Mbrëmje poetike nga “P.E.N. International” në Korçë
Qëndrat P.E.N. të Shqipërisë dhe Kosovës sjellin botën shqiptare akademike dhe atë letrave në Qarkun e Korçës.
Qëndrat P.E.N. të Shqipërisë dhe Kosovës, organizuan në Bibliotekën ‘Thimi Mitko’ të qytetit të Korçës një aktivitet të përbashkët me shkrimtarë të gjuhës shqipe dhe studiues të cilët u pritën nga Kryetarja e Qarkut të Korçës,Irena Nikaj.
Personalitete të njohur të fushës së letrave dhe botës akademike, si Agim Vinca, Ibrahim Kadriu, Sali Bashota, Basri Çapriqi, Entela Kasi, Sadik Bejko, Ndue Gjika, dhe Aleksandër Çipa,Skënder Rusi, etj, theksuan se ky rajon i Shqipërisë juglindore ka dhënë një kontribut të çmuar në kulturën dhe identitetin kombëtar.
Kryetarët e Qëndrave P.E.N. të Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht, Entela Kasi dhe Basri Çapriqi, theksuan se ngjarje të tilla kulturore kanë një rëndësi të veçanti në kuadër të bashkëpunimit me Bibliotekat ,dhe qëndrat Universitare në Shqipëri, pasi këto aktivitete forcojnë urat e komunikimit mes shqiptarëve në rajon, duke ndërtuar kështu një mundësi më të madhe shkëmbimesh në qarqet e Shqipërisë.
Znj. Kasi theksoi se takimi i parë rajonal në qarqet e Shqipërisë u mbajt në qytetin e Shkodrës në bashkëpunim me Universitetin Luigj Gurakuqi, në kuadër të ditës botërore të Librit, dhe pas këtij takimi në Qarkun e Korçës, i dy qendrat shqiptare P.E.N, do të vazhdojnë aktivitetet e tyre në Qarkun e Vlorës, në Universitetin Ismail Qemali, dhe në Universitetin Eqerem Çabej në qarkun e Gjirokastrës, i cili do të finalizohet në dt 21. 12. 2014, në Kuadër të ditës botërore të heronjve letrarë, shpallur nga UNESCO.
Më pas shkrimtarët e dhe poetët vijuan me lexime poetike në Bibliotekën e qytetit të Korçës me pjesëmarrjen edhe të poetëve të Klubit të shkrimtarëve ‘ Bota e re’, ku morën pjesë krijues dhe artdashës të qytetit.
Mbrëmjen poetike e drejtoi, poeti Skënder Rusi, njëkohësisht Drejtor i Bibliotekës ‘Thimi Mitko’. Në këtë mbrëmje ku lexuan poezitë e tyre, Agim Vinca, Basri Çapriqi, Sadik Bejko, Sali Bashota, Ibrahim Kadriu, Ndue Gjika, Raimonda Moisiu etj, u interpretuan me kitarë, tekste të Dritëro Agollit, dhe Ismail Kadaresë.
P.E.N. International është organizata botërore e shkrimtarëve, poetëve, botuesve, gjuhëtarëve dhe mediave, me zyra qendrore në Londër, e cila ka status Bashkëpunimi me Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe UNESCO