Mbrojtja e Kullës Trump do kushtojë 183 milionë dollarë në vit
Senatori i Nju Jorkut, Chuck Schumer ka shtuar presionin mbi Donald Trump dhe qeverinë federale për koston e mbrojtjes së presidentit, familjes së parë dhe rrethit të tyre të zgjeruar.
Schumer, lider demokrat i senatit, është përfshirë në debat duke thënë se kushton 500 mijë dollarë në ditë për rreth 200 policë mbrojtja e kullës Trump në Manhatan, ku ndodhen zyrat qendrore të familjes Trump dhe që shërben si shtëpi e zonjës së parë Melania Trump dhe djalit të Çiftit, Barron.
Senatori vlerësoi se kostoja mund të rritej deri në 183 milionë dollarë në vit. Sipas vlerësimeve aktuale, një administratë Trump katër vjeçare, mund t’i kushtojë miliarda dollarë taksapaguesve amerikanë, rreth tetë herë më shumë se sa 97 milionë dollarët që u shpenzuan për të mbrojtur Barak Obamën në dy mandatet e administratës së tij.
Kostoja e ruajtjes së kullës Trump, varion nga 1 milionë dollarë në ditë, gjatë protestave të përditshme para inaugurimit, në rreth 100 mijë dollarë në ditë për Zonjën e Parë dhe Barronin 10 vjeçar, që do të qëndrojnë në Nju Jork deri në fund të vitit shkollor.
Schumer i ka kërkuar Trump të përfshijë kostot në buxhetin federal duke nënvizuar se qyteti i Nju Jorkut është rimbursuar me vetëm 7 milionë dollarë nga 35 milionët e kërkuar për koston e mbrojtjes së kullës për periudhën mes ditës së zgjedhjeve dhe inaugurimit.
Nuk është e drejtë që taksapaguesit nju jorkezë të mbajnë mbi shpinë peshën e mbrojtjes së kullës Trump. President, kjo është mbrojtja jote ndaj të sfidoj t’i kalosh këto kosto në buxhetin e ardhshëm federal dhe të premtosh se do të rimbursosh qytetin e Nju Jorkut – tha Schumer gjatë një konference për shtyp në Manhatan.
Kostoja e mbrojtjes së presidentit Obama gjatë katër udhëtimeve të tij në Nju Jork, vitin e shkuar, ishte vetëm 4.1 milionë dollarë. Ndërsa kostoja e mbrojtjes së familjes Obama në shtëpinë e tyre në Çikago, gjatë periudhës së parainaugurimit, vlerësohet të ketë qenë 2.2 milionë.
Komentet e senatorit Schumer vijnë në një kohë kur kostoja e plotë e mbrojtjes së familjes së parë në stilin e tyre të jetesës, sapo ka filluar të kuptohet.