Më 26 shtator pritet zyrtarizimi i gjuhës së shenjave shqipe
Zëvendësministrja Kospiri: Me urdhër të Kryeministrit është ngritur një grup ndërministror për këtë çështje
Nga Ilda Hoxha
Në javën e fundit të shtatorit të këtij viti do të nisë procesi i zyrtarizimit të gjuhës së shenjave shqipe, për t’u ardhur në ndihmë personave me aftësi të kufizuara në dëgjim. Për herë të parë nis ky proces në vendin tonë për t’i dhënë edhe kësaj kategorie të drejtën për komunikim. E pyetur nga gazeta “Shqip”, një ndër mbështetëset kryesore të tyre, zëvendësministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bardhylka Kospiri, sqaron: “Java e fundit e shtatorit është java e aktiviteteve të personave që nuk dëgjojnë dhe deri në këtë kohë, qeveria do të realizojë, përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave, procesin e zyrtarizimit të gjuhës së shenjave. Barriera kryesore me të cilën ata ndeshen për integrimin shoqëror të tyre ka të bëjë me vështirësitë në komunikim, për shkak të mungesës së sigurimit të gjuhës së shenjave, përmes interpretëve të kësaj gjuhe. Ky shërbim ka qenë i munguar deri tani në Shqipëri”. Ndërkohë, në lidhje me këtë çështje, zëvendësministrja Kospiri shtoi se është ngritur një grup ndërministror, i cili po kryen të gjitha procedurat e nevojshme që ky proces të përfundojë me sukses.
“Me urdhër të Kryeministrit, është ngritur dhe po punon një grup ndërministror pune për zyrtarizimin e gjuhës shqipe të shenjave. Ky grup është angazhuar në realizimin e vlerësimit dhe bashkërendimit të legjislacionit, politikave, programeve për zyrtarizimin e gjuhës së shenjave në Republikën e Shqipërisë, dhe çështjet që lidhen me të drejtat e njerëzve që nuk dëgjojnë ndërmjet pushtetit qendror, vendor, organizatave të komunitetit të njerëzve që nuk dëgjojnë, ekspertëve të gjuhës së shenjave dhe grupeve të interesit. Në përfundim të këtij procesi, grupi i punës do të dalë me një plan veprimi, i cili do të jetë në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara”, sqaroi zëvendësministrja Kospiri. Sipas saj, edhe personat me aftësi të kufizuara në dëgjim kanë të drejtën e tyre, si të gjithë qytetarët e tjerë, për pjesëmarrje në jetën shoqërore, për arsimim, punësim. Nëpërmjet zyrtarizimit, u jepet mundësia njerëzve që nuk dëgjojnë, të ndjekin shkollat bashkë me bashkëmoshatarët e tyre dhe do të kenë më shumë akses në punësim, si dhe do të mund t’u ofrohet informacion i aksesueshëm dhe i kuptueshëm për ta. Përpos kësaj, në disa prej programeve kryesore në media, do të ketë edhe një interpret, i cili do të bëjë të kuptueshëm informacionin për këtë kategori. Gjithashtu do të ngrihen shërbime të interpretimit për personat që nuk dëgjojnë, duke ofruar shërbime në çdo institucion publik në Shqipëri. Ndryshime do të bëhen edhe në sistemin arsimor, i cili do të përputhet me nevojat për komunikim të njerëzve që nuk dëgjojnë.
Ndërkohë, koordinatori i përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare Shqiptare të Njerëzve që nuk Dëgjojnë, Florjan Rojba, sqaron se aktualisht në Shqipëri janë gjashtë interpretë të gjuhës së shenjave shqipe. Më tej, ai shton se kanë pasur një mbështetje të madhe nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në procesin e zyrtarizimit të gjuhës së shenjave shqipe. Sipas tij, grupi punues i ngritur për këtë qëllim vazhdon punën e tij për të bërë të mundur që në javën e fundit të muajit shtator 2014 të zyrtarizohet gjuha e shenjave shqipe në Parlament, si gjuhë e parë për njerëzit që nuk dëgjojnë. “Më 26 shtator, në ditën e personave që nuk dëgjojnë, na është premtuar se do të zyrtarizohet gjuha e shenjave shqipe”, sqaron koordinatori i përgjithshëm i shoqatës, Florjan Rojba. Ndërsa, sipas të dhënave të INSTAT-it, thuhet se aktualisht në vendin tonë janë 39 mijë persona që nuk dëgjojnë. Ky grupim ka kërkuar vazhdimisht zyrtarizimin e gjuhës së shenjave, si edhe vendosjen e shërbimit të përkthyesit të gjuhës së shenjave në institucionet publike që ofrojnë shërbime.
Grupi
Me urdhër të Kryeministrit është ngritur dhe po punon një grup ndërministror pune për zyrtarizimin e gjuhës shqipe të shenjave
Zyrtarizmi
Qeveria do të realizojë, përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave, procesin e zyrtarizimit të gjuhës së shenjave
Mundësia
Kjo u jep mundësi njerëzve që nuk dëgjojnë, të ndjekin shkollat bashkë me bashkëmoshatarët e tyre dhe të kenë më shumë akses në punësim
Aktualisht, në Shqipëri janë gjashtë interpretë të gjuhës së shenjave shqipe
Shoqata Shqiptare Kombëtare e Njerëzve që nuk Dëgjojnë synon mbrojtjen e të drejtave të personave që nuk dëgjojnë në Shqipëri. Kjo shoqatë ka tetë punonjës, ku gjashtë prej tyre janë persona që nuk dëgjojnë dhe dy të tjerët interpretë të gjuhës së shenjave shqipe. Ajo është licencuar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta,siç njihej në atë kohë, me numër vendimi 976, datë 12.05.2009 për licencimin e ofruesve të shërbimeve të përkujdesjes shoqërore. Shoqata është themeluar në vitin 1993 dhe operon në të gjithë Shqipërinë me programe në bazë të nevojave të komunitetit të njerëzve që nuk dëgjojnë. Ndërkohë, në vitin 2000, ka filluar të funksionojë si një organizatë me objektiva dhe synime të qarta për të sensibilizuar shoqërinë shqiptare dhe për t’i ardhur në ndihmë komunitetit të njerëzve që nuk dëgjojnë në vendin tonë.