Mbledhja e kontributeve të sigurimeve, thjeshtohen procedurat
Komisioni Parlamentar i Shëndetësisë diskutoi të mërkurën ndryshimet në ligjin “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”.
Në projektligjin që propozohet për miratim është reflektuar edhe nevoja e ndryshimeve me qëllim që t’i hapet rruga ligjore implementimit të sistemit të ri informatik që po krijohet, të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Projektligji në nenin 3 të tij parashikon heqjen e kufirit tavan të pagës mbi të cilën llogariten kontributet e detyrueshme të sigurimit shëndetësor të punëmarrësit. Pra, kontributet e detyrueshme të sigurimit shëndetësor të punëdhënësit për punëmarrësin dhe kontributet e vetë punëmarrësit llogariten sipas nivelit të përcaktuar mbi pagën bruto të punëmarrësit dhe shtesat e tjera me karakter të përhershëm që lindin nga marrëdhëniet e punës, e cila nuk mund të jetë më e vogël nga paga minimale e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Neni 4 i p/ligjit përcakton kufirin minimal të pagës mbi të cilën llogariten kontributet e detyrueshme të sigurimit shëndetësor të personit fizik të vetëpunësuar.
Kontributet e detyrueshme të sigurimit shëndetësor për personin e vetëpunësuar, përfshirë punëdhënësin e vetëpunësuar dhe punonjësin e papaguar të familjes llogariten sipas nivelit të parashikuar si përqindje mbi dyfishin e pagës minimale të miratuar për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ndërkohë në nenin 5 të p/ligjit është pasqyruar ndryshimi i nevojshëm për t’i hapur rrugën ligjore implementimit në sistemin e ri informatik të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të një forme të re deklarimi.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Xhavit Curri i pranishëm në Komision, sqaroi se sipas këtij ndryshimi, propozohet që listëpagesa aktuale të shërbejë si deklaratë mujore e detyrimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore, të sigurimeve shëndetësore dhe të tatimit mbi pagat, duke zëvendësuar kështu tri deklaratat aktuale me një të vetme. “Mbi bazën e kësaj deklarate, sistemi mund të gjenerojë një urdhërpagese të vetme me tre rubrika të veçanta për pagesën e tre detyrimeve përkatëse (të kontributeve të sigurimeve shoqërore, të kontributeve të sigurimeve shëndetësore dhe të tatimit mbi pagat)”, tha Curri.
Sipas tij, një gjë e tillë do të ndikojë dukshëm në thjeshtimin e procedurave administrative për tatimpaguesit dhe administratën tatimore, si dhe në uljen e kostove financiare për të dy palët. Por deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, njëkohësisht Kryetare e Komisionit të Shëndetësisë, tha se p/ligji i sjellë nga qeveria flet për dështimin e angazhimit të qeverisë për shëndetësi falas.
Në p/ligj është përcaktuar, gjithashtu, se deklarata e paraqitur në administratën tatimore lidhur me punonjesit e rinj të marrë në punë dhe ajo lidhur me punonjësit e larguar nga puna, do të shërbejnë si deklarime edhe për Inspektoratin Shtetëror të Punës. Për këtë administrata tatimore do të ketë edhe detyrimin për të vënë në dispozicion të këtij inspektorati këto deklarata në rrugë elektronike. Një gjë e tillë do të ulte barrën administrative të tatimpaguesve, të cilët aktualisht janë të detyruar t’i paraqesin këto deklarata në letër pranë, Inspektoratit Shtetëror të Punës. Ndërkohë neni 7 i p/ligjit të paraqitur në Kuvend për miratim reflekton ndryshimin e propozuar për t’u bërë në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për radhën e pagesës së detyrimeve që lidhen me kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore kur ato paguhen pjesërisht.