigurinë dhe harmoninë brenda kontinentit të vjetër.

“Ne kemi zgjedhur realitetin e një populli, një toke dhe një ëndrre, bashkim kombëtar në familjen europine”, shtoi ai.

Më tej kryeministri Rama deklaroi se lënia e Kosovën nën regjimin e vizave është një turp për Bashkimin Europian dhe një padrejtësi cinike për Kosovën.

“Mos heqja e vizave për Kosovën është një paradoks i madh krahasuar me të shkuarën. Regjimi i sotëm i vizave e ka kthyer në një enklavë dëshpëruese. Regjimi i vizave sot është padrejtësi cinike ndaj Kosovës, kjo duhet të marrë fund njëherë e më parë. Nuk cenon vetëm dinjitetin e Kosovës por dhe vetë Europës. Mbajta e Kosovës nën regjimin e vizave është një turp për BE”, tha qartë Rama.

MBËRRIJNË NË TIRANË MINISTRAT E QEVERISË SË KOSOVËS, ZHVILLOHET CEREMONIA E MIRËSEARDHJES

Ora 10:35-Ministrat e qeverisë së Kosovës dhe kryeministri Isa Mustafa kanë mbërritur në Tiranë rreth orës 10:35 minuta për të marrë pjesë në mbledhjen e përbashkët me qeverinë shqiptare. Sipas protokollit te Kryeministrise shqiptare Mustafa u prit nga homologu Edi Rama me nje ceremoni mirëseardhje ne ambientete Kryeministrise, për tu zhvendosur më pas në Pallatin e Kongreseve aty ku ishte përgatitur tryeza për mbledhjen e dy qeverive.

AXHENDA

11 marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi pritet të firmosen sot nga qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë. Mbledhja e dy qeverive pritet të fillojë rreth orës 11:00 në Pallatin e Kongreseve. Më pas, ajo do të vazhdojë pa praninë e mediave. Në orën 12:00 do të bëhet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve nga ministrat e linjave, ndërsa për mediat në orën 12:20 do të ketë një konferencë për shtyp të të dy kryeministrave, Rama dhe Mustafa. “Një Tokë, Një Popull, Një Ëndërr” është slogani që Kryeministria Shqiptare ka zgjedhur për këtë takim. Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar ditën e sotme si shumë të rëndësishme për të vendosur hapa të tjerë përbashkues në mbledhjen e dy qeverive. “Nesër ditë shumë e rëndësishme për të vendosur të hedhim hapa të tjerë përbashkues në mbledhjen e dy qeverive, të Shqipërisë dhe Kosovës”, shkruan kryeministri në Facebook një ditë më parë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button