Mbyllen zgjedhjet e PD-së në Tiranë
Probleme me listat e anëtarëve të FRPD-së në degën nr. 5. Shehu: Askujt nuk i është mohuar e drejta votës
11 kryetarë – PD-ja e kryeqytetit do të ketë një riorganizim krejt të ri, ku ajo nuk do të ketë më një degë të vetme, por 11 të tilla që përkojnë me 11 njësitë bashkiake
Lulzim Basha – Kryetari i PD-së beson se ringritja e forcës më të madhe të opozitës do ta ndihmojë atë të përballet më fort dhe më mirë me mazhorancën
Në shtator – Demokratët, pas një pushimi trejavor, do t’u rikthehen aktiviteteve politike, ku ngjarja më e rëndësishme është mbledhja e Kuvendit Kombëtar, nga e cila do të zgjidhet edhe kryesia e lartë drejtuese
Në ditën e fundit të zgjedhjeve të kryetarëve të rinj në 15 degët e Partisë Demokratike në Tiranë, rishfaqen problemet e listave të anëtarëve me të drejtë vote në garën e zhvilluar pasditen e djeshme në njësinë bashkiake nr. 5 në kryeqytet. Anëtarët e forumit rinor të PD-së në këtë njësi, gjatë ditës së djeshme denoncuan problemet me listat ku, sipas tyre, në këto lista janë përjashtuar anëtarët që kanë pasur një kontribut në forumin rinor të partisë më të madhe të opozitës. Por, nga ana tjetër, drejtuesit e procesit zgjedhor që u zhvillua në ambientet e një qendre tregtare në “Komunën e Parisit”, mohojnë të ketë pasur pakënaqësi apo probleme për listat e anëtarëve që duhej të ushtronin të drejtën e tyre për të votuar njërin nga kandidatët për kryetarë në këtë njësi. I pyetur nga gazeta “Shqip” rreth kësaj çështjeje, koordinatori i PD-së për njësinë nr. 5, Tritan Shehu, i cilësoi si të pavërteta dhe se asnjërit nga anëtarët nuk i është mohuar e drejta për të marrë pjesë në këtë votim. Gjithashtu, zgjedhje janë zhvilluar dje edhe në njësitë bashkiake nr. 7 dhe së bashku me garën e zhvilluar në njësinë nr. 5, përmbyllet dhe procesi i votimit të kryetarëve të rinj të PD-së dhe që i hap rrugë mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të PD-së.
Pakënaqësitë
Për disa nga anëtarët e FRPD-së, lista e votuesve për njësinë nr. 5 është hartuar në mënyrë të tillë, që hedh poshtë parimin e zgjedhjes së lirë dhe për këtë ata fajësojnë kryetarin e FRPD-së qendrore, Gerti Bogdani, i cili, sipas tyre, në mënyrë të papjekur ka aprovuar një listë të pakëshilluar me asnjë nga anëtarët e forumit në bazë. “Uroj që të dalë dikush e t’u thotë atyre anëtarëve të vjetër të FRPD 5, që do të jenë në sallë, që ju nuk mund të votoni e të zgjidhni kryetarin e degës suaj, pasi ju kemi zëvendësuar me disa të tjerë, se kështu kishim qejf”, theksoi dje E.B., një nga anëtarët e këtij forumi. Ndërkohë në faqen e saj zyrtare, FRPD, nëndega 5, ndan të njëjtin shqetësim me anëtarët e saj, ku e cilëson këtë listë si skandaloze dhe të pakonsultuar me askënd nga baza e FRPD-së në këtë njësi. “Skandaloze dhe absurde përpilimi i listës së anëtarëve të FRPD-së 5, të cilët do të kenë mandat votimi në Kuvendin e PD-së njësia nr. 5! Një listë e improvizuar mbi baza preferencash personale dhe me emra kalimtarë në FRPD 5. Një listë, e cila përjashton nga votimi i sotëm gati të gjithë anëtarët e vjetër të FRPD 5. Një listë, e cila hedh poshtë parimin kryesor, mbi të cilin besojnë këta të rinj anëtarë të FRPD 5, parimin mbi zgjedhjen e lirë. Një listë ku mbi të gjitha është aprovuar dhe certifikuar nga kryetari i FRPD-së qendrore në formë të papjekur si veprim dhe pa u këshilluar me askënd nga baza e FRPD 5”, shkruhet në njoftimin e shpërndarë nga FRPD, nëndega 5.
Procesi i votimit
I deleguari nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, për njësinë bashkiake nr. 5 në Tiranë, njëherësh dhe ish-kryetar i PD-së, Tritan Shehu, u shpreh dje për gazetën “Shqip”, se nuk ka pasur asnjë problem me anëtarët me të drejtë vote dhe, sipas tij, pretendimet mbi listat nuk qëndrojnë. “Nuk ka pasur asnjë problem gjatë ditës me listat, pasi ato janë hartuar në mënyrë të rregullt, ku çdo anëtar jo vetëm i forumit rinor, por edhe më të mëdhenj në moshë, është vlerësuar edhe për kontributin e tij në PD. Në dijeninë time janë të pavërteta këto pakënaqësi nga anëtarësia. Sa u përket zgjedhjeve, procesi i organizimit të Kuvendit Zgjedhor për kryetarin e ri të PD-së në këtë njësi ka shkuar sipas parashikimeve dhe çdo gjë ka nisur normalisht rreth orës 19:30”, u shpreh ish-deputeti demokrat, Tritan Shehu. Ndërkohë, mësohet se rreth orës 20:00 kanë nisur edhe fjalimet e përfaqësuesve të PD-së, ku i pranishëm ishte dhe vetë kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, shpallja e kryetarit të ri të degës së PD-së në njësinë nr. 5 në Tiranë do të mësohet sot, për shkak se zgjedhjet u zhvilluan në orët e vona të mbrëmjes së djeshme.
Kryetarët e rinj
Njësia nr. 1 – Albert Faruku
Njësia nr. 2 – Dilaver Laçe
Njësia nr. 3 – Uran Metko
Njësia nr. 4 – Ervin Gjoçaj
Njësia nr. 6 – Astrit Xake
Njësia nr. 8 – Ervis Xhako
Njësia nr. 9 – Saimir Mulgeci
Njësia nr. 10 – Eduard Kelmendi
Njësia nr. 11 – Florian Lila